Kosova kërkon në BE liberalizimin me kusht të vizave

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pritet që të udhëtojë në fillim të javës së ardhshme në Bruksel, ku do të prezantojë kërkesën e tij të re në lidhje me liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.
Ai ka paralajmëruar se do të kërkojë që fillimisht të ndodhë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe më pas, në një afat prej dy vjetësh, Kosova të përmbushë kërkesën e Komisionit Evropian për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Mustafa do të kërkojë që Bashkimi Evropian ta suspendojë me kusht, për dy vjet, kriterin e ratifikimit të demarkacionit dhe nëse Kosova brenda këtij afati nuk e përmbush këtë kriter, asaj t’i merret sërish liberalizimi dhe t’i kthehet regjimi i vizave.
Kryeministri Mustafa ka deklaruar së fundmi se këtë çështje e ka diskutuar me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, ku sipas tij, ministri gjerman ka premtuar se kërkesa do të merret parasysh.
Mirëpo, njohësit e integrimeve evropiane dhe ata të zhvillimeve politike konsiderojnë se një kërkesë e tillë nga ana e Kosovës është e vonuar.
Ata thonë se edhe në rast se një kërkesë e tillë pranohet, ajo mund të vonojë shumë derisa të miratohet nga Brukseli.
Besa Shahini, njohëse e integrimeve evropiane tha për Radion Evropa e Lirë se, ka raste në të kaluarën kur Komisionit Evropian i janë drejtuar kërkesa që jo domosdoshmërisht kanë qenë relevante për proceset integruese dhe në disa raste, BE-ja ka pranuar t’i heqë disa nga kriteret e përcaktuara.
Ajo ka përmendur si shembull rastin e Bosnjë dhe Hercegovinës, kur në vitin 2011, BE-ja kishte kërkuar që ta ndryshonte mënyrën e zgjedhjes së presidentit.
Megjithatë, në rastin e Kosovës, Shahini thotë se ideja e kryeministrit Mustafa, në këtë moment, vështirë se mund të hasë në mirëkuptim, pasi Komisioni Evropian dhe vendet anëtare e kanë vendosur gjithë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën në demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
“Nëse Kryeministri kërkon një gjë të tillë kjo është e mirë, por kjo nuk do të thotë që Komisioni Evropian do të tërhiqet prej një kërkese edhe nëse nuk është kërkesë relevante për procesin e liberalizimit të vizave, siç nuk është ratifikimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi”.

Artikulli paraprakBerisha-Ramës: Uroj të të vijë mendja, mos vrit veten
Artikulli tjetërPAK protestë para Kuvendit, kërkojnë rritje të pagesës së paaftësisë