Kosova do të heqë masat kufizuese nga virusi

Kryetarët e Komunave kanë mbajtur një takim të organizuar nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe Ministria e Shëndetësisë lidhur me situatën pandemike në Kosovë. Gjatë këtij takimi u kërkua heqja e orës policore dhe kufizimet për gastronominë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një takim të mbajtur me kryetarët e komunave, ka thënë se 90 për qind e rekomandimeve nga Asociacioni i Komunave lidhur me masat e pandemisë do të merren parasysh.

Sipas një njoftimi të Asociacionit, ky takim vjen pas takimit të djeshëm të Këshillit të kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës për të vlerësuar situatë e tashme pandemike nëpër komuna me virusin Covid-19 ku edhe ka dalë me rekomandimet e Komunave.

Takimin e hapi ministri i MPL-së, Elbert Krasniqi ndërsa për qëllimin e takimit foli ministri i MSH-së Arben Vitia i cili tha se duam të konsultohemi më Kryetarët e Komunave lidhur me masat e tashme dhe për hapat e ardhshëm në këtë drejtim.

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti në fjalën e tij informoi dy ministrat për takimin e Këshillit të Kryetarëve.

“Kryetari Ahmeti tha se dje gjithë kryetarët e komunave janë dakorduar që të dilet me këto rekomandime: 1. Qeveria të ketë prioritet vaksinimin e popullatës, 2. Komunat kërkojnë dhe rekomandojnë heqjen e orës policore, 3. Komunat rekomandojnë dhe kërkojnë që masat ndaj gastronomisë të tërhiqen dhe kërkojnë që gastronomia të zbatojë udhëzimet për distancën fizike edhe përmes tavolinave, 4. Komunat kërkojnë që të amandamentohet Ligji mbi Pandeminë, 5. Kërkohet nga Qeveria zbatimi i pakos së fundit të përkrahjes ekonomike dhe që të fillohet me një pako të re përkrahëse, 6. Të ketë bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve në mes nivelit qendror dhe lokal në ruajtjen e shëndetit publik dhe ekonomik, 7. Bashkëpunimi në mes inspektoratit qendror dhe atij lokal nuk është në nivelin e duhur. Ky bashkëpunim duhet të fuqizohet në zbatim të masave në mënyrë që të ruhet shëndeti publik”, thuhet në njoftimin e asociacionit.

Ministri i MSH-së, Arben Vitia tha se duhet pasur kujdes në gjithë hapat meqë sipas tij, situata është mjaft serioze “prandaj duhet një bashkëpunim dhe koordinim mes të gjithë aktorëve në mënyrë që të ruajmë shëndetin publik por të mos dëmtojmë as sektorët e ekonomisë”.

Vitia tha se beson që 90 për qind e rekomandimeve që kanë nxjerrë Asociacioni i Komunave të Kosovës në takimin me këshillin e kryetarëve do të merren parasysh në vendimet për masat e ardhshme.

Në këtë takim kanë diskutuar edhe kryetarët e komunave ku kanë mbështetur rekomandimet e Këshillit të Kryetarëve, gjithnjë duke ruajtur shëndetin publik, duke respektuar masat por pa dëmtuar sektorët e caktuar të ekonomisë.

Lexo edhe këtë: Sot fillon mbyllja e pjesshme në Kosovë, këto janë masat në fuqi

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja anti-Covid që kanë hyrë në fuqi nga 7 deri më 18 prill.

Nga data 7 prill deri më 18 prill ndalohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00, ndërsa lokalet e gastronomisë janë të mbyllura.

Ndërkaq, shërbimet e gastronomisë janë obliguar që të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill, si dhe është ndaluar veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre.

Në kuadër të vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me masat parandaluese në luftë kundër pandemisë së koronavirusi, në pikën e katërt, thuhet që “të gjithë qytetarët e Kosovës, gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetim për testin RT-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë. Në të kundërtën, ata duhet të vetizolohen për shtatë ditë.

Përjashtim nga pika katër e vendimit të qeverisë, bëjnë vetëm qytetarët e Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 24 orët e fundit.

Artikulli paraprakTetë këshilla për një sistem më të fortë imunitar kur agjëroni në Ramazan
Artikulli tjetërYuri Kim paralajmëron: Kush blen vota nuk është i denjë të ulet në detyrën për të cilën kërkon