Koreja e Veriut tjetër test provokimi

Koreja e Veriut lëshoi një raketë me një trajektore me lartësi të pazakontë nga sipërfaqja e tokës, që dëshmon se mjeti i vënë në provë mund të ketë qenë raketë e re me dy etapa lëshimi që mund të arrijë distanca deri në 4500 km.
Shtëpia e Bardhë nxori një deklaratë ku e cilëson provën si “një thirrje ndaj të gjitha vendeve për të vënë në zbatim sanksione më të forta kundër Koresë së Veriut”.
Më herët Japonia dhe Koreja e Jugut bënë komente duke e dënuar ashpër veprimin e Phenianit si një kërcënim të rëndë për rajonin dhe shkelje të rezolutave të OKB-së lidhur me programin koreanoverior të armëve.
Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe urdhëroi qeverinë e tij të “përgatitet për të gjitha skenaret e mundshme”, siç njofton zyra e kryeministrit.
Kina bëri thirrje për maturi në mënyrë që të shmanget një acarim i mëtejshëm i tensioneve në rajon, ndërkohë që Ministria e Jashtme kineze e kundërshtoi aktin e Phenianit si një dhunim të rezolutave të Këshillit të Sigurimit. Pekini është aleati kryesor i Phenianit dhe partneri i tij më i rëndësishëm tregtar.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i cili ndodhet në Pekin për një takim ndërkombëtar të nivelit të lartë, shprehu shqetësim për provën me raketë dhe për acarimin e tensioneve në rajon, siç u shpreh një zëdhënës i Kremlinit.
Raketa ra në det, rreth 400 km nga bregu lindor i Koresë së Veriut, sipas njoftimeve të qeverisë japoneze.

Artikulli paraprakA do ta frikësojë akoma Shuls, Merkelin?
Artikulli tjetërPërgjigjja e Tillerson për marrëdhëniet me Presidentin