Konservatorët britanikë: Me qeveri teknike për zgjedhjet

Përfaqësuesi i lartë i konservatorëve briktanikë, Daniel Hannan kërkon krijimin e një qeverie teknike që do të sigurojë zgjedhjet e lira në Shqipëri.
“Mendoj se ka një çështje shumë të fortë që për një kohë të shkurtër vendi të ketë një qeveri teknike, që deri tani vetëm është propozuar, për të garantuar integritetin e të gjithë procesit zgjedhor. Një qeveri e dakordësuar nga të gjitha partitë politike dhe një qeveri, e cila thjesht do të garantojë mbështetje për të gjitha partitë në Shqipëri se këto ishin zgjedhje të lira dhe të ndershme”, thotë Daniel Hannan.

– Mendoni se Shqipëria ka fuqinë politike dhe ekonomike për të qenë po aq kompetitive, konkurruese sa edhe vendet e tjera anëtare të BE-së?
Po. Jam në fakt shpresëplotë rreth perspektivës në terma afatgjatë të Shqipërisë. Ka popullsi shumë të re, ka edukim, ka një pozicion shumë të mirë gjeografik dhe ka një produktivitet vërtet konkurrues. Problemi më i madh me aq sa unë shoh, është emigrimi i njerëzve më të mirë. Dhe nëse Shqipëria do të lulëzojë, do të duhet të keni një sistem të ri me sundimin e ligjit dhe siguri, në mënyrë që ata njerëz që janë larguar të rikthehen dhe të rindërtojnë jetën dhe karrierën e tyre këtu.

– Përveç politikës, ju jeni i njohur edhe si gazetar i famshëm. Çfarë mendoni për rolin e medias në zgjidhjen e krizave të tilla politike, siç po e përjeton Shqipëria aktualisht?
Është e mundur të kesh lirinë e medias pa pasur media të lirë. Media dhe shtypi pluralist është gjëja më jetike. Dhe kjo nuk është çështje objektiviteti, askush nuk bie dakord se çfarë është objektiviteti. Por në qoftë se keni shumë media, shumë interpretime, histori të ndryshme, atëherë do të përshkruani të vërtetën.

– Me Britaninë jashtë BE, mendoni se do t’i kushtoni po të njëjtën rëndësi dhe vëmendje rajonit të Ballkanit, siç keni bërë vitet e fundit?
Me siguri edhe më shumë sepse fakti që Britania do të marrë një rol edhe më të fortë në vendet jashtë BE si Zvicra, Ballkani, madje edhe Turqia etj., do të thotë që do të kemi edhe interesa të përbashkëta në termat e maksimalizimit të prosperitetit, tregti me BE dhe të drejta reciproke dhe fakti që ne nuk do të jemi më pjesë e institucioneve politike në Bruksel, me shumë gjasa do të angazhohemi edhe më shumë aty.

– Jeni në Shqipëri për të marrë pjesë në samitin e lirisë. Përgjatë 2 muajve të fundit situata politike në vendin tonë ka qenë e tensionuar. Opozita ka bojkotuar Parlamentin dhe po proteston në shesh kundër qeverisë. Lideri i opozitës, Lulzim Basha ka vendosur 4 kushte, një prej të cilave krijimi i një qeveri teknike, e cila do të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme. Sipas jush, a është e pranueshme të kërkosh vetëm 2 muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, një qeveri teknike dhe shpërndarjen e Parlamentit apo dorëheqjen e qeverisë?
Që demokracia të funksionojë, duhet që të gjitha palët të bien dakord për një rrugëzgjidhje. Aspekti më thelbësor i çdo demokracie është të pranojnë legjitimitetin e rezultatit. Njerëzit do të mbajnë mend që edhe në kohën e Bashkimit Sovjetik ka patur zgjedhje të rregullta. Edhe pse ato nuk kishin asnjë kuptim. Ndaj të gjitha palët politike duhet të kuptojnë se zgjedhjet janë reale. Mendoj se ka një çështje shumë të fortë që për një kohë të shkurtër vendi të ketë një qeveri teknike, që deri tani vetëm është propozuar, për të garantuar integritetin e të gjithë procesit zgjedhor. Një qeveri e dakordësuar nga të gjitha partitë politike dhe një qeveri, e cila thjesht do të garantojë mbështetje për të gjitha partitë në Shqipëri se këto ishin zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe meqë ra fjala, nuk mendoj se kjo duhet të shihet vetëm si një argument kundër qeverisë aktuale. Mendoj se do të ishte një precedent i mirë që përpara çdo palë zgjedhje, që për disa javë mund të keni dikë në krye që mos të jetë i politizuar.

– Keni shkruar disa libra në mbështetje të reformave demokratike. Jeni euroskeptik dhe fuqimisht keni kritikuar Europën apo zgjerimin e mëtejshëm të saj. E në kohën kur ju vendosët të braktisni BE, aspirata më e madhe që ka Shqipëria është të bashkohet me unionin. A mendoni se Shqipëria është gati për BE dhe në të kundërt, a është BE-ja gati të zgjerohet edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor?
Ky nuk do të jetë më shqetësimi ynë. Është një çështje e rëndësishme për Shqipërinë dhe për Brukselin. Përgjatë referendumit në Britani, kryeministri juaj ndërhyri në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe shkroi për të përditshmen “The London Time” duke thënë se kemi probleme të tmerrshme, ne shqiptarët kemi probleme të tmerrshme dhe ju s’do të donit të ishit si ne. Epo, mirë. Ndoshta Shqipëria mund t’i zgjidhë problemet e saj në mënyra të tjera përveçse anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Dhe do të doja të shihja një situatë ku çdo vend i këtij rajoni të mund të marrin pjesë në një treg të përbashkët europian dhe të marrin përsipër të drejtat dhe përgjegjësitë për të ruajtur këtë treg të vetëm pa asnjë lloj diskriminimi mbi bazat e origjinës, nacionalitetit apo shqetësime të tjera, pa nevojën për t’u bërë një provincë e Europës federale. Në qoftë se ne e përdorim BREXIT-in për të vendosur një precedent, atëherë kjo nuk të ishte me interes vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe më gjerë për Ukrainën, Marokun, Izraelin. Duhet të jetë e mundur të ndërtohet një sferë ekonomike, me lëvizje të lirë dhe shërbime të mira pa qenë nevoja që të ndërmarrin edhe detyrimet politike.

– Pas 44 vitesh si vend anëtar i BE, Britania tashmë po del nga unioni. Gjithçka ka mbetur është thjesht çështje procedurash. Ju keni qenë një mbështetës i fortë i çështjes BREXIT. Përse?
Bëhet fjalë për demokraci, që të jesh në gjendje të marrësh në punë dhe të pushosh njerëzit që miratojnë ligjet tona. Ne duam të kemi një marrëdhënie sa më të ngushtë me aleatët tanë europianë, sigurisht që e duam një gjë të tillë. Ne duam të kemi marrëdhënie sa më të ngushtë ekonomike, strategjike, ushtarake, diplomatike, por ngritur mbi parimin e sovranitetit kombëtar. Mendoj se tani do të kemi një marrëdhënie të re dhe më të mirë me fqinjët tanë. Prosperiteti i Europës ka rëndësi për ne, sigurisht që ka. Ne duam që fqinjët tanë të jenë konsumatorë të mirë dhe këto janë miq të vjetër. Mendoj se do të kemi marrëdhënie më të mira mbi bazat e një demokracie të pavarur, duke patur marrëdhënie të drejtpërdrejta me Europën, por duke jetuar sipas rregullave të veta.

– E shihni ende sot Europën po aq të fortë sa 3 apo 4 dekada më parë udhëhequr nga principet e një projekti të përbashkët paqeje apo vëllazërie mes të gjitha shteteve anëtare? Sipas jush, përse britanikët vendosën ta braktisin BE-në?
Mendoj se BE ka arritur shumë. Ka patur shumë arritje që në fillim, treg i lirë dhe kjo më duket gjë shumë e mirë, por më pas gjithçka u bë për të vendosur standarde të reja, për rregulla të reja, për harmonizim dhe Europa filloi të bjerë ekonomikisht, të bëjë hapa pas, të humbte fuqinë e saj. Përgjatë viteve të fundit, çdo vend, çdo kontinent në planet ka shënuar rritje të ndjeshme ekonomike me përjashtim të Europës. Dhe kjo është pjesërisht për shkak të krizës së monedhës euro, pjesërisht për shkak të rregullave të vendosura më shumë nga ç’duhej. Në të njëjtën mënyra, liria për të udhëtuar, kush mund të jetë kundër idesë për të punuar në një shtet tjetër, por Europa edhe në këtë pikë e tejkaloi veten duke kërkuar barazi dhe duke lejuar emigrimin. Këto lloj gjërash dhe njerëzit  ndjenë se humbën kontrollin. Bashkimi Europian ka patur dy projekte të mëdha përgjatë këtyre viteve të fundit, një monedhë e përbashkët europiane dhe zona Shengen. Të dyja këto bashkë treguan se ishin mbivlerësuar, se BE nuk i mbijetoi stuhisë së parë. Kriza ekonomike në Europë tregoi dobësinë e euros, kriza e emigrantëve tregoi dobësinë e zonës Shengen. Dhe të vjen keq. Besoja se nëse Britania do të kishte negociuar me Bashkimin Europian nuk do ta kishte humbur një marrëveshje të mirë brenda BE-së, por më 2016-ën na u bë e qartë se do të ishte ose e gjitha ose asgjë. Dhe tani do të kërkojmë të krijojmë një tjetër marrëdhënie, por nga jashtë saj.

– Jeni shprehur se jeni në favor të Europës, por jo të kësaj Europe që shihni sot. Në fakt, çfarë Europe shihni sot?
Do të doja të shihja një Europë ku ne mund të bëjmë bashkërisht atë çka secili nga ne mund ta bëjë edhe vetëm. Një Europë që bën marrëveshje për prodhimin e manifakturën, që merr masa ndërkombëtare për mjedisin apo tregtinë, që nuk vjen përtej kufijve kombëtarë, në aspektin e mikrorregullatorëve. Dhe çdo ministri në Britaninë e Madhe ka disa elementë të kontrollit të Brukselit, edhe për diçka që nuk ka aspak dimensione ndërkombëtare. Dhe ky është problem. Mendoja dhe shpresoja se do të kishim arritur një marrëveshje përmes një rinegociimi me BE. Nuk mundëm. E dini çfarë? Mendoj se do të jemi pak a shumë si Shtetet e Bashkuara. Unë kështu e shoh planin për Brexit. Sigurisht që e ndjek politikën e Bashkimit Europian, nuk është pjesë e atij bashkimi, por që vazhdon të ketë marrëdhënie të ngushta dhe të mira politike, ekonomike, strategjike, ushtarake, tregtare me atë bashkim shtetesh.

– Keni thënë se në Bruksel askush nuk e pranon se BE ka një problem. E ndani edhe sot këtë mendim?
Përgjigjja për votën pro BREXIT në institucionet e Brukselit ishte pothuajse unanimisht: le ta bëjmë edhe më shumë, le ta bëjmë edhe me më shumë integritet. Në kuptimin nuk ka punuar aq shpejt, le ta bëjmë më të vështirë. Është njësoj si ata njerëzit që i përgjigjen problemeve të dukshme të komunizmit duke thënë se ende nuk e kemi provuar ende komunizmin e vërtetë. Dhe kjo është të ngresh lart dogmën e eksperiencës. Do të thotë të ngresh lart ideologjinë e realitetit.

– Muaj më parë jeni shprehur se BREXIT do të jetë një proces i sjellshëm. Ka qenë i tillë deri më tani?
Mendoj se do të jetë. Mendoj se ditën pasi të ndodhë BREXIT ne do të jemi po njësoj si një ditë më parë. Dita pas BREXIT do të jetë dita kur ne do të fillojmë të ushtrojmë një trajektore ndryshe. Një trajektore që parashikon rregullacion tjetër dhe më shumë liri tregtare me vendet që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian. Britania është në një pozicion të pazakontë në një sens shumë të rëndësishëm, jemi i vetmi shtet anëtar i Bashkimit Europian që eksporton më shumë në çdo vend të botës sesa vetë Bashkimi Europian, në një treg të vetëm. Dhe për ne, një avantazh i madh i BREXIT është fakti se tani e kemi të mundur të arrijmë  marrëveshje për tregtinë e lirë me shtetet e mëdha, si Shtetet  e Bashkuara, Australia, India, Kina. Shpresoj që Bashkimi Europian të ndjekë shembullin tonë. Dua që Bashkimi Europian të ketë prosperitet, dua që Bashkimi Europian të jetë i qëndrueshëm dhe i suksesshëm. Ndoshta në qoftë se presioni do të jetë i madh, edhe BE do ta ketë më të lehtë të ecë në të njëjtën rrugë.

– Përse mendoni se BE nuk i la asnjë rrugë tjetër Britanisë përveçse BREXIT? Keni thënë se gjithsesi ne duhet të mbetemi miq. Mendoni se kjo do të jetë e mundur?
Po, i mbetem plotësisht kësaj. Ishte një rezutat i ngushtë ai i referendumit, 52 me 48%. Nëse David Cameron në shkurt të vitit 2016 do të kishte qenë në gjendje të arrinte një marrëveshje që t’i jepte Britanisë më shumë pushtet politik, më shumë pavarësi, mendoj se do të ishte mjaftueshëm për të që të fitonte referendumin. Por BE u përball me humbjen përballë kontribuesit të dytë të madh financiar të saj, nuk ishte e përgatitur për t’u tërhequr nga kompetencat e saj, nga asnjëra nuk lëshoi. Dhe reagimi në Britani ishte i menjëhershëm në shkurt të 2016-ës. Në çdo takim publik që unë kam patur njerëzit thoshin: Çfarë, kështu na votojnë ata tani ende pa votuar? Si do të na trajtojnë në qoftë se ne votojmë për të qëndruar në BE? Dhe në atë moment fushata për të dalë nga Bashkimi Europian fitoi. Ndaj, Bashkimi Europian ka çdo të drejtë të mos bëjë përjashtime për të 26-të vendet e tjera anëtare të saj, në qoftë se thonë se s’mund të jeni pjesë e BE-së pa plotësuar kushtet dhe termat e saj, atëherë është në dorë të çdo shteti për të vendosur në qoftë se duan të rrinë apo të dalin prej saj. Ne tani do të kërkojmë të arrijmë një marrëveshje nga jashtë. Ashtu siç kryeministrja vazhdon ta thotë, ajo do të kërkojë një marrëveshje të re dhe të veçantë me miqtë më të mirë dhe aleatët më të fortë të Bashkimit Europian.

Artikulli paraprakPence: Korea e Veriut të presë kundërpërgjigjen më të ashpër
Artikulli tjetërAsnjë tërheqje, qeveri teknike, çmontim i krimit