Konkurrenca kundër rritjes së çmimit të ujit në Tiranë

Vendimi i Bashkisë Tiranë për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm në gusht 2017, është marrë i pabazuar në studime ekonomike, argument ligjore dhe në mungesë të marrjes së vlerësimit paraprak nga Autoriteti i Konkurrencës.
Këto janë përfundimet kryesore të raportit vjetor të AK, në përfundim të kontrollit dhe vlerësimit të procedurës së ndjekur nga Bashkia Tirana dhe Entit Rregullator të Ujit (ERRU) për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm.
Raporti përfundimtar i AK thekson:
-Bazuar në relacionin shpjegues të ERRU për miratimin e tarifave të reja për vitin 2018, nuk gjejmë të detajuar strukturën e kostos mbi bazën e së cilës është miratuar tarifa.
-Në faqen zyrtare të UKT, Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe ERRU në të cilat është publikuar Vendimi Nr. 47/2017 i ERRU mbi miratimin e tarifave për periudhën 01.01.2018 e në vazhdim, nuk gjenden bashkëlidhur relacioni me argumentet ekonomike dhe ligjore mbi të cilat është bazuar kjo vendimmarrje.
-Lidhur me këtë vendimmarrje nuk është marrë vlerësimi paraprak i Autoritetit të Konkurrencës, në zbatim të neneve 69 dhe 70 të Ligjit Nr. 9121.
Në fund të raportit, Autoriteti i Konkurrencës i rekomandon institucioneve lidhur me këtë vendim se:
-Rritja e tarifave duhet të jetë graduale dhe në përputhje me kriteret e performancës, në mënyrë të veçantë të orarit të furnizimit me ujë.
-Gjatë procesit të marrjes së këtyre vendimeve duhet të ketë më tepër transprencë, analiza e studime dhe gjithnjë duhet kërkuar vlerësim ligjor nga Autoriteti i Konkurrencës për çdo projekt-akt normativ që potencialisht mund të sjellë kufizime të konkurrencës në tregun përkatës.
Në gusht 2017, gjatë një seance jo të ligjshme, Bashkia Tiranë rriti çmimin e ujit të pijshëm nga 45 lekë për metër kub në 65 lekë për metër kubë, pra një rritje me rreth 44 për qind. Rritje pësoi dhe çmimi i ujit për klientët publikë e ato privatë: për klientët publikë çmimi u rrit nga 120 lekë metër kub në 140 lekë për metër kub (17 për qind) dhe për klientët privat, çmimi u rrit nga 135 lekë për metër kub në 155 lekë për metër kub (15 për qind).

Artikulli paraprakVeliaj porosit për Bashkinë e Tiranës, kasafortë sekrete për para
Artikulli tjetërDeri në 2025 nuk ka anëtarësim në BE për Shqipërinë