Kongresmenët-Kerryt: Garanci për rekomandimin 88. Po sulmohet gjyqësori

Tre kongresmenë amerikanë i kanë kërkuar të djelën Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry garanci për Reformën në Drejtësi që duhet të miratojë Parlamenti shqiptar, e cila duhet të respektojë rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias.
Kongresmenët David Jolly, Robert Aderholt, si dhe nënkryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin e SHBA, Dana Rohrabacher i kanë dërguar një letër Sekretarit të Shtetit, John Kerry, ku i kërkojnë që të nxitet konsensusi për Reformën në Drejtësi në Shqipëri. Kongresmenët kërkojnë që konsensusi të arrihet sipas Rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias ndërsa shprehin shqetësimin për kërcënimet aktuale ndaj vendimeve të pavarura të gjyqësorit.
Kjo letër është një mbështetje e fortë që vjen nga SHBA për opozitën, e cila ka kërkuar vendet e rezervuara në institucionet e reja të Drejtësisë si kusht të vetëm për të votuar Reformën në Drejtësi.
Letra
Të nderuarit John Kerry, Sekretar i Shtetit
I dashur Sekretari Kerry,
Ju shkruajmë me shqetësimin se vendimet e drejta dhe të pavarura të gjyqësorit në Shqipëri vazhdojnë të kërcënohen, dhe për të kërkuar mbështetjen tuaj për përpjekjet në vazhdim për të arritur konsensus mbi reformat e propozuara.
Reforma në Drejtësi nevojitet për të siguruar një gjyqësor të pavarur dhe një proces gjyqësor të hapur dhe të argumentuar që mund të shërbejë edhe për të përshpejtuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Komisioni i Venecias ka paraqitur rekomandimet finale për Reformën në Drejtësi dhe liderët politikë nga të dyja palët politike i kanë mirëpritur këto rekomandime si një produkt konsensual.
Ne besojmë se, liderët politikë janë afër një marrëveshjeje mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe në mënyrë më specifike Rekomandimi 88, i cili përbën bazën e zgjidhjes kur liderët politikë janë në një pikë ku nuk bien dakord. Që Reforma në Drejtësi të përfundojë, duhet garantuar adoptimi i këtij rekomandimi në Kushtetutën e Shqipërisë dhe zbatimi i tij.
Ne ju nxisim që të punoni me qeverinë e Shqipërisë, që të vazhdojë përkushtimin ndaj Reformës në Drejtësi.
Marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe interesi ynë i përbashkët për sigurinë e lirinë është i një rëndësie domethënëse në planin rajonal dhe global.
Me shumë respekt,
David Jolly
Robert Aderholt
Dana Rohrabacher

PD:Rama të tërhiqet nga zhbllokimi i reformës

Pas letrës së kongresmenëve amerikanë ka reaguar Partia Demokratike, e cila i ka bërë thirrje Ramës të tërhiqet nga zhbllokimi i reformës dhe të pranojë rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias. Përmes një deklarate për mediat deputeti demokrat Bylykbashi vlerësoi angazhimin e kongresmenëve për tu ofruar shqiptarëve një drejtësi të pavarur në respekt me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Letra që kongresmenët amerikanë, Kryetari i Komitetit për Europën në Komisionin e Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan, Dana Rohrabacher dhe David Jolly e Robert Aderholt i kanë drejtuar Sekretarit Kerry, lidhur me Reformën në Drejtësi është një kontribut i çmuar për t’iu dhënë shqiptarëve një drejtësi të pavarur sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe që garanton moskapjen politike. Kongresmenët amerikanë, duke iu referuar Komisionit të Venecias kanë sugjeruar si zgjidhje të çështjes së vetme, ku palët nuk bien dakort, adoptimin dhe zbatimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias, duke e konsideruar këtë si garanci për një reformë të suksesshme dhe të gjithpranuar në drejtësi” shprehet Bylykbashi.
Ai tha se sot shqiptarët dhe vendi ka nevojë për një reformë që ndëshkon krimin dhe korrupsionin.
“Urojmë dhe shpresojmë që ky angazhim i kongresmenëve amerikanë të shërbejë si një shtysë për mazhorancën për të zhbllokuar Reformën në Drejtësi, duke i dhënë zgjidhjen e propozuar nga Komisioni i Venecias në rekomandimin 88.  Uroj që Edi Rama të heqë dorë nga përpjekja e tij për të kontrolluar gjyqësorin dhe t’i hapë rrugë konsensusit për Reformën në Drejtësi si rruga e vetme për tju dhënë qytetarëve drejtësinë që duan, drejtësinë që nuk mbron, por ndëshkon krimin dhe korrupsionin” thekson deputeti demokrat.

Çfarë rekomandon  Venecia me nenin 88

Neni 88 i rekomandimeve të Komisionit të Venecias, apo siç njihet ndryshe neni i “vendeve të rezervuara”, ndër të tjera, sugjeron: “Nëse partitë politike të përfshira në proces nuk bien dakord për shumicën e cilësuar që duhet për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), të cilët do të vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional zgjedhjeje, i cili i garanton opozitës përfaqësimin në këto organe kolektive ose çdo lloj modeli tjetër të përshtatshëm, i cili do t’i siguronte opozitës një ndikim të caktuar në procesin e zgjedhjes së tyre”.
Çfarë do të thotë më konkretisht ky propozim?
Së pari, ai thotë që opozita duhet të ketë ndikim në zgjedhjen e këtyre kandidaturave, pra anëtarët nuk duhet të zgjidhen me mekanizma që përjashtojnë çdo ndikim të vërtetë të pakicës.
Së dyti, ai propozon një formulë të caktuar (shpjeguar më poshtë) dhe le të hapur formula të tjera, të cilat duhet të plotësojnë kushtin e parë, më sipër.

Artikulli paraprak3 të dhunuar në 24 orë nga xhahilët e Tahirit
Artikulli tjetërMasakra në Qipro, zbulohet lidhja mes Jani Voglit dhe Aleks Burrelit