Konfirmohet vrasja e Lavdrim Muhaxherit në muajin qershor

Koalicioni ndërkombëtar kundër grupit militant Shteti Islamik, konfirmoi vrasjen e disa luftëtarëve nga Evropa Juglindore, përfshirë edhe disa luftëtarë shqiptarë që u janë bashkuar konflikteve në Lindjen e Mesme.
Në një njoftim të koalicionit thuhet se ai ka vazhduar sulmet ajrore për të vënë në shënjestër dhe vrarë udhëheqësit e ISIS-it dhe luftëtarët e huaj në Siri, në mbështetje të partnerëve të koalicionit për t’i hequr mundësinë ISIS-it që të frymëzojë, mbështesë dhe drejtojë sulme terroriste në botë.
Së fundmi, thuhet në njoftim, koalicioni vrau udhëheqësit e ISIS-it të përfshirë në drejtimin e operacioneve të jashtme dhe prodhuesit e bombave që synonin shënjestra në rajon dhe në perëndim.
Më 24 korrik, koalicioni vrau Abd al-Ghafurin, zyrtar i operacioneve të jashtme të ISIS-it me bazë në Siri dhe një nga bashkëpunëtorët e tij në afërsi të Albu Kamalit në Siri. Ndihmësi i tij, Abu Hammam dhe tre pjesëtarë të ISIS-it u vranë në sulmet ajrore të koalicionit më 16 korrik në afërsi të Dayr Az Zawrit në Siri.
Më 13 korrik është vrarë Abu Futtum, specialist i mjeteve shpërthyese bashkë me një ndihmës në afërsi të Mayadinit.
Koalicioni ka vënë në shënjestër edhe luftëtarët e huaj nga Evropa Juglindore që vepronin në Siri si rekrutues e komplotues, përgjegjës për shumë mizori atje.
Lavdrim Muhaxheri, thuhet në njoftim, është vrarë në një sulm ajror të koalicionit më 7 qershor afër Mayadinit. Muhaxheri ishte shqiptar etnik nga Kaçaniku i Kosovës dhe udhëheqës i vetëshpallur i luftëtarëve të ISIS-it nga Kosova.
Ai njihej si luftëtari më i shquar radikal shqiptar në Siri dhe ishte drejtpërdrejt përgjegjës për nxitjen e ideologjisë xhihadiste brenda komuniteteve evropiane dhe inkurajimin e luftëtarëve të huaj për të udhëtuar në territorin e kontrolluar nga ISIS-i. Ai ishte përgjegjës për planifikimin e shumë sulmeve terroriste, përfshirë edhe planin e dështuar për sulm me bombë në ndeshjen e futbollit ndërmjet Izraelit dhe Shqipërisë në vjeshtën e vitit 2016.
Për më tepër, thuhet në njoftim mund të konfirmohet vdekja e katër bashkëpunëtorëve të lartë të Muhaxherit. Jetmir Ismaili, një planifikues i sulmeve terroriste, u vra gjatë një sulmi ajror në Raqqah në qershor. Ai kishte lidhje thelbësore me planifikuesit e sulmeve terroriste në Evropë dhe Siri dhe personalisht kishte planifikuar dhe bashkërenduar sulme të jashtme terroriste të ISIS-it.

Artikulli paraprakTrump fajëson Kongresin për Moskën
Artikulli tjetërTrump, presion tregtar Kinës