Konfederatat, Ronaldo çon Portugalinë drejt kualifikimit

Një gol i Kristiano Ronaldos i ka mjaftuar Portugalisë për të mundur 1-0 Rusinë organizatore në Kupën e Konfederatave dhe për t’iu afruar më shumë gjysmëfinaleve të turneut. Sulmuesi shënoi që në minutën e 8 golin që vendosi ndeshjen ku Portugalia dominoi dhe vetëm në fundin e saj u rrezikua nga skuadra vendase, e cila me formën që po kalon mund të kthehet në një nga zhgënjimet më të mëdha jo vetëm të këtij turneu, por edhe të Botërorit që pret në shtëpi në vitin e ardhshëm.
Ndërkaq, Ronaldo vazhdon të prodhojë statistika të frikshme, të cilat konfirmojnë se ndoshta ky është viti më i mirë i karrierës së tij. Goli i shënuar dje për të ishte i 31-ti i vitit 2017, në 31 ndeshje të luajtura, një mesatare prej një goli për ndeshje që është e rrallë të arrihet në nivelet në të cilat luan portugezi.
Ky ishte goli i tij i 74-t me fanellën e kombëtares portugeze, duke u kthyer kështu në golashënuesin më të mirë europian të futbollit modern. Vetëm Ferenc Pushkash (84 gola) dhe Sandor Koçish (75) kanë realizuar më shumë se Ronaldo në Europë me fanellën e kombëtares.
Ylli i Portugalisë, Kristiano Ronaldo edhe një herë tjetër ka treguar anën e tij humane. Para se të fillonte ndeshja Ronaldo ka bërë një gjest të madh, ku në fushë hyri me një fëmijë me nevoja të veçanta, e të cilën e gëzoi së tepërmi.

Artikulli paraprakJeremy Mathieu e kërkojnë në Angli dhe Portugali
Artikulli tjetërKërkohet Paulinho