Koncesioni kancerogjen 22 milionë euro i Elbasanit

Një impiant me rrezikshmëri të lartë për shëndetin e qytetarëve për shkak të mbetjeve të tij kancerogjene është inauguruar dje nga Rama në Elbasan. Kontrata për ndërtimin e këtij impianti u nënshkrua pa analizë dhe pa asnjë studim. Leja mjedisore është dhënë dy muaj pas kontratave. Nuk është konsultuar me banorët e kësaj zone ku është ndërtuar landfilli. Nuk është parashikuar depozitimi i hirit të këtyre mbetjeve, që cilësohet mbetje e rrezikshme. Impianti është vendosur pranë lumit Shkumbin, pa marrë parasysh mundësinë e përmbytjeve. Rasti i Elbasanit nuk ka të bëjë vetëm me problemin e korrupsionit, por kjo do t’i ngjallë kancerin në mushkëri qytetarëve të Elbasanit. Elbasani do të bëhet si Marinza. Për ç’ka ndodh në Elbasan, Kompania që propozoi ndërtimin e impiantit është e sapokrijuar. Qeveria ka dhënë 5 milionë euro nga taksat tona për një kompani që ka vetëm një kapital 100 mijë dollarë”.

Afera miliona euro

Qeveria është përfshirë në një aferë prej 22 milionë eurosh, e cila lidhet me impiantin e mbetjeve që Kryeministri Rama inauguroi pak ditë më parë në qytetin e Elbasanit. Qeveria ka kontraktuar një kompani, e cila realizoi impiantin e përpunimit të plehrave, mbetjeve të ngurta për qytetin e Elbasanit. Por, nëse nga një anë qeveria po vjedh miliona euro para për këtë projekt, nga ana tjetër projekti në fjalë përbën një rrezik të lartë për shëndetin e qytetarëve. Kjo pasi, ky impiant në vetvete shkakton ndotje të rënda me tym kancerogjen në ambjent, duke vendosur në rrezik shëndetin dhe jetën e qytetarëve, por duke çuar drejt shkatërrimit mjedisin. Koncesioni prej 22 milionë eurosh iu dha një kompanie që nuk ka asnjë eksperiencë në fushën e trajtimit të mbetjeve të mjedisit, por nga ana tjetër, kjo kompani do të marrë nga qeveria 5 milionë. Kjo është një vjedhje e pastër e fondeve publike nga Rama dhe oborri i tij.

Projekti

Për të zhvatur paratë e buxhetit të shtetit, qeveria vë në rrezik jetën e qytetarëve dhe mjedisin. Projekti i impiantit të përpunimit të plehrave, mbetjeve të ngurta për qytetin e Elbasanit prodhon tymra kancerogjen dhe ndot mjedisin me grimcat që shkaktojnë kancer në mushkri dhe organe të tjera. Nga ana tjetër bëhet e ditur se, nuk parashikohet asnjë modelim i përhapjes së tymrave në ajër, duke lejuar ndotjen totale të ajrit që thithin qytetarët me tym kancerogjen. Kjo do të çonte edhe në asgjësimin e mjedisit të gjelbërt, bimësisë, duke kontaminuar kështu gjithë mjedisin. Gjithashtu, për këtë projekt të rrezikshëm nuk ekziston asnjë raport i detajuar. Mungesa e një raporti të detajuar për projekte të tilla që vënë në rrezik jetën e qytetarëve përbën një shkelje ligjore. Rrezikshmëria e këtij projekti rritet edhe më shumë, kur ky projekt nuk ka asnjë parashikim se ku do të depozitohet hiri i djegieve që është mbetje e rrezikshme. Nuk janë konsultuar sipas standardeve banorët e zonës që ju preket direkt cilësia e jetës. Tymrat e shtuara do të cenojnë me mënyrë të drejtpërdrejtë shëndetin dhe cilësinë e jetës.

Pa tender, pa procedurë

Bëhet e ditur se koncesioni në fjalë i është dhënë pa tender e pa procedurë një kompanie pranë qeverisë, e hapur vetëm pesë ditë përpara se të fitonte koncesionin, në bilancin e të cilës ndodhen vetëm 100 mijë dollarë. Kompania, e cila nuk ka asnjë eksperiencë në fushën e mbetjeve do të përfitojë nga qeveria 5 milionë euro. Por zhvatja e miliona eurove nga buxheti i shtetit është vetëm njëra anë e këtij skandali. Por, ajo që e thellon edhe më shumë këtë aferë është dëmtimi serioz i shëndetit të qytetarëve.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprakProkuroria: Si kaluan 8 ton drogë nga Durrësi
Artikulli tjetërFaqja e pare