Koncesioni i radhës për pullat fiskale, rritje e re e çmimit të ilaçeve

Qytetarët shqiptarë do të paguajnë më shtrenjtë për ilaçet, të cilat shumë shpejt do të pajisen me pullë fiskale nga koncesionari. Qeveria ka miratuar një projektligj, i cili ndryshon marrëveshjen e koncesionit me kompaninë SICPA, duke i dhënë kompanisë monopolin edhe të pajisjes së ilaçeve me pulla. Deri tani këtë detyrim e kanë patur cigaret dhe alkooli.
Sipas projektligjit, i cili tashmë ka mbërritur në Parlament, kostoja i pullës fiskale për ilaçet do të jetë sa 2.4 për qind e çmimit me pakicë. Kjo do të thotë se qytetarët shqiptare do të paguajnë minimalisht 2.4 për qind më shumë për ilaçet nga momenti që kontrata e re të hyjë në fuqi.
Pajisja e ilaçeve me pullë fiskale, ashtu si cigaret dhe alkooli ishte parashikuar që në kontratën fillestare të konçesionit të miratuar në vitin 2011. Por deri tani barnat nuk i janë nënshtruar këtij detyrimi, pasi fillimisht kjo u kundërshtua nga prodhuesit dhe importuesit e ilaceve e më vonë rezultoi e pamundur teknikisht. Në atë kohë ishte parashikuar që kostoja e pullës të ishte 2.3 lekë për copë.
Ndërsa me ndryshimin e ri që ka mbërritur në parlament, ajo shkon në 2.4 për qind të çmimit me pakicë të çdo medikamenti. Çmimi i ri është dukshëm më i lartë nga sa ishte parashikuar në kontratën fillestare, të konçesionit me kompaninë SICPA, pasi shumica dërrmuese e medikamenteve e kanë çmimin më të lartë se 100 lekë.
Kjo do të thotë që kosto 2.4 për qind është dukshëm më e lartë se sa ajo fikse prej 2.3 lekë  dhe do të çojë në një rritje të konsiderueshme të çmimit që paguajnë qytetarët për barnat. Gjatë kohës që ishte në opozitë, partia socialiste e pati kundërshtuar koncesionin si korruptiv dhe që vjedh qytetarët. Në atë kohë madje premtoi anulimin e tij. Por koncesioni jo vetëm që nuk u anulua, por qeveria është duke rritur koston për qytetarët, me qëllim që koncesionari të përfitojë më shumë.

Pak kohë më parë Banka Botërore evidentoi se barnat në Shqipëri janë më shtrenjtë se në të gjithë rajonin.   Përveç çmimeve të larta të barnave që sipas Bankës Botërore, kufizimi i furnizimit me barna mbetet një pengesë e madhe për uljen e çmimit, mjekët ju japin pacientëve doza më të larta mjekimi, pasi favorizojnë në këtë mënyrë kompanitë farmaceutike. Zbatimi i sukseshëm i rekomandimeve për sistemin farmaceutik sipas Bankës Botërore do të kërkojë bazë të mirë ligjore, vullnet politik, kapacitete për të imponuar zbatimin e rregullave dhe aftësi menaxheriale. Ndërsa barnat në vendin tonë shiten me çmim shumë herë më të lartë se sa në vendet e rajonit, denoncimi i ndryshueshmërisë së pajustifikueshme të çmimeve të barnave ka ardhur pak kohë më parë edhe nga kreu i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë.  Sipas këtij institucioni, shqiptarët paguajnë barnat e konsumit masiv me çmime shumë herë më të larta se sa ndodh në vendet fqinje. Ky fakt abuziv sipas ekspertëve po shndërrohet në një fenomen që po rëndon gjithnjë e më shumë xhepat e qytetarëve.

Artikulli paraprakHysaj: Do të mposhtim Romën edhe për Milik
Artikulli tjetërDurmishi: Zidane dhe Marcelo janë idhujt e mi