Kompania offshore Rama-Sula merr tregun e karburanteve

Nafta e vendit, gjatë 2015-s plotësoi gati me 25 për qind të nevojave të konsumit vendas, teksa ishte produkti më i eksportuar në Kosovë. Por pavarësisht këtij rendimenti, qeveria shqiptare ka vështirësi të mbledhë akcizën e prodhimit vendas të naftës, në krahasim me naftën e importit
“Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A” (IRTC) kompani e krijuar së fundmi nga Besnik Sula i Tajvanit siç e njohin të gjithë, mori në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO
Importet e karburanteve shënuan rënie pikiatë në muajin janar të vitit 2017. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në janar u importuan vetëm 21,899 tonë karburante me një rënie 38 për qind në krahasim me janarin e vitit 2016. Burimet nga tregu pohojnë se shkak për këtë rënie është bërë vënia në funksion e rafinerisë së përpunimit të naftës, ARMO. Uzina që u rikthye në punë në fund të vitit të kaluar duket se ka përmbushur gati 30 për qind të kërkesës vendase për naftë. Vetëm Kastrati rezulton të ketë importuar naftë në janar, ndërsa operatorët e tjerë janë furnizuar në tregun e brendshëm. Sipas të dhënave që ka nxjerrë më herët Ministria e Energjetikës, nëse ARMO vendos në punë të gjithë kapacitetin përpunues, atëherë nafta e gatshme për konsumin do të jetë 375 mijë tonë në vit, duke përmbushur gati 60% të konsumit në vend, i cili vlerësohet rreth 550-600 mijë tonë në vit. Në shtator të vitit të kaluar, “Jonian Refining dhe Trading Co. –IRTC” SH.A ka marrë në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO. Kompania rezulton e regjistruar offshore në Ishujt britanikë Virgin. Në të njëjtën periudhë, prodhuesi më i madh i naftës në vend Bankers Petroleum njoftoi se nënshkroi një marrëveshje me “Jonian Refining dhe Trading” për t’i shitur asaj deri në 65 për qind të prodhimit të naftës bruto te “IRTC”. ARMO, përveçse plotëson një pjesë të madhe të nevojave për naftë të tregut vendas, gjithashtu është furnitor i madh i këtij produkti në Kosovë dhe në Shqipëri. Ky fenomen ndodhi edhe në vitin 2015, kur kompanitë “TPD Drilling” dhe “Deveron” shfrytëzuan nëpërmjet qirasë rafinerinë. Nafta e vendit, gjatë 2015-s plotësoi gati me 25 për qind të nevojave të konsumit vendas, teksa ishte produkti më i eksportuar në Kosovë. Por pavarësisht këtij rendimenti, qeveria shqiptare ka vështirësi të mbledhë akcizën e prodhimit vendas të naftës, në krahasim me naftën e importit. Në vitin 2015, të ardhurat nga akciza shënuan rënie dyshifrore kryesisht nga ky fakt. Një tjetër shqetësim është cilësia e naftës për të cilën nuk ka informacion nga autoritetet nëse është e një niveli të pranueshëm për t’u përdorur nga automjetet.

Afera me ARMO

Kompania ARMO iu dha nga Rama kompanisë “Ionian Refining & Trading co”., kompani kjo e regjistruar off shore në Ishujt britanikë Virgin dhe në mes të qershorit të vitit të kaluar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Opozita dhe ish-kreu i saj Berisha, kanë deklaruar se pas kësaj kompanie qëndron sipërmarrësi shqiptar Besnik Sula. Shumë media përmes artikujve investigues u përpoqën të hedhin dritë mbi atë çfarë po ndodh realisht me kompaninë e zhytur në borxhe. Cilat janë detyrimet e kompanisë së re ndaj debitorëve e mbi të gjitha me kë ka nënshkruar kontratë për shfrytëzimin e ARMO-s. Në daljet publike, Kryeministri ka pohuar se kompania do të shlyejë detyrimet ndaj kreditorëve. Por edhe lidhur me këtë ka dyshime të mëdha. Marrja në shfrytëzim, siç është përmendur edhe në një njoftim të Bankers Petroleum, nuk nënkupton shumë angazhime financiare për kompaninë e re. Planet e saj zgjatën maksimalisht në 18 muaj. Deri në mars të vitit të kaluar, borxhi i ARMO-s kishte arritur në 600 milionë dollarë, sipas të dhënave nga Ministria e Energjisë. Kjo shumë është sa 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto ose sa buxheti i një viti për arsimin e shëndetësinë në gjithë vendin. Detyrimi marramendës i ARMO-s ka vënë në vështirësi disa banka. Gjysma e borxhit është marrë pranë tyre. Ndërsa po kaq është detyrimi ndaj shtetit.

“Ionian Gas” u krijua enkas nga Besnik Sula për të marrë ARMO-n

“Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A” (IRTC) kompani e krijuar së fundmi nga Besnik Sula i Tajvanit siç e njohin të gjithë, mori në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO, që prej muajsh kishte ndërprerë prodhimin dhe kishte lënë punonjësit pa paga. Lajmi u bë i ditur më 1 shtator të vitit të kaluar nga prodhuesi i naftës Bankers Petroleum, që në një deklaratë për shtyp bëri të ditur nënshkrimin e një marrëveshjeje të kushtëzuar në tregun vendas me kompaninë në fjalë në bazë të së cilës Bankers do t’i shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto, shoqërisë së mikut dhe partnerit të Edi Ramës dhe të vëllait të tij Olsi Rama. Në këmbim të kësaj, siç deklaron edhe vetë Bankers, qeveria i ka dhënë të drejtën e shpimit kompanisë për tremujorin e katërt të vitit 2016, si dhe tërheqjen e një pjese të madhe të prodhimit të naftës të Patos-Marinzës, e cila i përket Albpetrol-it. Pra, Rama i ka siguruar lëndën e parë me naftë vendase Besnik Sulës, duke bërë një pazar me Bankers. Nafta e përpunuar nga ARMO me pronar të ri njëkohësisht do ta ketë të garantuar tregun e shitjes në vend. Edhe për këtë është kujdesur personalisht Kryeministri Rama. E gjithë flota automobilistike e shtetit do të furnizohet me këtë naftë, por leje pa kufi tregtimi kjo naftë do të ketë edhe për shitjen nga disa operatorë privatë të përzgjedhur. Për të garantuar fitimin gjigant që pritet nga kjo aferë e fundit, Rama i ka dhënë një kompanie tjetër offshore, “Ionian Gas”, të krijuar së fundmi po nga Besnik Sula, fushën më të madhe gazmbajtëse në vend, atë të Delvinës, për vetëm 12 milionë dollarë. Në qoftë se pazari i parë i qeverisë me Bankers është zbardhur, ende ngelet mister kompania e panjohur off shore turke, “Transatlantic Petroleum”, e cila i shiti kompanisë së Sulës, plot 75% të aksioneve të fushës gazmbajtëse, nga më të mëdhatë në Europë. Pavarësisht nga dyshimet e shumta dhe faktet që u nxorën në media për aferën gjigante të Ramës me Besnik Sulën, edhe sot e kësaj dite, pavarësisht se ka nisur puna, nga Ministria e Industrisë dhe e Ekonomisë nuk ka asnjë lloj informacioni se në çfarë marrëdhënie kontraktuale ka hyrë kjo kompani e re off shore “Rama-Sula”, me rafinerinë ARMO.

Në botë çmimi i naftës ulje deri në 50%, në Shqipëri njeh vetëm rritje

Shoqëria civile i ka nisur një propozim Kuvendit të Shqipërisë për të ulur nivelin e taksimit mbi naftën, që është arsyeja kryesore se pse çmimet e karburantit në vend janë ndër më të shtrenjtat në Europë. Ky propozim synon që të unifikojë 3 taksat e dedikuara në një taksë të vetme për naftën dhe ta ulë nivelin e taksimit duke e çuar atë në nivele të krahasueshme me rajonin. Në shkresën që “Nisma Thurje” i ka dërguar kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta, dhe gjithë krerëve të grupeve parlamentare, thuhet se një nga çështjet që kërkon vëmendje të menjëhershme nga ana juaj dhe e kolegëve tuaj është ajo e çmimit të karburantit për konsumatorët. Siç mund të jeni në dijeni, çmimi i karburantit në bursat ndërkombëtare ka pësuar një rënie të vazhdueshme, rënie e cila nuk është reflektuar fatkeqësisht në favor të konsumatorit. Ditën e mërkurë, dt.15.03.2017 tregjet ndërkombëtare e kuotonin naftën bruto me 52 USD/Barrelë. Ulja e çmimit në tregjet ndërkombëtare u shoqërua edhe me uljen e çmimit të shitjes së këtij produkti për konsumatorët në të gjithë botën. Ulja e çmimit të naftës për konsum ka variuar nga 25% deri në 50%. Ndërkohë që konsumatorët në të gjithë botën i janë gëzuar këtij oportuniteti, situata në Shqipëri qëndron pothuajse statike. Çmimi i karburantit pësoi vetëm një rënie prej 10% në fund të vitit të shkuar dhe tani është rikthyer në nivelet e mëparshme, paradoksalisht. Kjo situatë vjen si rrjedhojë e nivelit të lartë të taksimit të këtij produkti. Situata me taksimin mbetet problematike dhe kërkon ndërhyrje urgjente në legjislacion. Duke u bazuar në situatën aktuale të furnizimit të qytetarëve me nënprodukte të naftës, ku pjesa më e madhe e tyre importohen nga jashtë vendit,  efektivisht në këtë moment që po flasim, nafta dhe benzina taksohen nëpërmjet 3 taksave indirekte të dedikuara te modelit akcizor: Akciza e naftës = 37 lekë, taksa e qarkullimit = 27 lekë, taksa e karbonit = 3 lekë. Pra, në total taksimi i akcizës sot efektivisht arrin në 67 lekë për litër. Ndërkohë që përveç këtyre taksave të mësipërme aplikohet edhe taksë doganore në masën 10% të çmimit të blerjes dhe 0.73 lekë shkojnë për tarifën e ngjyrosjes. Në fund shtohet edhe vlera e TVSH në masën 20% të çmimit të shitjes. Një nivel i tillë taksimi është më i larti në rajon dhe nuk korrespondon me të ardhurat e shqiptarëve. Nga ana tjetër, cilësia e karburantit që tregtohet në vendin tonë vazhdon të mbetet një problem madhor për qytetarët duke e shndërruar debatin për çmimin në një çështje edhe më emergjente. Raportimet në të gjithë vendin tregojnë se nafta që tregtohet në pikat fundore përzihet me nënprodukte dhe niveli i parandalimit dhe ndëshkimit të këtij fenomeni është i ulët. Nisma ka propozuar disa amendime të ligjit të përgatitur nga ekspertët e saj. Ky propozim synon që të unifikojë 3 taksat e dedikuara në një taksë të vetme për naftën dhe ta ulë nivelin e taksimit duke e çuar atë në nivele të pranueshme për xhepat e shqiptarëve. Më konkretisht: Në DIREKTIVËN 2003/96/EC, Komisioni Europian ka përcaktuar kornizat e harmonizimit të strukturave të tarifimit akcizor të vendeve të Unionit. Bazuar në përcaktimet e bëra brenda kësaj direktive, ne propozojmë variantin e tretë, i cili konsiston në faktin që akciza e naftës, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit përmblidhen të tria në një taksë të vetme, e cila quhet taksa e karburantit. Taksa e karburantit është 46 lekë/litër, sa minimumi i parashikuar në direktivën 2003/96/EC të BE për taksat e nënprodukteve të naftës.

Artikulli paraprak463 miliardë lekë taksa do të paguajmë në 2017
Artikulli tjetërIsh-të përndjekurit-Nishanit: Mos dekreto xhelatin e diktaturës Xhafa