Kompania me 170 mijë euro borxhe fiton koncesionin 130 milionë USD

Ndër 9 kompani pjesëmarrëse në garë, Ministria e Shëndetësisë shpalli fitues të koncesionit të shërbimit laboratorik bashkimin e kompanive “Labopharma” Sh.p.k, me 41.7% të aksioneve & “Exalab France”, me 25%, & “AB Laboratory Solutions B.V” me 33.3% në Holandë, me përfaqësues “Labopharma” Sh.p.k, adresa: Rr. “Siri Kodra”. Lajmi u bë publik në Buletinin e Prokurimeve Publike.
“Labopharma” sipas ekstraktit të saj në QKB është krijuar në vitin 2007. Aksioneri i saj me 100% të aksioneve është Janis Karathano. Kompania ka si aktivitet tregtinë e produkteve farmaceutike, pajisjeve të laboratorëve etj. Në vitin 2015 qarkullimi i saj vjetor është rreth 137 mijë euro, ndërsa humbja është rreth 160 mijë euro po për atë vit, sipas bilancit zyrtar. Shoqëria ka qenë e pezulluar deri në gusht 2015 dhe më pas është bërë sërish aktive. Periudhën më të mirë e ka pasur në vitin 2009, kur deklaroi rreth 730 mijë euro xhiro dhe fitime prej 240 mijë eurosh, por më pas aktiviteti i saj ka ardhur në rënie dhe në fillim të vitit 2015 bëri kërkesën për pezullim, pasi në vitin 2014 kishte raportuar zero të ardhura.
Sipas bilancit të vitit 2015, aktivet e kompanisë ishin rreth 405 mijë euro, nga të cilat gati 80% ishin afatshkurtra, kryesisht të drejta të arkëtueshme. Në aktivet afatgjata, vlera e instalimeve dhe pajisjeve është 4 mijë euro dhe 76 mijë euro të tjera janë parapagime për aktive materiale dhe në proces.
Kapitali i saj është negativ prej minus 170 mijë euro, si rrjedhojë e bartjes së humbjeve në vite. Kompania nuk ka aktivitet të madh në fushën që ka fituar koncesionin, por e ka siguruar mbështetjen tek kompanitë partnere të huaja.
“Exalab France” është një grupim rajonal i laboratorëve të pavarur klinikë në Francë, sipas faqes së saj zyrtare në internet. Ajo ka 500 bashkëpunëtorë dhe teknika bakterologjike pararojë. Platforma teknike e laboratorëve të centralizuara është e pajisur me pajisje më efikase për të siguruar rezultate të besueshme, të shpejta dhe të saktë, sipas burimeve zyrtare.
Ndërsa për kompaninë “AB Laboratory Solutions B.V.”, me seli në Holandë nuk ka të dhëna në internet, përveç adresës.
Dy kompanitë “AB Laboratory Solutions B.V.” dhe “Exalab France” ende nuk janë regjistruar në QKB.
Vlera e koncesionit është 100 milionë dollarë për 10 vite.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se, kanë qenë pjesëmarrës në procedurë këta ofertues me vlerat përkatëse të ofruara:
“Acibadem Saglik Hizmetleri ve Ticaret A.S” (%51) & “Acibadem Labmed Saglik Hizmetleri A.S” (%49); (Turqi), vlera 4.80% zbritje nga çmimi i listës së testeve.
“American Hospital” Sh.a (AL), vlera nuk u paraqit.
“Biometric Albania” Sh.p.k (AL), vlera nuk u paraqit.
“Montal” Sh.p.k (AL), vlera nuk u paraqit.
“Genius” Sh.p.k (AL), vlera 15% zbritje nga çmimi i listës së testeve.
“Mentermedica Center” Sh.p.k (AL) (%66) dhe “Bioiatriki” (Biomedicine) Sh.a (%34) Greqi, vlera 5.70% zbritje nga çmimi i listës së testeve.
“Labopharma” Sh.p.k (AL) (%41.7) & “Exalab France” (%25) & “AB Laboratory Solutions B.V.” (%33.3) Holandë, vlera 10.70% zbritje nga çmimi i listës së testeve.
“Fedos” Sh.p.k (AL), vlera nuk u paraqit.
“Krijon” Sh.p.k (AL), vlera nuk u paraqit. Janë skualifikuar.
Ofertuesit e mëposhtëm: 1. “Fedos” Sh.p.k (AL); 2. “American Hospital” Sh.a (AL); 3. “Biometric Albania” Sh.p.k (AL); 4. “Montal” Sh.p.k (AL); 5. “Genius” Sh.p.k (AL); 6. “Krijon” Sh.p.k (AL):
Arsyet e Skualifikimit:
Referuar procedurës së garës Ministria e Shëndetësisë lajmëron “BOE Labopharma” Sh.p.k & “Exalab Francë” & “AB Laboratory Solutions B.V.” Holandë, me përfaqësues “Labopharma” paraqiti ofertën më datë 27.02.2017 për “Koncesionin/Partneritetin Publik Privat për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës, është pranuar.
Negocimi i kontratës së koncesionit nuk do të zgjasë më shumë se 60 ditë. Ofertuesi “BOE Labopharma” Sh.p.k (AL) (%41.7) & “Exalab France” (%25) & “AB Laboratory Solutions B.V.” (%33.3) Holandë, kërkohet t’i paraqesë Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës të Shqipërisë, brenda 15 ditëve kopje të nënshkruar të shtojcës.
Ofertuesi “BOE Labopharma” Sh.p.k (%41.7) & “Exalab France” (%25) & “AB Laboratory Solutions B.V.” (%33.3) Holandë, kërkohet t’i paraqesë Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës të Shqipërisë, brenda 30 ditëve vërtetim bankar që kostot e lidhura me publikimin e njoftimit të kontratës prej 357,330 (treqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e treqind e tridhjetë) lekë janë paguar sipas paragrafit 1.15 kostot, të dokumenteve të procedurës konkurruese.

Do të përdoren ambientet ekzistuese të spitalit me laboratorë modernë

Është shpallur njoftimi i kontratës për koncesionin 130 milionë dollarë, po cilat janë detajet nga marrëveshja-tip me kushtet që Ministria e Shëndetësisë kërkon të plotësohen nga kontraktuesi.
Koncesioni do të zgjasë 10 vjet në vlerën 13,005,966,000 lekë të reja (trembëdhjetë miliardë e pesë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë lekë pa TVSH). Po kështu kompania që do të fitojë një nga projektet më të mëdha ka të drejtë të marrë në punë punonjësit që i gjykon si të arsyeshëm. Data e fundit kur kompanitë mund të dorëzojnë ofertat e tyre për 18 spitalet është parashikuar 15 shkurti i 2017-ës.
Po si do të bëhet vlerësimi? Ministria e Shëndetësisë, me në krye drejtorin e Prokurimeve, Investimeve dhe Koncesioneve, Raimond Cimbi kanë parashikuar që pikët të fitohen në këtë mënyrë: 10 pikë për rrjetin laboratorik bashkëqendror (hub and spoke) dhe sistemin e Informacionit Laboratorik dhe Sistemi i Logjistikës, 15 pikë për planin e zbatimit të projektit dhe riinvestimi, 10 pikë burimet njerëzore dhe plani i trajnimit dhe 15 pikë plani i objekteve dhe pajisjeve, qasja e mirëmbajtjes dhe strategjia e zëvendësimit gjatë afatit të kontratës. 60 pikëshit do t’i shtohet edhe 40-pikëshi i ofertës ekonomike.
Te marrëveshja qeveria ka shkruar e zeza mbi të bardhë disa detaje që vërtet tërheqin vëmendjen siç është parashikimi i “Forcës Madhore Politike”, e cila nuk ka të bëjë me “Forcën Madhore Natyrore”- tërmete, fatkeqësi natyrore…por me mbrojtjen e koncesionit në rast të vendimeve politike.
Le të njihemi me detaje me disa nga pikat më të rëndësishme të kësaj marrëveshje që pritet të lidhet me kompaninë apo bashkimin e kompanive që qeverisë do t’i duket më e volitshme.
“Lokale” është termi që përdoret në marrëveshje dhe që ka të bëjë me pozicionimin e laboratorëve. Siç shihet edhe te dokumentet koncesionari ka të drejtë të përdorë ambientet ekzistuese laboratorike në spitale. Në marrëveshje përcaktohet raporti i koncesionarit me punonjësit aktualë të laboratorëve, çmimet e analizave dhe afatet e daljes së rezultateve.

Artikulli paraprakMediat e huaja: Shqipëria ngrihet në protesta për zgjedhje të lira
Artikulli tjetërNga financa në Elysee