Komisarin Artan Cuku e vrau shteti, Rama e braktisi

Shoqata ‘Policët në Lirim’ ka reaguar pas arrestimit të 24-vjeçarit Mikel Shallari, pak ditë më parë si i dyshuar për vrasjen e komisarit Artan Cuku në prill të këtij viti, pranë banesës së tij në kryeqytet. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, ‘policët në lirim’ shprehen se, Artan Cukun e vrau shteti dhe se ai nuk është vrarë për motive gjakmarrje, por për shkak të detyrës. Gjithashtu në deklaratë thuhet se, Policia politike e ish-ministrit Saimir Tahiri tentoi të shiste këtë ngjarje të rëndë të ndodhur për motive gjakmarrjeje.
“Artan Cukun e vrau shteti! Hetimi mbi vrasjen e oficerit Artan Cuku u zbardh. Ne kemi deklaruar që nga dita e ekzekutimit e në vazhdimësi se vrasja ndodhi për shkak të detyrës dhe vetëm për shkak të detyrës. Asnjë motiv gjakmarrjeje nuk ekzistonte.
Shteti policor dhe Policia politike e ish-ministrit Saimir Tahiri tentoi dëshpërimisht deri edhe kur u evidentua autori ta shiste këtë ngjarje të rëndë të ndodhur për motive gjakmarrjeje. Sepse kështu mund të justifikonte pseudoreformat që ndërmori në 2013 në strukturat e Policisë së Shtetit, duke braktisur dhe hedhur në rrugë qindra oficerë të kualifikuar për t’i zëvendësuar me militantë partie, me militantët e drogës. Viktimë e këtyre pseudoreformave mbeti edhe oficeri i jashtëzakonshëm Artan Cuku, veçse ky rezultoi viktimë fatale.
Pas 20 vitesh karrierë policore, Artan Cuku e pa veten në rrugë, i braktisur nga shteti që i shërbeu devotshmërisht, nga struktura policore për të cilën ai sakrifikoi dhe u përball çdo ditë me krimin dhe kriminelët. Nuk mbeti me kaq, Shteti policor dhe Kryministri Edi Rama e braktisën edhe gjatë përcjelljes së tij nga kjo jetë. Kryeministri Rama nuk gjeti kurajon për të përcjellë asnjë ngushëllim, asnjë ndjesë apo përgjegjësi si kryetari i shtetit e më keq akoma, nuk lejoi t’i kryheshin homazhet ashtu siç i takonte dhe meritonte si një Drejtues i Lartë i Policisë së Shtetit në institucionin qendror të Policisë së Shtetit.
Artan Cuku, Drejtues i Lartë i Policisë së Shtetit, me 20 vjet përvojë pune përfshirë arsimimin policor, i cili ka iniciuar, drejtuar dhe menaxhuar hetime të rëndësishme në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, në Qarqet Berat, Durrës, Fier, Tiranë, Vlorë etj. Artan Cuku ishte një dorë e hekurt në luftën kundër kriminalitetit”, thuhet në njoftimin për shtyp. Shoqata e policëve në lirim falenderon Prokurorinë dhe strukturat e veçanta të Policisë së Shtetit të angazhuara për hetimin deri në zbardhjen e së vërtetës.

Artikulli paraprakLirohet komandanti i RENEA-s, pas publikimit të skandalit nga Berisha
Artikulli tjetërRama do shkarkojë Metën nga President, Meta: Rama, fatkeqësi