Kokëdhima-Ramës: Boll vodhe vota, votim elektronik

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima i është bashkuar gjithashtu kauzës së opozitës dhe partive të vogla për aplikimin e votimit elektronik në zgjedhjet e 18 qershorit 2017.
Gjatë një takimi me socialistë të Tiranës ditën e djeshme, Kokëdhima kërkoi nga politika që t’i jepet fund vjedhjes së votave.
“Nga manipulimet e zgjedhjeve fiton vetëm kasta sunduese. Këta politikanë nuk i mundësojnë dot akoma Shqipërisë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Udhëheqësit e majtë në vend që të distancoheshin nga kultura e vjedhjes së zgjedhjeve i vajtën pas, dhe të dy palët rafinuan një sistem të manipulimit të zgjedhjeve ku populli voton dhe kryetarët numërojnë  votat. Pastrimi i zgjedhjeve kërkon votim elektronik në qendrat e votimit, numërim elektronik, administratë zgjedhore jo partiake, lejimin e emigrantëve për votim, kontrollin e plotë të financimit të zgjedhjeve për të kriminalizuar dhe dënuar ashpër çdo shkelje në procesin elektoral, shitjen dhe blerjen e votës, trafikimin dhe tjetërsimin”, tha Kokëdhima.
Kokëdhima u shpreh gjithashtu se nuk do të largohet në asnjë parti tjetër, por do të qëndrojë në PS dhe do të forcojë lëvizjen e tij.
“Lëvizja jonë nuk mund të izolohet. Partia e udhëheqjes është përpjekur ta likuidojë këtë reformë dhe këtë lëvizje reformuese, ka shantazhuar qindra e mijëra socialistë. Askush nuk duhet të trembet”, u shpreh ish-deputeti.

Artikulli paraprakNë charterin e Bashkisë edhe Dabulla i Artës
Artikulli tjetërCruz fton Bashën, këshilla për korrupsionin e drejtësinë