Koka e Ramës në tepsinë e krimit

Nga shqiptarët në Sheshe, tek zbarkimi amerikan. Çfarë paralajmëroi dje Basha në Parlament me shprehjet “laku sa ka filluar të të ngushtohet”, “do t’ia dëgjosh krismën shumë shpejt” dhe “komuniteti ndërkombëtar të ka në rreth të kuq”…

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka paralajmëruar Ramën dje në Parlament se dita e largimit të tij nga pushteti është e afërt. Zbardhja e lidhjeve të Ramës me krimin, trafikun, inkriminimi i qeverisë, administratës, pushtetit vendor, pushteti që i ka dhënë krimit e me të cilin ai sot mban postin e kryeministrit shumë shpejt do të marrin fund deklaroi Basha. Kreu i PD deklaroi se një qeveri që mban pushtetin me vota të vjedhura, të blera e të manipuluara nuk është qeveri e popullit e as e qytetarëve, por e krimit dhe korrupsionit.
Ai u bëri dje thirrje partnerëve ndërkombëtarë se Rama nuk do të mundet dot kurrë të luftojë as krimin e as korrupsionin, sepse ai është i lidhur ngushtë me ta, e falë të cilëve ai sot është në krye të pushtetit.
“Shqiptarët janë me të drejtë të mërzitur nga ky Kuvend. Sepse ky Kuvend ka 4 vite që është skenë e një fenomeni psikik. I një njeriu që karakterizohet jo thjesht dhe vetëm nga mungesa totale e përgjegjshmërisë politike, por edhe asaj njerëzore. Sot duhej të flisnim për zgjedhjet, sot duhet të flisnim për problemin numër një të zgjedhjeve që është shit-blerja e votës. Për mekanizmin se si blihet vota e shqiptarëve, se si dhunohet vota e shqiptarëve, që është krimi i organizuar.
Faktet, provat e lidhjes së Edi Ramës me krimin e organizuar janë botërisht dhe mediatikisht të njohura. Ky nuk i ikën dot me argumente dhe ka zgjedhur të bëjë atë që bëri edhe në zgjedhjet e fundit, batuta, tallje, dërdëllitje, dokrra hini. Vetëm llogaridhënie jo.
Në fakt, nuk ua ka borxh shqiptarëve se nuk është aty me votën tuaj. Eshtë me mbështetjen e atyre, pa të cilët, ky njeri nuk është asgjë, është me mbështetjen e krimit të organizuar. Partnerët ndërkombëtarë i kërkojnë luftë krimit. Unë u them partnerëve ndërkombëtarë, nuk e bën dot. Peshqit e mëdhenj nuk i kap dot peshku më i madh.
Kur ai që duhet të kapë peshqit e mëdhenj, kur vetë peshkatari është peshku më i madh, nuk ka shpresë të bëjë atë që kërkoni ju, atë për të cilin ka më shumë se kurrë nevojë Shqipëria. Sepse numri një, në atë listë, është vetë ky njeri.
Nuk e kapën prej xhakete, i gjeti ky, i gërmoi, i bëri pjesë të partisë së tij, i bëri deputetë në këtë Kuvend, i bëri kryetarë bashkish, i ka drejtorë në administratë. Janë njerëzit që bëjnë emërimet, nuk pyesin as për ty që qesh. Ti e di fare mirë. Për emërimet, për tenderat, për ministrat.

Partnerët kanë dëgjuar kritikën e Bashës

Partnerët ndërkombëtarë tashmë janë ndërgjegjësuar, ndërsa i kanë dhënë të drejtë opozitës në shqetësimet e ngritura mbi mungesën e vëmendjes së tyre ndaj asaj që po ndodh në Shqipëri me krimin e drogën. Ndërgjegjësim ky që është përkthyer në reagime të forta ndaj qeverisë.
“Partnerët ndërkombëtarë e kanë dëgjuar edhe kritikën time, pavarësisht se me vonesë. Kritika ime ishte e drejtë se për shkak të pakujdesisë, mungesës së vëmendjes dhe të ndonjë rasti korrupsioni që ti e ushtron me zhage dhe me llogari bankare, vinin këtu dhe na flisnin për farëra, për peshq dhe për zogj, por vetëm drogën nuk e shikonin.
Dhe natyrisht, për një sjellje të tillë, nuk ka shprehje më të përshtatshme në anglisht se sa: Bullshit.
But bullshit is over.
Komuniteti ndërkombëtar të ka në rreth të kuq. Ti e ke mbuluar Shqipërinë me drogë. Ky është një projekt politik për të sunduar me bandat e krimit. Laku sa ka filluar të të ngushtohet. Ata do të bëjnë punën e tyre, ti do të bësh punën tënde.
Nuk është në dorë të tyre, për fat të mirë nuk është as në dorën tënde, as të pakicës, pakicës së kriminelëve, me të cilët qeveris.
Eshtë në dorën e shumicës së heshtur të shqiptarëve që të mos marrin rrugën për në aeroport, por të marrin rrugën nëpër sheshe, të marrin rrugën për në këtë Parlament, të marrin rrugën për atë seli qeverie aty, dhe të mos qëndrojmë në çadër të lirisë, por të të marrin përpara, ty dhe klikën tënde të inkriminuar. Kjo është zgjidhja e vetme. Ti ke mundësi ta ndalosh këtë, ta kam thënë që në seancën e parë”.

 

Artikulli paraprakÇfarë u paralajmërua në Parlament?
Artikulli tjetërFaqja e pare