“Koha për të menduar djathtas”

Ardit GJINALI

Diskutimi mbi efektivitetin e parimeve kryesore të ideologjisë së të djathtës mund të ngjasojë në tipare abstrakti përballë vakuumit thelbësor demokratik që po përjeton shoqëria shqiptare ; vakuum që thellohet në funksion të emergjencës demokratike. Vendi po përjeton statusin e një gjendjeje të emergjencës demokratike; institucione të munguara, marrëveshje politike të prishura, deformim i vazhdueshëm i vullnetit qytetar, keqqeverisje e shoqëruar me mungesën tërësore të llogaridhënies dhe transparencës.; papunësi dhe varfëri në rritje; kufizim tërësor i lirive ekonomike si parathënie për kufizimin dhe të të tillave politike, gjithashtu.
Largimi i gjendjes së emergjencës demokratike dhe mbushja e vakuumit demokratik që frenon autokracinë mbetet një sfidë thelbësore; e tilla që fitohet duke mos humbur dhe rrëzuar pritshmëritë e të jetuarit në një shoqëri normale, si qytetarë normal dhe me një qeverisje normale, gjithashtu.

Diskutimi mbi parimet e ideologjive sot , zbatueshmëria e të cilave përbën boshtin e një qeverisjeje normale nesër është thelbësor; – një shoqëri që hesht së diskutuari mbi ideologjitë dhe parimet e ndryshme politike shënon pushimin e së ekziktuarit efektiv të saj; lëshon terrenin e lirë politik për lindjen dhe zhvillimin e qeverisjeve politikisht anomalike ; të tillat që influencojnë dhe në shndërrimin e sistemit në një demokraci hibride, gjithashtu. Shqipëria po klasifikohet si e tillë, “një demokraci hibride” , ku raporti i Freedom House i publikuar më Maj 2020, i titulluar “ Kombet në ndryshim 2020- rënia e fasadës demokratike” nuk është shumë i largët në kohë; e klasifikonte Shqipërinë vetëm 47 % demokratike me 3.82 pikë nga 7 të mundshme për progresin demokratik, lirinë dhe të drejtat e njeriut, gjithashtu.

Emergjenca demokratike thellohet me spiralen negative të keqqeverisjes e cila si një rrjetë e thellë merimange po tenton helmimin e çdo qelize të shëndetëshme shoqërore; përmes inspirimit të praktikave negative të qeverisjes si korrupsioni sistematik, nepotizmi, evokimi i parimit të barazisë së rremë shoqërore, qasja armiqësore ndaj biznesit përmes taksimit të padrejtë , goditja ndaj tregut të lirë përmes injektimit të parasë nga burime të dyshimta , goditja ndaj kapitalit dhe evokimi i ndasive shoqërore përmes sponsorizimit të propagandës negative ndaj sipërmarrjes.
Qeveria e vogël, taksa e sheshtë, barazia e shanseve, liria individuale si bazë për lirinë shoqërore, qasja pozitive dhe mbështetëse ndaj sipërmarrjes, vlerësimi real i fuqisë dhe magjisë së tregut, dimensioni njerëzor ndaj fuqisë punëtore, mbështetja thelbësore ndaj të pamundurve përbëjnë disa nga elementët kryesorë që do të ndërtonin një shoqëri të drejtë larg parimit të gënjeshtërt dhe propagandistik të barazisë që thellon pabarazinë dhe godet drejtësinë sociale, gjithashtu. Realiteti dhe dinamika negative e zhvillimeve negative të së sotmes imponon pozitivisht zhvillimin e një qasjeje pozitive ndaj parimeve të shkruara më lart; parime të mirëqeverisjes që sjellin dhe garantojnë lirinë e shoqërisë dhe hapjen e individit.

Sot po goditen të arriturat e individit të lirë, i tilli që performon suksesshëm pavarësisht influencave të pushtetit; goditje që reflektohet në taksimin e padrejtë progresiv të punës së të njëjtit duke shkaktuar qëllimshëm shkurajimin dhe goditjen e modelit qytetar të të punuarit meritor dhe të ndershëm. Taksimi djallëzor është qëllimi për thellimin e pabarazisë shoqërore dhe dobësimin në kufijtë e mos-ekzistencës së shtresës së mesme ; goditja ballore jo vetëm ndaj konceptit teorik të individit , por gjithashtu si një goditje ndaj lirisë individuale që është temjani për djallëzinë politike të keqqeverisjes që tenton instalimin e autokracisë.

Errësira autokratike e së sotmes nuk mund të shkurajojë vizionin e sotëm për të nesërmen e një Shqipërie normale; një Shqipëri e ditëve më të mira që mund të kultivojë një mendësi ndryshe të bazuar mbi parimet e lirisë në çdo dimension të saj; mbi parimet e mirëqeverisjes dhe barazisë përpara ligjit, për një Shqipëri ku shtresa e mesme duhet të jetë lokomotiva që inkurajon zhvillimin ekonomik dhe zvogëlon pabarazinë.

Artikulli paraprakNga “Thellësia strategjike” tek “Atdheu blu”: Evolucioni i mendimit strategjik turk
Artikulli tjetërNxori videon e Nancy Pelosit, mblidhen 300 mijë dollarë për pronaren e sallonit të bukurisë per 5 ditë