Kodi +383, i Kosovës apo i Serbisë?!

Edhe eksperti i telekomunikacionit, Agron Dida, dikur udhëheqës i Post Telekomit të Kosovës, e ka quajtur kodin e ri si sukses për Kosovën. “Kjo është një ngjarje e madhe për lëmin e telekomunikacionit dhe për Kosovën si shtet që duhet ta përshëndesim të gjithë. Ky është një sukses, një arritje, duke pasur parasysh qëndrimet tejet të ngurta dhe anakronike të diplomacisë serbe. Ky më të vërtetë është sukses. Mendoj që është sukses edhe për palën serbe, në aspektin e asaj që po fillojnë ta pranojnë Kosovën si shtet”, thotë Dida për Radion Evropa e Lirë.
Por, ndryshe po komentohet kjo marrëveshje nga zyrtarët në Beograd. Drejtori për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka deklaruar se, “marrëveshja mundëson funksionim të papenguar të “Telekomit të Serbisë” në Kosovë dhe se prona e tij transferohet në kompaninë “MTS. d.o.” që do të punojë në Kosovë me licencë të përkohshme”.
Më pastaj, sipas tij, në bazë të tenderit, do të fitojë edhe licencën e punës si operatori i tretë në Kosovë.
Për dallim nga pala e Kosovës në bisedimet e Brukselit, Gjuriq ka deklaruar se kodi +383 i takon Serbisë dhe vetëm i ndahet Kosovës si rajon gjeografik.
“Ky kod është gjeografik dhe nuk është shtetëror. Zyrtarët në Prishtinë dhe disa në Beograd gënjejnë kur thonë se ai është shtetëror, pasi që ai është kod shtesë i Serbisë, dhe si i tillë është kod gjeografik dhe jo shtetëror i Kosovës”, ka thënë Gjuriq.
Përderisa kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet e Brukselit, ministrja Edita Tahiri kishte deklaruar se “Kosova do ta ketë kodin e vet telefonik sikur edhe shtetet tjera dhe do të ketë sovranitet të plotë për kodin e vet telefonik, ndërsa të gjitha kodet e tjera që janë përdorur deri më tash (381, 377, 386) do të largohen nga përdorimi”.
Marrëveshja e telekomit ishte nënshkruar nga palët në bisedimet e Brukselit qysh në vitin 2013. Kurse, plani i veprimit ishte nënshkruar në vitin 2015, ku parashihej që një operator i telefonisë mobile të ketë një autorizim të përkohshëm dhe të limituar për të operuar në zona të kufizuara.
Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Kreshnik Gashi, thotë tutje se duke u bazuar në këtë marrëveshje do të kenë një operator, i cili përkohësisht do të veprojë në bazë të marrëveshjes ndërkombëtare, në një pjesë të caktuar të territorit të Kosovës.
Sipas tij, ky operator nuk do të veprojë më gjatë se dy vjet, kur edhe pritet që të hyjë operatori i tretë në Republikën e Kosovës.
“Tash të gjitha operimet ilegale të Serbisë që janë në Kosovë do të mbyllen. Ndërsa do të ketë mundësi që si rezultat i moskrijimit të pengesave të shfrytëzuesit që i kanë shfrytëzuar këto operime ilegale të ketë një licencim të një operatori të kufizuar dhe limituar edhe në kohë edhe në përfshirje gjeografike, i cili do të ofrojë shërbime për këta qytetarë, deri në hyrjen e operatorit të tretë”, thotë Gashi.

Artikulli paraprakKy nuk është Kryeministri ynë
Artikulli tjetërShqiptari kapet me 25 kg heroinë e kokainë