Klubet shqiptare në Europë

Vetëm Skënderbeu do të jetë i pozicionuar në vazon e parë, pra, në atë të skuadrave favorite në shortin që do të hidhet në datën 19 qershor në Nyon të Zvicrës, nga 4 klubet shqiptare që do të marrin pjesë në edicionin 2017-2018 të kupave të Europës. Edhe nëse do të merrnin pjesë në turin e dytë të UEFA Champions League për shkak të koeficientit të lartë që kanë korçarët do të pozicionoheshin në vazon e ekipeve favorite. Por këtë fat nuk do ta ketë Kukësi që pavarësisht ecurisë së mirë që ka patur në Europa League gjatë 5 sezoneve të fundit ka një koeficient ende të ulët, vetëm 4,575.
Verilindorët e Ernest Gjokës me shumë gjasa do të peshkojnë një skuadër shumë të fortë në shortin e 19 qershorit pasi bëjnë pjesë në vazon e dytë. E vetmja skuadër e kalueshme është kampionia e Islandës, Hafnarfjorour, sepse të gjitha ekipet e tjera kanë një shkallë shumë të lartë vështirësie për t’u eliminuar. Objektivi i presidentit Gjici është të kalojë turin e dytë paraeliminator për të siguruar minimalisht pjesëmarrjen në play offin e Europa Leagues, por misioni do të jetë shumë i vështirë për Kukësin. Kampionët e Shqipërisë mund t’i luajnë shanset e tyre edhe ndaj moldavëve të Sherifit të Tiraspolit apo edhe ndaj Astanas, Rijekas, Malmos, Rosenborgut, Mariborit e Partizanit të Beogradit, por do të jetë shumë e vështirë, ndërkohë që verilindorët shpresojnë të mos përballen kurrsesi me skuadra të tilla si Celtic Glasgoq, Red Bull Salzburg, Fc Copenhagen, Ludogorets, Legia e Varshavës e Qarabag skuadra që kanë shumë eksperiencë në kupat e Europës.
Në Europa League parashikohet një mision shumë i thjeshtë kalimi i turit të parë për Skënderbeun që nëse kualifikohet do të jetë në vazon e parë edhe në shortin e turit të dytë. Korçarët kanë një koeficient goxha të lartë dhe në raundin e parë kualifikues të këtij kompeticioni mund të peshkojnë edhe skuadra nga San Marino, Gjibraltari, Andorra, Irlanda e Veriut e Malta, ndërsa mund të përballen edhe me Prishtinën që debuton në këtë kompeticion. Rreziku më i madh për klubin korçar është Shkëndija e Tetovës. Kuqezinjtë janë një nga skuadrat më të forta që pozicionohen në vazon e dytë. Short më i vështirë në letër parashikohet për Partizanin dhe Tiranën. Dy klubet e kryeqytetit kanë koeficient të ulët dhe mund të përballen me emra të mëdhenj të futbollit europian që në turin e parë. Për të shpresuar te kualifikimi në raundin tjetër, të kuqtë dhe bardheblutë duhet të evitojnë me çdo kusht skuadra të tilla si izraelitët e Maccabbit të Tel Avivit, danezët e Midtjylland, bjellorusët e Dinamo Minsk, finlandezët e Helsinikit, suedezët e Aik-ut të Stockholmit apo edhe serbët e Vojvodinës dhe Crvena Zvedës, ndërsa kundërshtarë të vështirë për t’u kaluar konsiderohen edhe ekipe të tilla si Videotoni, Ael Limasolit, Aek Larnaca, Slovan Bratislava, Altach dhe St Johnstone. Për momentin është e vështirë të thuhen emra konkretë të rivalëve të mundshëm, pasi vetëm në turin e dytë kualifikues të Champions dhe në raundin e parë të Europa League, UEFA bën një ndarje gjeografike paraprake, e cila përcaktohet vetëm pak orë përpara hedhjes së shortit.

Artikulli paraprakTaksat, Shqipëria në disavantazh me rajonin
Artikulli tjetërKandidati i PD Isaku fitore bindëse në Dibër