KLSH zbulon skandalin me Check Up: Rama i dha Vilmës 4.7 milionë euro për kontrolle të pakryera

Skandali i koncesionit të Check Up merr përmasa edhe më të mëdha. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se qeveria shqiptare i ka paguar kompanisë konçesionare 4.7 milionë euro për kontrolle të pakryera. Gjetjet kanë dalë pas auditimit të faturave që Fondi i sigurimit të Detyrueshëm ka likujduar për llogari të kompanisë 3P Life Logistics.
“Në total konçesionari ka përfituar në mënyrë të padrejtë në 455 mijë raste koston fikse të kontrolleve të pakryera për këtë shërbim, si dhe tvsh-në e të gjitha faturave” thuhet në raportin e KLSH-së.
Sipas auditit, në total kompania koncesionare ka kryer 890 mijë kontrolle për periudhën 2015-2017. Por qeveria shqiptare ka likujduar pagesën për 1 milionë e 345 mijë kontrolle ose 455 mijë kontrolle më shumë se sa janë kryer realisht.
“Në total vlera e parregullsive përllogaritet në shumën 595.8 milionë lekë,” thuhet në raportin e KLSH-së, para të cilat i janë paguar në mënyrë të jashtëligjshme kompanisë konçesionare. Shifra prej 595.8 milionë lekësh ose 4.7 milionë euro është paguar tepër për periudhën tre vjeçare 2015-2017, ndërkohë që qeveria ka vazhduar të paguajë për kontrolle të pakryera edhe gjatë këtij viti.
Pagesa nga buxheti për shërbime të pakryera përbën një skandal të paprecedentë për financat e shtetit.
Kjo është njësoj sikur qeveria të paguajë para për rrugë që nuk ndërtohen, apo punë të tjera publike që nuk kryhen. Por edhe pse ky është një veprim plotësisht i jashtëligjshëm, prokuroria nuk ka nisur asnjë hetim, edhe pse qeveria vazhdon të shpenzojë paratë e taksapaguesve për shërbime që nuk kryhen.
Kontrolli Mjekësor Bazë, i njohur ndryshe si koncensioni i Check-up ka rezultuar një dështim total sa i përket numrit të kontrolleve të përcaktuara në kontratë. Edhe pse fasha e detyrueshme e kontrolleve është rritur duke ulur moshën nga 40 në 35 vjeç, numri i kontrolleve ka ardhur në rënie nga viti në vit. Por edhe pse numri i kontrolleve ulet, qeveria vazhdon të paguajë për një shifër fikse prej 475 mijë kontrollesh në vit, ndërkohë që vitin e kaluar kompania bëri vetëm 310 mijë check up-e.

Artikulli paraprakTre pikëpyetjet që nxjerrin bllof hetimin e prokurorit Gent Osmani për vëllanë e ministrit Xhafaj
Artikulli tjetërRama: Ja kompania ku mund të luani baste dhe që do arkëtojë 150 miliardë lekë