KLSH: Thellohet deficiti në skemën e Sigurimeve Shoqërore

Raporti Kontribuues-Përfitues vazhdon të mbetet i përkeqësuar në nivelet 1 me 1.11 dhe larg treguesve të një skeme të shëndoshë sigurimesh, ndërsa deficiti i degës së pensioneve rezulton i lartë. Ky është përfundimi i KLSH, në bazë të auditimeve të kryera në këtë sektor përgjatë vitit të shkuar…
Në një raportim për Kuvendin, KLSH tregon se ky konkluzion në fushën e sigurimeve shoqërore është dhënë pas verifikimeve të marra nga DPT, Drejtorive Rajonale të Degëve Tatimore, Inspektorateve të Punës si dhe Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Raporti tregon se mes këtyre institucioneve nuk ka bashkëpunim, koordinim, shkëmbim informacioni për këtë qëllim (sigurimeve shoqërore).
“Për rrjedhojë nga indiferentizmi i këtyre institucioneve i krijohet buxhetit të shtetit një shmangie vjetore e madhe në kontribute, fakt që sjell thellim vit pas viti të deficitit të kësaj skeme”, thekson raporti i KLSH.
KLSH rekomandon ndërhyrje të menjëhershme në drejtim të rritjes së monitorimit, realizimin e të ardhurave nga ana e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, si dhe të përgatiten edhe skenarë plotësues, nëse vihet re që skema nuk po reagon siç duhet me reformën e realizuar. Miradministrimi, nga ana tjetër, sugjerohet si mjeti më i mirë që do të sjellë kthesën në këtë skemë.
“Kemi kërkuar realizimin e komunikimeve publike dhe periodike për nivelet e kontribuuesve në skemë shoqëruar me treguesin e raportit përfitues/kontribuues, duke synuar që të dhënat e publikueshme dhe transparenca për publikun të bëhet duke analizuar rritjen e kontribuuesve në skemë bazuar në sektorët nga vjen kjo rritje, pra në kontribuues nga sektori publik, privat dhe të vetëpunësuar në bujqësi, çka do të mundësonte një perceptim të drejtë dhe në kohë për faktin nëse skema është duke rikuperuar numrin e kontribuuesve që rezulton se mungon po t’i referohemi të dhënave të nivelit të forcave të punës së deklaruar nga Instituti i Statistikave”, thekson raporti.
KLSH në fund ka sugjeruar që të shikohet mundësia e përcaktimit të politikave të diferencuara fiskale, për të stimuluar veçanërisht derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të çdo të punësuari apo vetë-punësuari.

Artikulli paraprakProkuroria: Banda e Shullazit ka kryer 6 vepra penale në 15 raste
Artikulli tjetërAK: Të ndryshojnë tarifat fikse për prodhuesit e energjisë