KLSH: Mungojnë 720 milionë euro në dy vite

720.5 milionë euro në dëm të buxhetit të shtetit janë konstatuar në raportin e fundit të auditit të KLSH. Kontrolli i Lartë i Shtetit prezantoi Buletinin e Tretë Statistikor për vitin 2017, i cili përmbledh rezultatet e të gjitha auditimeve të kryera prej tij në periudhën janar-shtator 2017. Nëntë muaj punë të audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë sjellë një raport skandaloz me abuzimet e kryera nga qeveria në 2 vite me paratë e taksapaguesve.
Në këtë buletin përfshihen dëmi ekonomik i konstatuar, të ardhurat e munguara dhe shpenzimet e kryera jo në përputhje me parimet e efektivitetit, eficiencës dhe ekonomicitetit (3E), masat disiplinore dhe administrative të rekomanduara, rekomandime për ndryshime apo përmirësim të legjislacionit, si edhe kallëzimet penale të përcjella në Prokurori. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer auditime për periudhën 2014-2016 ku konstatohet se shitja dhe blerja e pasurive shtetërore kanë pasur edhe abuzimet më të mëdha me fondet e ndjekura nga doganat dhe tatimet. Viti 2016 rriti me të paktën 41% borxhin tatimor dhe doganor së bashku me borxhin në skemën e sigurimeve shoqërore gjatë 2016-s në raport me një vit më parë. Është ky konstatimi i bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në buletinin e auditimeve për periudhën janar-shtator 2017. Për periudhën janar–shtator 2017, Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga 124 auditime të planifikuara ka kryer dhe ka vijuar me përgatitjen e materialeve për 136 auditime, ose 10 për qind më shumë se parashikimi. Sipas llojit, auditimet e përfunduara për këtë periudhë janë 90. Prej tyre, 69 janë auditime të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë, 6 janë auditime përputhshmërie, 7 auditime financiare, 6 janë auditime performance dhe 2 janë auditime të teknologjisë së informacionit. Auditimet kanë siguruar mbulueshmëri të lartë të veprimtarisë dhe institucioneve kryesore të shtetit. Nga auditimet e realizuara gjatë periudhës janar–shtator 2017 janë vërejtur parregullsi dhe shkelje financiare që i përkasin periudhës objekt auditimi 2014-2016. Më konkretisht, institucioni ka konstatuar parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera nga institucionet shtetërore të audituara, me dëm ekonomik në shumën totale prej 9,226 milionë lekësh (69 milionë euro), nga e cila ka rekomanduar për shpërblim dëmi shumën 5,601.6 milionë lekë. Vlera 2,864.5 milionë lekë është pagesë e kryer nga OSHEE për CEZ A.S. dhe vlerësohet si dëm ekonomik pa mundësi arkëtimi. KLSH po ashtu ka konstatuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 86,961 milionë lekësh ose afërsisht 651,3 milionë euro, nga të cilat 81,244 milionë lekë në fushën e të ardhurave ose rreth 608,5 milionë euro dhe 5,717 milionë lekë ose 42,8 milionë euro në fushën e shpenzimeve. Treguesi i dobishmërisë së auditimit tregon se për çdo lek të shpenzuar nga buxheti i shtetit, KLSH ka kërkuar 76.8 lekë shpërblim dëmi vetëm në vitin 2016. Për periudhën 2012-2016, treguesi i dobishmërisë së institucionit ka arritur nivelin 127.1 lekë, krahasuar me vetëm 21.1 lekë që ishte në periudhën 2002-2011 (për 10 vjet). Për vitin 2016 rritja e detyrimeve ndaj tatimeve dhe doganave (borxhi tatimor dhe doganor), si dhe ndaj skemës së sigurimeve shoqërore është në vlerën 51,175 milionë lekë ose 41% më e lartë se viti 2015. Kjo dëshmon për një administrim fiskal jo eficient dhe efektiv, për shtim të ndjeshëm të detyrimeve fiskale dhe për thellimin e deficitit në skemën e pensioneve publike. Dëmi i konstatuar në realizimin e të ardhurave në dogana është në vlerën 1,752,816 mijë lekë ose 19%, pasuar nga 12% në fushën e prokurimeve, sektor që mbetet me një risk të lartë për sa kohë shkeljet nuk lidhen vetëm me dëmin e zbuluar, por edhe me mungesën e efektivitetit të një sistemi të plotë që siguron prokurimin e mallrave, punimeve dhe shërbimeve për shtetin.

Auditimi, bizneset rritën me 59 miliardë lekë detyrimet, në kulmin e antiinformalitetit

Bizneset në vend krijuan të paktën 59 miliardë lekë detyrime të papaguara tek Tatimet në dy vitet e fundit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zhvilluar një auditim me fokus “Efektivitetin e masave të ndërmarra nga organet tatimore në mbledhjen e detyrimeve të papaguara të subjekteve tatimpaguese”, duke nxjerrë në pah edhe një sërë shifrash. Gjendja e detyrimeve tatimore të papaguara në fund të vitit 2016 është mbi 146 miliardë lekë dhe paraqitet me një rritje e ndjeshme, në masën 45.5%, krahasuar me një vit më parë. “Në vlerën e detyrimeve të papaguara prej 146 068 milionë lekësh është e përfshirë edhe vlera prej 37 338 milionë lekë e 541 subjekteve që janë në proces gjyqësor. Ndërsa krahasuar me vitin 2011 gjendja e detyrimeve të papaguara në fund të vitit 2016 është 2.2 herë më e madhe”, thuhet në auditimin e KLSH-së. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se nga gjendja totale e borxhit tatimor, një pjesë e konsiderueshme i përket bizneseve që aktualisht kanë status pasiv. Kjo, sipas audituesve, ul mundësitë e mbledhjes së këtij borxhi. Në total bizneset që kanë detyrime të papaguara pranë administratës tatimore dhe njëkohësisht kanë status pasiv kapin një nivel prej 37%. “Gjendja e detyrimeve tatimore të papaguara në afat në fund të periudhës (2016) përbëhet kryesisht nga detyrimet tatimore të lindura nga 2-5 vite me një peshë prej 58% të totalit të borxhit, gjë që tregon se sasi të mëdha të detyrimeve tatimore të papaguara janë të pambledhshme, për të cilat DPT tashmë e ka praktikisht të vështirë të ndërmarrë veprime të mëtejshme ligjore për mbledhjen e detyrimit me forcë”, raporton KLSH. Një pjesë e mirë e totalit të borxhit duket se është krijuar vetëm në dy vitet e fundit 2015-2016. Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se të paktën 41% e këtij borxhi është krijuar pikërisht në këtë dyvjeçar nga ana e biznesit. Kjo do të thotë që bizneset kanë të paktën 59 miliardë lekë detyrime të papaguara të krijuara në kohën kur qeveria ishte në kulmin e fushatës antiinformalitet.

Abuzimet, borxhi tatimor dhe doganor u rrit me 41% në një vit të vetëm

Viti 2016 rriti me të paktën 41% borxhin tatimor dhe doganor së bashku me borxhin në skemën e sigurimeve shoqërore gjatë 2016-s në raport me një vit më parë. Është ky konstatimi i bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në buletinin e auditimeve për periudhën janar-shtator 2017. Po gjatë periudhës janar–shtator 2017, KLSH ka rekomanduar gjithsej 42 propozime për ndryshime ligjore, ndryshime që prekin rekomandime për përmirësime në korniza ligjore, në kuadrin të brendshëm rregullativ të institucioneve kryesore të shtetit, me synim forcimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe rritjen e efektivitetit të përdorimit të fondeve publike. I udhëhequr nga standardet ISSAI të organizatës botërore të institucioneve supreme të auditimit INTOSAI, dhe konkretisht në ISSAI 1240 “Përgjegjësitë e audituesit në lidhje me mashtrimin financiar në një auditim të pasqyrave financiare” dhe në ISSAI Gov 5700 “Udhëzues për auditimin e parandalimit të korrupsionit në agjencitë qeveritare”, si dhe i vetëdijshëm për misionin e tij të përmirësimit të qeverisjes publike nëpërmjet thellimit të luftës kundër korrupsionit, për periudhën janar–shtator 2017, KLSH ka depozituar në organet e Prokurorisë 29 kallëzime penale, nga të cilat 10 dosje për vlerësim. Numri i personave të kallëzuar penalisht në këto kallëzime penale arrin në 83. Në total, për periudhën 2012-2017, institucioni ka dërguar në Prokurori për abuzime flagrante me fondet publike 229 raste ose mesatarisht një kallëzim penal në javë apo një kallëzim në çdo tri auditime, ose 1.5 herë më shumë se numri i kallëzimeve penale për 10 vitet e marra së bashku 2002-2011. Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka realizuar auditimet për këtë hark kohor gjatë periudhës janar-shtator 2017. Nëse do të analizojmë dëmin sipas sektorëve, vërejmë se niveli më i lartë i dëmit për këtë periudhë është ai i shkaktuar në administrimin e pronës shtetërore në vlerën 2.7 milionë lekë ose 30% të vlerës totale të dëmit të zbuluar dhe në riblerjen e pasurisë shtetërore. Më pas renditen dëmi i konstatuar në realizimin e të ardhurave në dogana e tatime dhe në fushën e prokurimeve, sektor që mbetet me një risk të lartë për sa kohë shkeljet nuk lidhen vetëm me dëmin e zbuluar, por edhe me mungesën e efektivitetit të një sistemi të plotë që siguron prokurimin e mallrave/punimeve/shërbimeve. Nga ana tjetër sipas raportit, administrimi i pronës shtetërore është zona më me risk dhe tregon se keqadministrimi ka vijuar, pa reflektuar përmirësim apo përgjegjshmëri menaxheriale në këtë sektor. Bazuar në Ligjin nr. 154, datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, KLSH për të metat dhe shkeljet e konstatuara ka dhënë rekomandime për masat disiplinore dhe administrative, subjekteve të audituara dhe ka bërë publike rezultatet e auditimeve në median e shkruar dhe atë elektronike. Gjithashtu, për shkeljet e konstatuara në bazë të ligjit të mësipërm, Ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, neni 58 dhe Kodin e Punës, KLSH u ka kërkuar organeve respektive shqyrtimin dhe marrjen e 1014 masave disiplinore dhe administrative.

Artikulli paraprakUlja e taksave, fitorja tjetër e Trump në Kongres megjithë 20 votat e rrjedhura nga republikanët
Artikulli tjetërShërbimet ushtarake italiane: 40 gomone me vlerë 40 milionë euro për transport refugjatësh