Klop nuk kursen lojtarët për finalen e Bazelit

Rrugëtimi i Liverpool drejt finales së Europa League nuk ka qenë i lehtë për skuadrën angleze. Që prej fazës çerekfinale, trajneri Jurgen Klopp është detyruar të bëjë disa herë rotacion në skuadër për të rikuperuar energji. 27 është numri i lojtarëve të përdorur nga trajneri gjerman që prej fillimit të muajit prill, pasi një numër i madh lojtarësh janë përballur edhe me dëmtime të ndryshme. Gjithsesi deri në finalen e 18 majit, Liverpool duhet të luajë edhe dy ndeshje në kampionat dhe Klopp beson se lojtarët kanë ende mundësi të përmirësohen.
“Nuk e kam idenë se cilët lojtarë do të përzgjedh për të mërkurën, por për fat të mirë na janë rikthyer disa të dëmtuar dhe do ta kem shumë të vështirë që të zgjedh. Nuk kam menduar asgjë për formacionin kundër Sevillas, por nga ana tjetër unë mendoj se nuk duhet të kursejmë asnjë lojtar për finalen. Të gjithë dëshirojnë të luajnë çdo ndeshje dhe ky është një sinjal shumë pozitiv. Nuk dua të krijoj asnjë presion mbi lojtarët, duke i bërë të mendojnë për finalen, thjesht duhet të presim atë ndeshje dhe të shikojmë se si do të paraqitemi. Vendimet do të merren me radhë, fillimisht për ndeshjen kundër Chelseat, pasataj për West Bromwich dhe më pas për finalen”, u shpreh Klop. Pas 36 ndeshjeve sezonale në kampionat, Liverpooli mban vendin e 8 me 58 pikë dhe ka shpresa të vogla për një biletë në Europa League, ndërsa në finalen e Baselit ka mundësinë për të siguruar kualifikimin direkt në Champions League nëse arrin të kalojë Sevillan.

Artikulli paraprakAtletico, klauzolë 100 milionë euro për Griezmann
Artikulli tjetërGoditje e dyfishtë!