Klinton, libër për humbjen ndaj Trump

 

Më pak se një vit pas humbjes në zgjedhje, ish-kandidatja presidenciale Hillary Clinton ka botuar një libër ku përpiqet t’u shpjegojë përkrahësve të saj se cilët ishin faktorët që kontribuan në humbjen e papritur në zgjedhje. Në Nju Jork, admiruesit e zonjës Clinton zunë radhë për të marrë kopje me autografë të librit “What happened”, “Çfarë ndodhi”.
Zonja Clinton buzëqeshi ndërsa bisedonte me përkrahësit e saj dhe nënshkruante autografë në kopjet e librit të saj. Një radhë e gjatë blerësish prisnin sa t’u vinte radha në librarinë “Barnes & Noble” në Nju Jork:
“Unë me të vërtetë e respektoj, e admiroj dhe e dua dhe doja të isha këtu, të isha pjesë e këtij grupi, të blija librin e saj dhe ta lexoj”.
Gazetari i agjencisë “Associated Press”, Jonathan Lemire, që kishte lexuar një kopje para se të dilte në treg, thotë se libri është një analizë e gabimeve gjatë fushatës së saj, në të cilën ajo i pranon përgjegjësitë e veta:
“Mendoj se ky ishte një shans për të që të tregojë njëherë e mirë: ‘ja çfarë ndodhi para një viti, këto janë arsyet që mendoj se kontribuan tek humbja ime, këta janë faktorët e jashtëm që kontribuan tek humbja, por gjithashtu, këto janë gabimet e mia personale që ndihmuan në zgjedhjen e Donald Trumpit”.
Por ish-kandidatja demokrate nuk i kursen kritikat ndaj republikanit Donald Trump, thotë ai. Ashtu si gjatë fushatës, edhe në libër zonja Clinton e përshkruan zotin Trump si të papërshtatshëm për president, thotë Jonathan Lemire:
“Dhe thotë se me çfarë ka parë deri tani, presidenca e tij e ka vërtetuar vlerësimin e saj. Ajo siç pritej fajëson ndërhyrjen ruse, por kritikat e saj më të ashpra janë ndaj drejtorit të FBI-së, James Comey që ajo beson se e përmbysi garën kur rreth dy javë para votimeve, njoftoi se po rihapte hetimin për skandalin e e-mail-eve”.
Përkrahësit e Presidentit Trump, si Howard Caplain, e shpërfillin rolin e Rusisë në humbjen e zonjës Clinton në zgjedhje:
“Gjithë këta njerëz që mendojnë se gjithçka ndodhi për ndonjë arsye misterioze. Nuk kishte asnjë mister. Njerëzit nuk e pëlqejnë atë, ata pëlqejnë më shumë Trumpin dhe donin ndryshim”.
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders e kritikoi librin.
“Mendoj se është për të ardhur keq që pasi Hillary Clinton bëri një nga fushatat më negative në histori dhe humbi, dhe kapitulli i fundit i jetës së saj publike do të përcaktohet tani nga përpjekjet për shitje librash me sulme të rreme dhe të papërgjegjshme. Mendoj se është një strategji e trishtueshme”.
Zonja Clinton parashikohej të triumfonte në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës, por fitoi vetëm 227 vota të kolegjit elektoral, krahasuar me 304 të zotit Trump. Ajo e fitoi votën popullore, duke siguruar 2.9 milionë më shumë vota se rivali i saj.

Artikulli paraprakHumb jetën punonjësi i Bashkisë në Korçë, u rrëzua nga ekskavatori
Artikulli tjetër150 gjimnazistë në Fier pa mësim, s’ka karrige e banka