Klani në polici që fshihet pas 1.5 tonëve të drogës në Kavajë

Ngarkesa prej 1.5 ton drogë e kapur para katër ditësh në Kavajë ishte e zyrtarëve më të lartë lokalë dhe qëndrorë të policisë. Denoncimi është bërë nga ish-kryeministri Berisha pas një mesazhi të marrë nga një qytetar nga Kavaja. Qytetari shkruan se 1.5 tonët e drogës së kapur në Kavajë i përkasin klanit të Altin Qatos në polici dhe ish-shefit të komisariatit në Skrapar që është shoku i ngushtë i Haki Çakos. “Qytetari dixhital informon: Ngarkesa prej 1.5 ton drogë e kapur në Kavajë ishte e zyrtarëve më të lartë lokalë dhe qëndrorë të policisë! Lexoni mesazhin e tij”, shkruan Berisha.
Zoti Berisha, e para ju them se nuk kam qenë dhe nuk jam votuesi juaj, po doja të ndaja me ju diçka në lidhje me kanabisin. Droga e kapur në Kavajë i përket klanit të Altin Qatos në polici dhe është kultivuar në zonën e Therepelit në Skrapar nga Tur Hajdari dhe njerëzit e tij nën kujdesin e Fatmir Lleshit ish-drejtor policie në Berat, Ferdinand Dushos, ish-shef Komisariati në Skrapar që është shoku i ngushtë i Haki Çakos. Droga ka kaluar mespërmes Beratit e siguruar nga shefi Komisariatit të Skraparit dhe drejtorit të Policisë Berat, Dilaver Shimaj, të cilët kanë marrë pjesën e tyre. Në Skrapar ishte emëruar dikush tjetër shef po e lanë vetëm 5 ditë dhe e hoqën, sepse filloi të merrte informacion për drogën e Qatos dhe këtyre shokëve të tij. Anonim ju lutem se kemi fëmijë për të rritur”, shkruan qytetari nga Kavaja.
Droga në Kavajë u kap para katër ditësh. Droga ishte gati për t’u trafikuar me skaf në Itali. Policia e Kavajës bëri të ditur se, operacioni i koduar “Pilotët” është zhvilluar gjatë orëve të para të ditës së premte, nga efektivët e Komisariatit të Policisë Kavajë, por një punonjës policie bëri ditur se kapja e drogës ka qenë një rastësi. Sipas tij, një patrullë policie kishte qenë në shërbim në rrugën drejt plazhit të Gjeneralit, për disa kontrolle rutinë për vjedhje automjetesh. Policët kanë parë se, përballë me mjetin e tyre, po vinte një furgon me drita të gjata të ndezura.
Nga ana e mjetit të policisë, i është bërë shenjë që të ulë dritat, por drejtuesi i furgonit nuk ka reaguar. Policia i ka bërë sinjal akustik që furgoni të reagonte dhe të ulte dritat e gjata. Pas sinjalit të policisë, drejtuesi i furgonit ka lëvizur me shpejtësi. E kanë ndalur furgonin diku larg policisë dhe kanë ikur me vrap, duke lënë ndezur furgonin. Pas kontrollit të mjetit u gjet sasia e lëndës narkotike, që mendohet se është rreth 1.3 ton.
Policia bëri të ditur se, në pranga u vunë tre persona, ku njëri prej tyre Kejvi Hajdari është djali i ish-shefit të Krimeve në Gramsh, Artur Hajdari, i cili aktualisht është inspektor në Peqin. Gjithashtu në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar edhe disa shtetas të tjerë për t’u marrë në pyetje.
Pasa bllokimit të drogës, është gjetur një skaf në Kavajë, i cili dyshohet se do të transportonte 1.3 ton kanabis të kapur gjatë natës. Policia bëri të ditur se, skafi është 15 metër i gjatë dhe ishte në breg të detit. Aty pranë është gjetur edhe një zetor që shërbente për ta futur në ujë skafin. Me të pikasur policinë, drejtuesit e mjeteve dhe shoqëruesit janë larguar. Policia që kishte ngritur prita në të gjithë zonën, në një vend tjetër ka ndaluar 4 persona. Policia bëri të ditur se droga mund të jetë transportuar nga ndonjë rreth tjetër dhe po shkonte drejt “plazhit të Gjeneralit” dhe më pas të transportohej me mjete lundruese drejt Italisë.

Artikulli paraprakShqipëria në flakë, situatë e rëndë në Qarkun e Shkodrës
Artikulli tjetërPS organizatë kriminale, deputeti i Ramës në gjyq: Ja si funksionon