Klani “Mesi”!

Ndonjëherë nuk mjaftojnë as golat. Mauro Icardi në këtë sezon ka shënaur 6 në Serie A, duke u shfaqur dukshëm më mirë dhe në këndvështrimin në ndihmën që i jep lojës së skuadrës, diçka për të cilën është kritikuar më parë, por të gjitha këto nuk i kanë mjaftuar për të rifituar fanellën e Argjentinës. Në Kombëtare, trajneri Bauza vazhdon të konfirmojë se preferon sulmues të tjerë. Fusha nuk i ka dhënë të drejtë, duke parë edhe rezultatet e Argjentinës në ndeshjet e fundit kualifikuese të Botërorit, me vetëm dy pikë të siguruara në tre takime. Nga Argjentina dhe në veçanti nga programi shumë i ndjekur televiziv atje, “Debate Final”, zërat flasin për krijimin e një fronti kundër Ikardit në kombëtaren albiceleste me akuza të drejtpërdrejta.
Para së gjithash akuzohet Lionel Mesi, i cili së bashku me lojtarë të tjerë besnikë ndaj tij, kanë shkuar deri aty sa t’i vënë veton grumbullimit të Icardit në kombëtare. Ai që në Argjentinë e quajnë “klani Mesi” në brendësi të Albicelestes qëndron pas përjashtimit të sulmuesit interist nga ekipi përfaqësues. Kjo, gjithmonë sipas analistëve argjentinas, ndodh për faktin e thjeshtë se Mesi është mik i Maxi Lopez, që nga kohët kur të dy ishin te Barcelona ndaj dhe nuk i fal Ikardit tradhëtinë që i bëri Maksi Lopez, duke i rrëmbyer ish-bashkëshorten e tij Wanda Nara. Një rrëfim ky që është i destinuar të krijojë mjaft polemika.
Serxhio Aguero nuk e ka fshehur dot zhgënjimin për paraqitjen që zhvilloi, por theksoi se kjo i ndodh vetëm kur luan me Kombëtaren. “Nuk di se si ta shpjegoj që unë jam një lojtar i keq kur luaj me Argjentinën. Në Argjentinë nuk më ndodh. Ishte vërtet një mbrëmje katastrofë për mua. Humba penalltinë dhe nuk finalizova dot si duhet. Ndonjëherë nuk ka rëndësi se si luan me klubin tënd, por se çfarë jep me përfaqësuesen. Për këtë arsye nuk do befasohesha nëse trajneri nuk do më grumbullonte për ndeshjen e radhës”, u shpreh ai.
Sa i përket humbjes me Paraguain, shtoi: “Në futboll ndodhin edhe raste të tilla, kur fati i keq të dënon. Kemi prodhuar lojë, kemi pasur raste, por nuk i finalizuam. Për asnjë arsye nuk merituam të humbisnim, por nuk mund të gjejmë alibi justifikimi tashmë”.
Argjentina pësoi një humbje shokuese me Paraguajin në fushën e saj në ndeshjen e 10 kualifikuese për botërorin “Rusi 2018”. Skuadra bardhekaltër u mposht 0-1 në stadiumin “Mario Alberto Kempes të Kordobas”, duke vënë seriozisht në diskutim renditjen mes 4 skuadrave më të mira të Amerikës së Jugut, që kualifikohen direkt në botëror. Goli i Gonzalez i shënuar që në minutën e 18-të mbeti në fuqi deri në vërshëllimen e fundit të gjyqtarit, me vendasin që ishin të paaftë për të kthyer rezultatin edhe pse iu dha mundësia me një 11 metërsh në fillim të pjesës së dytë, por që nuk u shndërrua në gol nga Aguero. Ky ishte takimi i tretë radhazi që Argjentina nuk arrin të fitojë pa Lionel Mesin, i cili ka munguar në përfaqësuese për arsye dëmtimi.

Artikulli paraprakRiberi: Griezmann, jo lojtar i klasit Botëror
Artikulli tjetërSaki: Dibalan ia ofrova dy vite më parë Milanit