Kishte ardhur momenti të ndryshoja ambient

Mats Hummels flet pas firmës me Bayern Munich. Mbrojtësi, i cili largohet nga Borussia Dortmund, për të veshur fanellën e rivalëve të bavarezëve, përmes një statusi në “Facebook” komenton vendimin më të vështirë të jetës, siç e cilëson edhe vetë lojtari.
“Duke filluar që sot, është zyrtar transferimi te Bayern Munich. Javët e fundit kanë qenë shumë të vështira për mua, pasi mora vendimin më të rëndësishëm në jetën time. Në fund vendosa të ndërmarr një sfidë të re, në qytetin tim, ku jeton e gjithë familja ime dhe të gjithë miqtë e mi. Jam i vetëdijshëm që tani nuk do të më kuptojnë, por pas 8 vjet e gjysmë kishte ardhur momenti të bëja diçka ndryshe”.
Hummels nuk harroi të falenderonte të gjithë te klubi verdhezi, për gjithçka që kaloi gjatë këtyre viteve. “Po largohem me keqardhje nga ekipi, ku jam rritur dhe kam fituar shumë. I falenderoj të gjithë ata që kanë kontribuar. Ata që punojnë pas kuintave dhe ata që kanë në zemër këtë skuadër, pa harruar edhe trajnerët e mi. Shumë persona tentuan të më bindnin për të qëndruar. Falenderoj tifozët e Borussia Dortmund, që gjithmonë kanë qenë fantastikë. Tani do të jap maksimumin deri në fund të sezonit për të nderuar këtë fanellë”, përfundoi Hummels.
Ndërkohë, drejtuesit e Borussia Dortmundin po kërkojnë për një qendërmbrojtës, i cili do të mund të zëvendësonte gjermanin, Mats Hummels. Bayern dje e konfirmoi transferimin e Hummelsit, i cili u transferua për 38 milionë euro. Sipas “Bild”, Toprak i Bayer Leverkusenit, Raphael Varane i Real Madridit dhe Shkodran Mustafi i Valencias janë kandidatët e mundshëm për të zëvendësuar Hummelsin në Dortmund.
Joachim Low është i lumtur nga fakti që Mats Hummels do ta vijojë karrierën në Bundesligë. Transferimi i 27-vjeçarit te Bayerni i Minihut, në një kohë kur kishte oferta edhe nga Premier League, veçanërisht nga United apo Chelsea, për trajnerin e kombëtares gjermane është diçka pozitive. “Nëse lojtarët e kombëtares vendosin të luajnë në Bundesligë, kjo do të thotë se kampionati gjerman i futbollit, në mos më shumë, të paktën është po aq cilësor sa Premier League”, tha Low.
Një deklaratë e kuptueshme e trajnerit, të cilit i intereson një Bundesligë e fortë, pasi pjesa më e madhe e lojtarëve të kombëtares gjermane, luajnë në vendin e tyre. Hummels me këtë vendim tijin ndjek gjurmët e Mario Gotzes dhe Robert Lewandowskit, që braktisën verdhezinjtë për t’iu bashkuar skuadrës që po dominon në futbollin gjerman këto katër vitet e fundit.

Artikulli paraprakRonaldo ikën nga Reali
Artikulli tjetërLloris: Shqipëria na ka mundur