Kimioterapia, kura po aq e vështirë sa kanceri

Kimioterapia është trajtimi me medikamente që mund të shkatërrojnë qelizat e kancerit.
Këtyre medikamenteve shpesh u referohemi si medikamente “kundër kancerit”. Si funksionon? Qelizat normale rriten dhe vdesin në mënyrë të kontrolluar. Kur shfaqet kanceri, qelizat kanceroze që nuk janë më normale, vazhdojnë të ndahen në mënyrë të pakontrolluar. Medikamentet kundër kancerit shkatërrojnë qelizat e kancerit duke i ndaluar ato të rriten e të shumohen.
Mund të dëmtohen dhe qelizat e shëndetshme, në veçanti ato qeliza që ndahen shpejt. Dëmtimi i qelizave të shëndetshme është ajo çfarë shkakton efektet anësore. Këto qeliza, në përgjithësi e marrin veten pas kimioterapisë. Për shkak të faktit se disa medikamente funksionojnë më mirë së bashku se më vete, shpesh jepen dy a më shumë medikamente së bashku. Kjo quhet kimioterapi e kombinuar.
Mund të përdoren dhe lloje të tjera medikamentesh për të trajtuar kancerin tuaj. Këtu mund të përfshihen disa medikamente që mund të bllokojnë efektin e hormoneve të trupit tuaj. Ose, mjekët mund të përdorin terapi biologjike, që është trajtim me substanca që nxisin sistemin imun të vetë trupit kundër kancerit. Trupi juaj shpesh i prodhon këto substanca në masa të vogla për të luftuar kancerin dhe sëmundje të tjera. Këto substanca mund të përgatiten në laboratorë dhe mund t’u jepen pacientëve për të shkatërruar qelizat e kancerit ose për të ndryshuar mënyrën sesi reagon trupi ndaj një tumori. Ato mund të ndihmojnë dhe në riparimin e trupit ose të shkatërrojnë qelizat e reja nga kimioterapia.

Çfarë mund të bëjë kimioterapia?
Në varësi të llojit të kancerit dhe të mënyrës së avancimit të tij, kimioterapia mund të përdoret për qëllime të ndryshme:
• Për të kuruar kancerin. Kanceri konsiderohet i kuruar kur pacienti nuk ka më gjurmë të qelizave kanceroze.
• Për të kontrolluar kancerin. Kjo bëhet për të mos lejuar shpërndarjen e kancerit; për të ngadalësuar rritjen e tij dhe për të vrarë qelizat e kancerit që mund të jenë shpërndarë në pjesë të tjera të trupit, të ndryshme nga pjesa ku është shfaqur kanceri për herë të parë.
• Për të lehtësuar simptoma që mund të shkaktohen nga kanceri. Heqja e simptomave të tilla si dhimbja mund t’i ndihmojë pacientët të jetojnë më të qetë.
A përdoret kimioterapia me trajtime të tjera?
Ndonjëherë kimioterapia është i vetmi trajtim që merr një pacient. Më shpesh, gjithsesi, kimioterapia përdoret plus operacionit, terapisë më rreze, dhe/ose terapisë biologjike për të:
• Tkurrur një tumor para operacionit ose terapisë me rreze. Kjo quhet terapi neo-ndihmëse.
• Ndihmuar në shkatërrimin e qelizave kanceroze që mund të mbeten pas operacionit dhe/ose terapisë me rreze. Kjo quhet kimioterapi ndihmëse.
• Bërë terapinë me rreze dhe terapinë biologjike të ketë rezultate më të mira.
• Ndihmuar për të shkatërruar kancerin nëse ai shfaqet ose është shpërndarë në pjesë të tjera të trupit të ndryshme nga pjesa në të cilën kanceri është shfaqur për herë të parë.
Çfarë medikamentesh përdoren?
Disa medikamente kimioterapie përdoren për lloje të ndryshme kanceri, ndërsa medikamente të tjera përdoren vetëm për një ose dy lloje kanceresh. Mjeku rekomandon një plan trajtimi të bazuar në:
• Llojin e kancerit nga i cili pacienti vuan.
• Pjesën e trupit të prekur nga kanceri.
• Efektin e kancerit mbi funksionet kryesore të trupit të pacientit.
• Shëndetin e pacientit në përgjithësi.

Marrja e mbështetjes për të cilën pacienti ka nevojë
Kimioterapia, ashtu si kanceri, mund të sjellë ndryshime të mëdha në jetën e një personi. Ajo mund të kurojë kancerin, ndonjëherë mund të ketë ndikim mbi shëndetin e pacientit në përgjithësi, mund të shkaktojë stres, mund të ndërpresë aktivitetet e përditshme dhe mund të tensionojë marrëdhëniet personale. Nuk është çudi që disa njerëz ndihen në gjendje melankolie, ankthi, të nevrikosur ose të depresuar në një pikë të caktuar të kimioterapisë së tyre.
Këto emocione mund të jenë shumë normale, por mund të jenë dhe shqetësuese. Fatmirësisht, ka mënyra për të trajtuar këto efekte anësore emocionale, ashtu siç ka dhe mënyra për të trajtuar efektet anësore të kimioterapisë.
Ku mund të mbështetem unë?
Ju mund t’i drejtoheni burimeve të ndryshme për mbështetje. Më poshtë janë disa nga burimet më të rëndësishme:
Mjekët, infermieret dhe profesionistët e tjerë të shëndetit. Nëse keni pyetje ose shqetësime në lidhje me trajtimin e kancerit tuaj, bisedoni me anëtarë të skuadrës tuaj të shëndetit. Tregojuni nëse ndiheni në ankth ose të dëshpëruar, ose nëse keni ndryshime të tjera emocionale ose fizike.
Profesionistët e këshillimit. Ka disa lloje këshilluesish që mund t’ju ndihmojnë të shprehni, kuptoni ose të menaxhoni ndjenjat tuaja. Nëse jeni të dëshpëruar, duhet të shqyrtoni mundësinë e kërkimit të ndihmës profesionale. Të ndjerit i pashpresë, i pavlerë, fajtor ose që jeta nuk ia vlen të jetohet janë shenja depresioni. Në varësi të preferencave dhe nevojave tuaja, ju mund të doni të flisni me një psikiatër, psikolog, punonjës social, terapist seksi ose me dikë nga kleri. Ka dhe medikamente që mund të përdoren për të trajtuar depresionin. Shumë qendra të trajtimit të kancerit kanë programe “psiko-onkologjike” me psikiatër, psikologë, dhe punonjës socialë të trajtuar për të punuar me pacientët që vuajnë nga kanceri. Mjeku, infermieri ose punonjësi juaj social mund të jenë në gjendje t’ju sugjerojnë se kë të kontaktoni.
Miqtë dhe anëtarët e familjes. Të folurit me miqtë ose me anëtarët e familjes mund t’ju ndihmojë të ndiheni goxha më mirë. Shpesh, ata mund t’ju japin mbështetje dhe siguri më mirë se askush tjetër. Gjithsesi, ju duhet t’i lini ata t’ju ndihmojnë. Në një kohë kur ju mund të prisni që të tjerët do të vrapojnë për t’ju ndihmuar, mund t’ju duhet ju të merrni hapin e parë. Para se të filloni kimioterapinë, ka mundësi që ju ende të gjeni kënaqësi në intimitetin fizik gjatë trajtimit. Gjithsesi, mund të zbuloni se intimiteti ndryshon gjatë trajtimit. Të përqafuarit, të prekurit, dhe të mbajturit mund të bëhen më të rëndësishme, ndërsa marrëdhënia seksuale mund të bëhet më pak e rëndësishme. Mbani mend se ajo çfarë ishte e vërtetë para kimioterapisë mbetet e vërtetë dhe tani: nuk ka një mënyrë “të drejtë” të vetme për të shprehur seksualitetin tuaj. Ju dhe partneri duhet të vendosni së bashku se çfarë ju kënaq të dyve.

Të ngrënit mirë gjatë kimioterapisë
Është shumë e rëndësishme që të hani mirë gjatë periudhës kur trajtoheni me kimioterapi. Të ngrënët mirë gjatë kimioterapisë do të thotë që ju të zgjidhni një dietë të balancuar që përfshin të gjithë ushqyesit për të cilët ka nevojë trupi juaj. Të ngrënët mirë do të thotë që të keni një dietë të mjaftueshme në kalori për të mbajtur peshën në kontroll, dhe mjaftueshëm të pasur në proteina për të rindërtuar indet që mund të shkatërrohen nga trajtimi i kancerit. Njerëzit që hanë mirë mund të përballojnë efektet anësore dhe të luftojnë infeksionin më mirë. Në të njëjtën mënyrë, trupat e tyre mund të rindërtojnë indet në mënyrë më të shëndetshme.

Efektet e mundshme anësore
Reagimi i çdo personi ndaj kimioterapisë është i ndryshëm. Disa njerëz kanë shumë pak efekte anësore, ndërkohë që të tjerët mund të përjetojnë më tepër efekte anësore. Efektet anësore që përshkruhen në këtë informacion nuk prekin gjithkënd që i nënshtrohet kimioterapisë. Ne kemi theksuar efektet anësore më të zakonshme, në mënyrë që ju të jeni në dijeni të tyre kur të shfaqen. Gjithsesi, ne nuk i kemi përfshirë ato efekte që janë të rralla, e, të cilat mund të kenë ndikim mbi ju. Nëse vini re efekte të cilat ju mund të mendoni se kanë ardhur si rezultat i medikamentit, por të cilat nuk përfshihen më poshtë, ju lutem bëjani me dije këtë gjë infermieres ose mjekut tuaj.
Rezistencë e ulur ndaj infeksioneve Kimioterapia mund të ulë prodhimin e rruazave të bardha të gjakut nga palca e kockave, duke ju bërë më të prekshëm ndaj infeksionit. Ky efekt mund të fillojë shtatë ditë pas dhënies së trajtimit tuaj, dhe ulja e rezistences tuaj ndaj infeksionit në përgjithësi e arrin pikun 10-14 ditë pas kimioterapisë. Më pas rruazat e gjakut tuaj do të rriten në mënyrë të qëndrueshme dhe në përgjithësi do të jenë kthyer në nivelet normale para ciklit pasardhës të kimioterapisë.
Kontaktoni menjëherë me mjekun ose me spitalin tuaj në rast se:
• Ju ngrihet temperatura mbi 38˚C (100.5F)
• Ndiheni menjëherë jo mirë (dhe kur keni temperaturë normale).
Ju do të bëni një test gjaku para se t’i nënshtroheni një tjetër kimioterapie për t’u siguruar se qelizat tuaja e kanë marrë veten. Me raste, mund të jetë e nevojshme që të vononi trajtimin tuaj në rast se numri i rruazave të gjakut është ende i ulët.
Të nxirat dhe gjakderdhja. Kimioterapia mund të ulë prodhimin e trombociteve (që ndihmojnë gjakun të mpikset). Bëjani me dije mjekut tuaj nëse keni nxirje ose rrjedhje gjaku të pashpjegueshme.
Anemi (numër i ulët i rruazave të kuqe të gjakut) ndërsa trajtoheni me kimioterapi, ju mund të bëheni anemikë. Kjo mund t’ju bëjë të ndiheni të lodhur e mezi të mbusheni me frymë. Tregojini mjekut ose infermierit tuaj për këtë problem.
Të ndjerit të sëmurë (të përzierit) dhe të vjellit Mjeku tani mund t’ju rekomandojë medikamente shumë efektive, anti-emetikë, për të shmangur ose për të ulur ndjesinë e përzierjes dhe të vjellit. Nëse kjo ndjesi nuk kontrollohet ose nëse vazhdon, thojini mjekut tuaj. Ju mund të rekomandoni medikamente të tjera kundër ndjesisë së të vjellit, të cilat mund të kenë më shumë efekt. Disa medikamente kundër sëmundjes mund të shkaktojnë kapsllëk. Tregojuni mjekut ose infermieres tuaj nëse ndodh ky problem.
Lodhja Shumë njerëz ndihen shumë të lodhur (të këputur) gjatë kimioterapisë, në veçanti drejt fundit të trajtimit. Ky është një efekt anësor shumë i zakontë dhe është e rëndësishme që të përpiqeni të pushoni sa më shumë të jetë e mundur.
Rënia e flokëve Kjo në përgjithësi fillon 3-4 javë pas ciklit të parë në disa skema të kimioterapisë. Flokët në përgjithësi nuk janë të plota. Ju mund të keni dhe hollim ose humbje të vetullave, qerpikëve dhe qimeve në pjesë të tjera të trupit. Rënia e flokëve është e përkohshme, pasi flokët do të rriten sërish pas përfundimit të trajtimit.
Gojë e hidhur dhe ndryshim shijesh Goja juaj mund të jetë e hidhur ose e thatë. Ose ju mund të vini re pak ulçër gjatë trajtimit. Të pirët e shumë lëngjeve dhe pastrimi i dhëmbëve në mënyrë të rregullt me një furçë të butë mund të ulë rrezikun e shfaqjes së këtyre shenjave. Tregojini infermieres ose mjekut tuaj nëse keni probleme të tilla, pasi ata mund t’ju japin shpëlarës së posaçëm dhe medikamente të tjera për të parandaluar infeksionin ose për të pastruar infeksionin nga goja juaj.
Ju mund të vini re se ushqimi ka tjetër shije. Të shijuarit normal do t’ju kthehet pas mbarimit të trajtimit.
Irritim i fshikëzës Disa kimiopreparate mund t’ju irritojnë fshikëzën. Është e rëndësishme që ju të përdorni sa më shumë lëngje të jetë e mundur (deri në dy litra) gjatë 24 orëve pas kimioterapisë për të parandaluar këtë gjë.
Diare Nëse keni diare, ajo mund të kontrollohet lehtë me medikamente. Tregojini mjekut nëse gjendja është e rëndë ose nëse vazhdon. Përpiquni të pini 2-3 litra lëngje në ditë për të zëvendësuar lëngjet që po humbni.
Ndryshimet në lëkurë Lëkura juaj mund të bëhet jo elastike dhe e thatë. Mjeku mund t’ju japë një recetë për të ndihmuar në reduktimin e kësaj situate. Rrallë, lëkura juaj mund të errësohet. Nëse errësohet, në përgjithësi ajo kthehet në gjendjen e saj normale pas përfundimit të trajtimit.
Gjatë trajtimit, dhe për disa muaj më pas, ju do të jeni i ndjeshëm ndaj diellit dhe lëkura juaj mund të digjet më lehtësisht. Por prapë, mund të dilni në diell, por gjithmonë vini një krem mbrojtës me faktor të lartë dhe mbështilluni me rroba.
Ndonjëherë, zona të lëkurës që janë trajtuar me radioterapi mund të bëhen të kuqe dhe të pezmatuara. Thuajini mjekut nëse ndodh një gjë e tillë. Lëkura mbi venën e përdorur për injeksion mund të humbasë ngjyrën e saj.
Ndryshimet në thonj Thonjtë tuaj mund të errësohen dhe në to mund të shfaqen vija të bardha. Këto ndryshime shpesh dalin në pah pas disa muajsh pas përfundimit të trajtimit tuaj.

Artikulli paraprakEkspertët amerikanë: Marrëveshja për emrin e Maqedonisë, një hap i madh përpara
Artikulli tjetërFaktorët që ju vënë zemrën në rrezik