Kim Mehmeti shpërthen ndaj Ramës: E pamundur të bindësh një piktor të parealizuar

Shkrimtari i njohur, Kim Mehmeti ka reaguar ndaj vendimit të Ramës për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një godite të re të rrethuar me disa kulla.
Mehmeti shkruan në një postim në Facebook se, godina ekzistuese nuk duhet shembur pasi mbart vlera të çmuara ndërsa nuk lë pa ‘shigjetuar’ edhe kryeministrin Rama.
“Siç duket Kryeministri i Shqipërisë ka vendosur të mos tërhiqet dhe ta shembë godinën e tanishme të Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe, siç thotë ai, mbi gërmadhat e së shkuarës, të ngrihet teatri i ri! Ku ta dish, mbase është e pamundur që, një piktor të parealizuar siç është ai, ta bindësh se godina e Teatrit Kombëtar nuk janë muret që ai ka, e as vetëm skena ku aktorët i kanë jetuar ëndrrat e tyre artistike, por ajo godinë është kalendari, ku janë shënuar ditët e lavdishme të kulturës sonë, si dhe pasqyrë, ku shihen fytyrat e atyre që lartësuan kullën shqiptare të artit skenik!
Po pra, siç duket ne presim të pamundurën nga Kryeministri i sotëm i Shqipërisë: që ai ta kuptojë se nëse më e bukura e bashkëkohorja çdoherë do e zëvendësonin të shkuarën e më të vjetrën, atëherë gjinia njerëzore nuk do e çmonte mbëmendjen, por harresën! Kështu shembja e godinës së Teatrit Kombëtar është një lloj rrënimi i mbëmendjes dhe i kujtesës sonë, siç është edhe shlyerje e begatisë së formës artistike që është realizuar në skenën e tij!”, shkruan Mehmeti.

Artikulli paraprakBerisha reagon për vrasjen në Kamëz: Maskat bëjnë ligjin, vrasin e plaçkisin nën hundën e Xhafës
Artikulli tjetërKomuniteti i besimtarëve myslimanë dënon deklaratat e Ramës në Berlin: Destabilizimi s’vjen nga besimi por nga kjo qeverisje