KiE: Dy kunetërit dhe Ina jashtë standardit, prandaj nuk i intervistuam

Zbulohen arsyet përse Këshilli i Evropës rrëzoi tre kandidaturat e propozuara nga qeveria shqiptare për një vend në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Zyrtarisht KiE sqaron se refuzimi i kandidaturave të Sokol Berberit, Ina Ramës dhe Gent Ibrahimit është bërë pasi është vënë re se procedurat e përzgjedhjes së tyre në Shqipëri nuk janë në përputhje me standardet e kërkuara nga Asambleja dhe Këshilli i Ministrave të BE-së.
Në praktikë Këshilli i Europës mund t’i rrëzojë kandidaturat për dy arsye: procedurat e brendshme të përzgjedhjes së tri kandidaturave nuk kanë qenë të ndershme dhe transparente; kandidaturat nuk plotësojnë aftësitë profesionale apo të integritetit.
Qeveria shqiptare përzgjodhi tre kandidatët për postin e anëtarit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Komisioni përzgjedhës i përbërë nga konstitucionalistë dhe ekspertëve ligjorë vendosi të përzgjidhte kandidaturën e Sokol Berberit, aktualisht anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, ish-kryeprokurores Ina Rama, si dhe ekspertit të Reformës në Drejtësi, Gent Ibrahimi. Nga tre emrat e propozuar nga qeveria shqiptare do të përzgjidhej një kandidat, i cili do të zëvendësonte gjyqtarin aktual shqiptar, Ledi Bianku.
Gjyqtarët shqiptarë që emërohen në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut shqyrtojnë kryesisht ankimimet e qytetarëve shqiptarë, që kërkojnë të drejtën e tyre për çështjet pronësore, pasi u është mohuar e drejta në shkallët e gjyqësorit vendës.
Secili nga 47 vendet anëtare të Këshillit të Evropës ka të drejtën të emërojë një gjykatës në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Procesi i përzgjedhjes së tyre përfshin dy hapa: fillimisht vendet anëtare përzgjedhin dhe i propozojnë Këshillit të Evropës një listë me tre kandidatë. Pastaj Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës zgjedh prej tyre gjykatësin përkatës. Procesi i përzgjedhjes përfshin intervistimin e kandidatëve nga përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare.
Refuzimi në bllok i listës është një ngjarje e rrallë në përvojën e Gjykatës. Krahas Shqipërisë, KiE ka rrëzuar këtë vit dy herë listën e Azerbajxhanit për zgjedhjen e gjykatësit që do zëvendësojë gjykatësin e tanishëm azerbajxhanas. Më parë, gjatë dekadës së fundit, janë rrëzuar nga një herë listat e Sllovenisë, Turqisë dhe Bullgarisë.
Tashmë qeveria shqiptare duhet të paraqesë tre kandidatura të tjera. Gjykatësi shqiptar i tanishëm në Gjykatën e Strasburgut është Ledi Bianku, mandati 9-vjeçar, i të cilit mbaron në mars të vitit të ardhshëm.

Kush ishin tre kandidatët

I pari në listën e Ramës për të shkuar si gjyqtar në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ishte kunati i Fatmir Xhafës, Sokol Berberi. Rama e përjashtoi këtë kandidaturë nga ndryshimet e reja të Kushtetutës dhe të mos i nënshtrohet procesit të Vetting-ut. Kur vjen puna tek kandidatura e tij për një nga gjykatat më të rëndësishme europiane, Rama e përjashton kandidatin e tij, duke shkelur me të dy këmbët ligjin dhe duke dhënë një mesazh të fortë se ai nuk ka ndërmend që të zbatojë Kushtetutën e re.
Një tjetër kandidaturë që do të shkonte në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut është ajo e ish-kryeprokurores, Ina Rama. Për shërbimet e kryera gjatë kohës që ai ishte në krye të opozitës dhe veçanërisht për manipulimin e procesit të hetimit të tentativës së grushtit të shtetit të 21 janarit, Rama ka vendosur që edhe Inën ta dërgojë si kandidaturë në Gjykatën e Strasburgut. Kunati i dytë që u rrëzua nga Këshilli i Europës për në Gjykatën e Strasburgut ishte ajo e Gent Ibrahimit. Kunati i Mimi Kodhelit nuk e kaloi testin ndërkomëbatr për të dytën herë në karrierën e tij. Disa vite më parë, ai është rrëzuar me turp si i paaftë edhe nga një organizmë tjetër mjaft i rëndësishëm ndërkombëtar, ndërsa kësaj here, Ibrahimi nuk arriti të futej fare as në intervistë.
Proceduart që ndoqi qeveria për tre kandidatët që dërgoi në Këshillin e Evropës u bënë në mungesë të plotë transparence. Kryeministri synonte të kontrollonte politikisht çdo qelizë të drejtësisë.
Kryeministri kërkoi të çojë në Strasburg avokatin e interesave të tij dhe jo gjyqtarin e pavarur në majat e drejtësisë europiane. Ai deklaroi se kishte arritur marrëveshje me Gjykatën e Strasburgut, që pronarët të mos i marrin pronat e shpronësuara ndaj dhe i duheshin në Strasburg avokatët e tij për të mbrojtur ligjin e rishpronësimit të pronarëve.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërShpresa e vetme e këtij vendi janë sheshet e revoltës