Këshilli i Sigurimit dënon Korenë e Veriut, ethe lufte

Rusia tha se kundërshton vendosjen e sanksioneve të reja kundër Koresë së Veriut, apo veprimet ushtarake kundër saj.
Në një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i bëri thirrje SHBA-së që të përmbahet nga çdo veprim i tillë kundër Phenianit.
Koreja e Veriut ka shkaktuar alarm të martën, duke lëshuar një raketë mbi Japoni. Raketa ka kaluar mbi ishullin Hokaido përpara se të binte në det.
Koreja e Veriut ka thënë se ky ka qenë “hapi i parë” i operacioneve më të gjera ushtarake në Paqësor dhe ka përsëritur kërcënimet për ishullin amerikan Guam. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se hedhja e raketës mbi Japoni bën që “të gjitha opsionet të jenë në tryezë”.
Britania dhe Japonia hodhën mundësinë e sanksioneve të reja në Kombet e Bashkuara, duke thënë se masat paraprake, përfshirë kufizimin e verikoreanëve që punojnë jashtë vendit, nuk kanë bërë punë.
“Është koha që të shqyrtohen kufizime të reja ndaj regjimit verikorean”, ka thënë ambasadori i Britanisë në OKB, Matthew Rycroft.
Japonia i është bashkuar Britanisë, duke kërkuar kufizime të mëtejshme të verikoreanëve që punojnë jashtë vendit, si dhe sanksione mbi eksportet e tekstilit të Koresë Veriore dhe furnizimet me naftë.
Hetuesit e Kombeve të Bashkuara kanë thënë se shumica e verikoreanëve që punojnë jashtë vendit – 60 mijë deri në 100 mijë sish – janë të punësuar në Rusi dhe Kinë dhe fitojnë deri në 2.3 miliardë dollarë në vit.
Kjo i siguron Phenianit para të gatshme të huaja, në kohën kur qasja e tij në monedha të forta është e kufizuar nga sanksionet.
Edhe Rusia edhe Kina, që i kundërshtojnë sanksionet e mëtejshme, kanë fuqi të vetos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Gjatë bisedës me Tillersonin, Lavrov po ashtu paralajmëroi Shtetet e Bashkuara kundër veprimeve ushtarake në Korenë e Veriut, duke thënë se ato do të kishin “pasoja të paparashikueshme”.
Presidenti amerikan, Donlad Trump, ka shkruar në Twitter se “bisedimet nuk janë përgjigje” për ambiciet ushtarake të Phenjanit.
Por, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, ka thënë më pas se SHBA “nuk është kurrë pa zgjidhje diplomatike” në rastin e Koresë së Veriut. Koreja e Veriut ka kryer disa prova raketore kohëve të fundit, por të martën ka qenë hera e parë që ajo ka lëshuar mbi Japoni një armë balistike.

Marinsat në Korenë e Jugut, gati për luftë

Pas një seance të jashtëzakonshme që zgjati më shumë se tri orë në Nju-Jork, të gjithë 15 anëtarët e KS të OKB kërkuan nga Koreja e Veriut që të heqë dorë nga testet e raketave dhe t’i respektojë rezolutat e KS të OKB për programin e saj bërthamor. “Këshilli i Sigurimit thekson se, sjellja e Koresë së Veriut rrezikon jo vetëm rajonin, por edhe të gjithë vendet anëtare të OKB”, thuhet në një dokument të përgatitur nga SHBA.
KS është “shumë i shqetësuar” me testet koreanoveriore të raketave mbi Japoninë. Në kumtesë thuhet se Koreja e Veriut “po cënon shumë paqen dhe stabilitetin rajonal”. Në kumtesë nuk përmenden sanksione të reja, por kërkohet respektimi dhe zbatimi i marrëveshjeve të mëparshme.
Megjithë sanksionet dhe kërkesat ndërkombëtare, Koreja e Veriut bëri të martën një test tjetër me raketa. Pushtetmbajtësi Kim Jong Un tha se është “kryer edhe një test i suksesshëm” i një rakete me rreze të mesme, të tipit Hwasong-12 dhe se ai “është shumë i kënaqur”.
Sipas të dhënave të agjencisë koreanoveriore KCNA, Kim tha se testi ishte përgjigje ndaj manovrave ushtarake amerikano-koreanojugore. Testi i kryer në kushtet e një “lufte të simuluar” është vetëm hapi i parë i armatës së Koresë së Veriut, kundër pozicioneve të kundërshtarëve në Guam. SHBA ka stacionuar atje një kontigjent të madh marinsash dhe armësh ajrore.
Diplomatët kishin kërkuar para takimit të KS, masa më të ashpra kundër Koresë. “Por është vendosur që së pari të dënohet testi e më pas të bëhen konsultime për sanksionet shtesë”, tha ambasadori britanik Matthew Rycroft.
Nuk ishte kjo hera e parë që raketat koreanoveriore fluturojnë mbi Japoni. Por ishte hera e parë që një test bëhet pa paralajmërim. Një zëdhënës japonez foli në Tokio për një kërcënim shumë serioz dhe të pashembullt.
Presidenti ameriakn Donald Trump e dënoi këtë test dhe theksoi: “Të gjitha opsionet janë në tryezë”. Ministria e Jashtme e Kinës paralajmëroi se konflikti ka arritur në një “pikë kritike”.

Trump: SHBA ka toleruar Korenë e Veriut

Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis theksoi se, Shteteve të Bashkuara “nuk u mungojnë kurrë zgjidhjet diplomatike”, kur vjen puna për të trajtuar krizën me Korenë e Veriut. Një koment që vjen pasi Presidenti Donald Trump tha se, “bisedimet nuk ishin përgjigjja”, ndaj kësaj çështjeje.
Deklarata e zotit Mattis erdhi si përgjigje ndaj një pyetjeje rreth komentit në Twitter të bërë të mërkurën nga Presidenti Trump, lidhur me trajtimin që Shtetet e Bashkuara duhet t’i bëjnë kërcënimit që vjen nga Koreja e Veriut pas provës më të fundit të raketës balistike të këtij vendi që kaloi mbi Japoni.
Të mërkurën, Sekretari amerikan Mbrojtjes, Jim Mattis u takua në Pentagon, me homologun e tij koreano-jugor Song Young-moo. Takimi zhvillohet, ndërsa dy vendet përpiqen të gjejnë mënyrat se si t’i trajtojnë provokimet e fundit të Koresë së Veriut.
“Vëmë re me besim se keni premtuar të rrisni shpenzimet e mbrojtjes nën Presidentin e ri koreano-jugor. Ne duhet të vazhdojmë të thellojmë marrëdhënien tonë ushtarake, duke ngritur edhe më shumë nivelin e lartë të besimit që ekziston mes dy kombeve tona. Siç kemi parë, kërcënimi për sigurinë në Veriperëndim të Paqësorit është bërë më i ashpër ndaj dhe marrëdhëniet e kombeve tona në fushën e mbrojtjes bëhen më të rëndësishme se kurrë si dhe mbeten themeli i përpjekjeve ndërkombëtare për të zbutur veprimet agresive të Koresë së Veriut”, tha Sekretari amerikan i Mbrotjes.
Presidenti amerikan Donald Trump tha përmes një postimi në Tëitter se, “bisedimet nuk janë përgjigjja” kur është fjala për kërcënimin e Koresë së Veriut, pas provës së saj më të fundit me raketë balistike. Koreja e Veriut tha se rakete balistike që kaloi mbi Japoni ishte një kundërpërgjigje ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara.
Agjencia Qendore Koreane e Lajmeve (KCNA), citoi udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un të ketë thënë se prova me raketë ishte “e ngjashme me një luftë të vërtetë” dhe hapi i parë i ushtrisë së Koresë së Veriut për operacionet e saj në Paqësor dhe “për të përmbajtur Guamin”.
Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe dhe Presidenti i Koresë së Jugut, Mun Jae-in ranë dakord gjatë një telefonate mes tyre sot se, duhet të ushtrohet presion maksimal mbi Korenë e Veriut në mënyrë që ajo të angazhohet në bisedime për zgjidhjen e krizës.
15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mund të kenë ndërmarrë hapin e parë në këtë drejtim, duke lëshuar mbrëmë gjatë një seance të jashtëzakonshme një deklaratë që dënon hedhjen e raketës mbi Japoninë.
“Unë mendoj se ishte një deklaratë shumë e fortë dhe e mirë. Deklarata u miratua njëzëri dhe unë mendoj se ajo i dërgon një mesazh shumë të mirë Koresë së Veriut. Siç e thashë edhe gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, unë shpresoj se Koreja e Veriut do të dëgjojë mesazhin e OKB-së dhe do ta respektojë atë. Ne do të flasim për hapat e ardhshëm, duke filluar tani. Nuk mund ta parashikojmë rezultatin, por sigurisht shpresoj që do të kemi një rezolutë të fortë pas kësaj deklarate”.
Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, u bëri thirrje vendeve të tjera të bashkohen në dënimin e Koresë së Veriut:
“Ne po i bëjmë thirrje çdo vendi që të zbatojë në mënyrë rigoroze, plotësisht dhe menjëherë të gjitha sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndaj Koresë së Veriut. Bota është e bashkuar kundër Koresë së Veriut, nuk ka dyshim për këtë. Ka ardhur koha që regjimi i Koresë së Veriut ta kuptojë rrezikun që po i sjell vetes. Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë vazhdimin e veprimeve të tyre të paligjshme dhe pjesa tjetër e botës është me ne”.
Presidenti Trump shkroi në Twitter se “Shtetet e Bashkuara për 25 vjet kanë biseduar me Korenë e Veriut dhe e kanë toleruar këtë vend. Bisedimet nuk janë përgjigja!” Ndërsa, në një deklarate të lëshuar të martën në lidhje me provën e fundit të Phenianit me raketë, Presidenti Trump tha se “të gjitha opsionet janë të hapura”.
Por, ndërsa Kina u bashkua me dënimin e provës me raketë të Koresë së Veriut, i dërguari i saj u kërkoi vendeve anëtare të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin veprimet provokuese që mund të përkeqësojnë situatën rajonale dhe të punojnë së bashku për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në gadishullin Korean.
Përfaqësuesit kinezë dhe rusë theksuan gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së se nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë çështje.

Artikulli paraprakThaçi e Vuçiç pakt për drejtësinë e Kosovës
Artikulli tjetërChamberlain zyrtarisht lojtar i Livepoolit