Këshilli i Sigurimit debaton gjendjen në Kosovë

Në një takim të zakonshëm të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, përfaqësues të Beogradit dhe Prishtinës sërish paraqitën pikëpamje tërësisht të kundërta për situatën në Kosovë. Serbia përfaqësohej kësaj here nga ministrja e Drejtësisë, Nela Kuburoviç, e cila vuri theksin tek siç tha ajo, kërcënimet me synimin për krijimin e Shqipërisë së Madhe dhe kërkoi nga Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara që të dënojnë deklaratat e zyrtarëve shqiptarë. Ajo e cilësoi situatën në Kosovë si të keqe, duke përmendur deputetin e Kosovës, Daut Haradinaj, për deklaratat siç tha ajo nxitëse gjatë kohës sa i vëllai, ish- kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, po mbahej në Francë në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Beogradi. Ministrja serbe e dënoi vendimin e Gjykatës franceze për lirimin e zotit Haradinaj, duke e cilësuar atë si një vendim politik, “të turpshëm dhe të padrejtë”. Ajo akuzoi ish-shefin e Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ambasadorin William Walker se po angazhohet për krijimin e Shqipërisë së Madhe, duke kujtuar rolin e tij, për siç tha ajo, agresionin ndaj Serbisë. Ajo i lidhi këto veprime edhe me siç tha deklaratat e ish-Ndihmës Sekretares amerikane të Shtetit, Victoria Nulland se Shtetet e Bashkuara kanë punuar për 20 vjet për pavarësinë e Kosovës. Përfaqësuesja e Serbisë theksoi edhe kundërshtimin e Serbisë ndaj krijimit të Ushtrisë së Kosovës, ndërsa kërkoi që Prishtina të përmbushë marrëveshjen për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, hodhi poshtë pohimet serbe se shqiptarët po angazhohen për Shqipëri të Madhe. “Nuk ka Kosovë të Madhe e as Shqipëri të Madhe. Por ka shqiptarë që jetojnë në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbi dhe synimi ynë kryesor është të jemi qytetarë të barabartë në Bashkimin Evropian”, tha ambasadorja Çitaku. Ajo tha se, Kosova është dhe mbetet e përkushtuar ndaj bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por, tha ajo, është e lodhur ndaj standardeve të dyfishta. Serbia, tha ajo, thotë se është për paqe e pajtim, por e keqpërdor vazhdimisht Policinë Ndërkombëtare (INTERPOL) për të lëshuar urdhër arreste ndaj shqiptarëve. Kjo, tha ajo, është rrugë e vjetër e brutalitetit.

Artikulli paraprakInformacionet sekrete të Trump dhe sulmi në mediat Fake News
Artikulli tjetërMerkel-Macron, si nisi aleanca e re për Europën