Kërkoi lirimin nga burgu/ Gjykata rrëzon kërkesën e kapobandës së Vlorës, Zani Caushi

Myrteza Çaushi i dënuar me burgim të përjetshëm, duket se ka ndryshuar mendjen për kërkesën që kishte bërë në Gjykatën e Korçës për të përfituar liri me kusht.

Sot, kur është paraqitur në seancë gjyqësore, ai ka deklaruar papritur se është tërhequr nga kjo kërkesë, duke bërë që gjykata të shkojë drejt pushimit të çështjes.

Mësohet së Çaushi në seancën gjyqësore është shprehur se tërhiqet nga kërkesa pasi sipas tij ka patur gabime në dinamikën e gjykimit.

Ai pretendon se ka kryer 31 vite burg dhe jo 25 sa është deklaruar për të.

Sakaq, Gjykata vendosi se kërkesa e tij ishte e papranueshme dhe pushoi çështjen.

Kush është Zani Caushi?

Myrteza Caushi, njeriu i konsideruar si ‘i forti’ i Çoles, u arrestua në shtator të 1997 dhe pas një beteje të ashpër që zhvilloi me gjykatën mundi të marrë pafajësinë dhe të lirohet në mars të 1999.

Pas një përplasje me armë ku la të vrarë dy persona dhe u plagos dhe vetë, Zani Caushi u arrestua në nëntor të 1999 dhe prej asaj kohe qëndron në qelitë e burgut, pasi është dënuar me burgim të përjetshëm për krijim bandash të armatosura, vrasje, pengmarrje, plagosje etj.

Banda e Çoles

Banda e Çoles u krijua nga Myrteza Caushi, i njohur ndryshe edhe si “Zani”, i forti i Vlorës, personazhi i rebelimit në mars të vitit 1997. Pjesëtarët e grupit ishin 15 persona, shumica me precedentë penalë.

Myrteza Caushi ishte i burgosur në një nga burgjet e sigurisë së lartë në Greqi, pasi kishte disa vepra të rënda penale. Krejt papritur, në muajin shkurt 1997, ai arratiset nga burgu dhe rikthehet në Vlorë, ku duke përfituar nga trazirat, së bashku me disa shokë të tij krijojnë bandën e njohur në gjithë vendin për krimet monstruoze që ka kryer.

Në Vlorë, gjatë trazirave të vitit 1997, u formuan 5 banda. Tri prej tyre ishin rivale me atë të Zanit, Banda e Gaxhait, Banda e Kakamit (shpeshherë bashkoheshin në një grup) dhe Banda e Pusit të Mezinit.

Kjo e fundit u eliminua gjatë masakrës së Levanit më 28 mars 1997. Kjo bandë u nis për të eliminuar Zanin dhe Komitetet e Shpëtimit që po mblidheshin në Vlorë, po u dekonspiruan nga zyrtarë shtetërorë.

Rivalitetin më të madh, banda e Zanit e pati me bandën e Gaxhait. Përplasja midis tyre nisi më 9 maj 1997, kur u vra Bernard Duçka, i njohur si Kuqo, anëtar i bandës së Gaxhait.

Gaxhai në kundërpërgjigje tentoi të merrte autoblindat e Policisë për të luftuar me Zanin, po nuk ia arriti. Me përfundimin e trazirave dhe arrestimin e pjesëtarëve të dy bandave, lufta midis tyre mbaroi.

Ja cila është një pjesë nga kronika e përgjakshme e Bandës së Çoles (Zani Caushit). Banda e drejtuar në vitin e tmerrit nga Zani Caushi kujtohet për shumë krime të rënda, ku disa prej tyre janë:

Më datë 7 maj 1997 merret peng tregtari nga Tepelena, Artur Gjoshi, dhe miku i tij, Pëllumb Petriti. Kjo ngjarje solli një përplasje të ashpër midis bandave të Vlorës dhe atyre të Tepelenës.

Më 8 maj 1997 rrëmbehet tregtari Foto Kola, pas torturave lirohet për 500.000 lekë.

Më datë 9 maj 1997 vritet Bernard Duçka me nofkën “Kuqo”, që kishte shkuar për të ndërmjetësuar për lirimin e Gjoshit. Kundërshtarët për t’u hakmarrë rrëmbejnë vëllanë e ushtarit të Zanit, Avdyl Bajrami, të cilin e vrasin./abcnews.al

Artikulli paraprakDeklarata në faqen zyrtare të PE: Të miratohet marrëveshja e 5 qershorit, pa konsensus nuk ka çelje negociatash…
Artikulli tjetërBerisha publikon foton: Rama me syrin e skuqur nga efekti i kokainës