Kërkohet shtyrja e zgjedhjeve për Kreun e Partisë Demokratike

Kritikët e kryedemokratit Lulzim Basha, anëtarë të Kryesisë së partisë, janë bërë bashkë dhe kanë dalë me një dekaratë të prerë, mes të cilës, ndër të tjera kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve për kreun e PD-së.
Në një deklaratë për mediat, ata kërkojnë që Kryesia e PD-së duhet të mblidhet me urgjencë dhe të marrë masat e nevojshme, përfshirë shtyrjen e zgjedhjeve dhe anulimin e gjithë procedurave të deritanishme, bërë sipas tyre, pa miratimin e kryesisë.

Deklarata e plotë

Në emër të gjithë aktivistëve, anëtarëve të forumeve, deputetëve, personaliteteve dhe figurave publike që janë bërë bashkë në mbrojtje të statutit dhe Partisë Demokratike, e cila bëhet sot publike si qëndrim i përbashkët.
Zgjedhjet e 25 qershorit shënuan disfatën më të rëndë zgjedhore në historinë e Partisë Demokratike. Kundërshtari politik u fut në garën zgjedhore me një bilanc të turpshëm qeverisës, me dështime dhe paudhësi, të cilat janë mbajtur shënim jo vetëm nga shqiptarët, por janë evidentuar edhe ndërkombëtarisht.
Partia Demokratike ka meritën e pamohueshme të denoncimit publik të tyre. Rezultati i zgjedhjeve në favor të qartë të mazhorancës dhe në ndëshkim të fortë të opozitës ishin rezultat i blerjeve masive të votave me paratë e drogës dhe përfshirjes së krimit në proces zgjedhor, por edhe pasojë e gabimeve të rënda të PD.
PD duhet t’u kthejë me urgjencë shpresën shqiptarëve, duhet t’u ringjallë besimin, duhet të shpëtojë demokracinë në këtë vend.
Prandaj një garë e hapur, me rregulla të drejta e të paanshme, me analizë dhe debat alternativash, me konkurrim real dhe respekt e gjithëpërfshirje për sfidantët përbën kushtin themelor për rimëkëmbjen e PD-së.
Kryesia e PD-së duhet të garantojë garë të barabartë, rregulla të ndershme e të paanshme, proces të hapur e transparent, konkurrencë të vërtetë, ballafaqim e debat, sipas statutit dhe rregullores për zgjedhjet, të cilat duhet të miratohen përpara fillimit të procesit.
Bazuar në sa më sipër, Kryesia e PD-së duhet të mblidhet me urgjencë dhe të marrë masat e nevojshme përfshi:
Anulimin e procedurës së nisur pa miratimin e Kryesisë së PD-së;
Ngritjen e një grupi gjithëpërfshirës pune për hartimin e rregullores për zgjedhjet dhe të kalendarit të procesit zgjedhor;
Të miratohen rregullorja dhe kalendari, sipas statutit;
Me hyrjen në fuqi të këtyre akteve, Kryesia të shpallë zgjedhjet në një datë të përshtatshme dhe të pranueshme për të gjithë;
Pas zgjedhjes së kryetarit të ri të fillojë menjëherë procesi për organizimin e kongresit të jashtëzakonshëm të partisë, ku të paraqitet platforma politike për rimëkëmbjen e PD-së dhe për ringjalljen e opozitarizmit në Shqipëri.
Menjëherë pas plotësimit të kërkesave statutore secili nga demokratët ka kushtet për të hyrë në garë me synim bashkimin e partisë.

Erion Piciri shpall kandidaturën për Kryetar të PD

Një tjetër anëtar i PD-së ka konfirmuar se ka regjistruar kandidaturën e tij për kryetar për zgjedhjet e 22 korrikut. Bëhet fjalë për Erion Picirin, i cili ishte kandidat i PD-së në listën për Tiranën në zgjedhjet e 25 qershorit. Piciri ishte renditur i 26 në listë, shumë larg nga vendet fituese. Piciri thekson se programi që ai ka “synon të instalojë në krye të PD-së një lidership autentik, gjithëpërfshirës, të vendosë garën për çdo post partiak dhe publik”. Deri më tani janë regjistruar tri kandidatura për kreun e PD-së, Eduart Selami, Astrit Sinanaj dhe Erion Piciri, ndërsa pritet zyrtarizimi i Astrit Patozit dhe Lulzim Bashës.

Reagimi i Erion Picirit:

Sot depozitova kandidaturën time për kryetar të Partisë Demokratike. Në këto momente të vështira që po kalon opozita shqiptare dhe vendi në tërësi, e ndjej si detyrim politik dhe qytetar të jap kontributin tim në ringritjen e kësaj partie historike. Prej 25 vjetësh e ndjek dhe studioj politikën, e kam pjesë të preokupimit profesional dhe besoj se me pjekurinë e moshës dhe formimit të konsoliduar akademik, mund të jap një kontribut vendimtar në ringritjen e një opozite të bashkuar, luftarake dhe mobilizuese në mbrojtje të interesave tona shoqërore.
Programi im synon të instalojë në krye të PD-së një lidership autentik, gjithëpërfshirës, të vendosë garën për çdo post partiak dhe publik, të rikthejë konceptin e një partie ideologjike, vlerash dhe kauzash, të ridimensionojë PD-në si parti mazhoritare masash nga e djathta konservatore deri tek qendra social-liberale, të bashkojë të rinjtë dhe të vjetrit, të konsolidojë rolin e grupeve themeluese (të përndjekur, pronarë të vërtetë, të diskriminuar krahinorë dhe fetarë), të rrisë peshën e grupeve udhëheqëse të shoqërisë (intelektualët, sipërmarrësit dhe të rinjtë), të krijojë kultin e moralit, njeriut të zot dhe rezultatit, të kufizojë rolin e kryetarit dhe të forcojë rolin e figurave fituese me përgatitje dhe potencial elektoral.
Mbajtja e zgjedhjeve më 22 korrik është e nxituar, joproduktive dhe ndarëse, jo bashkuese dhe konsensuale. Koha është e papërshtatshme dhe pamjaftueshme për një garë të ndershme. Kam besimin se organet e partisë do të institucionalizojnë procesin dhe do të zgjedhin një datë të arsyeshme në fillim vjeshte, në respektim të statutit dhe standardeve. Kështu do të rritet uniteti dhe besimi i të gjithëve tek misioni, procesi dhe vetë lidershipi i PD-së. Kështu hyjnë në garë të gjithë potencialet konkurruese të opozitës, aq të nevojshëm në këtë moment rënieje të thellë elektorale. Partia Demokratike, ashtu siç këmbënguli për zgjedhje të lira dhe të ndershme në rang kombëtar, do të gjejë mençurinë të krijojë kushte për zgjedhje të drejta dhe të ndershme në gjirin e saj.
PD ka hyrë në një krizë rezultati, në një krizë besimi të lidershipit dhe mund të hyjë në krizë institucionale dhe mediatike nëse nuk vë në funksion mekanizmat demokratike të konkurrimit. Lënia në dorë të këtij procesi të atyre që janë traumatizuar nga humbja e garës mund të ketë pasoja mbi vetë unitetin dhe ringritjen e kësaj partie.
Tani është koha që të gjithë të ruajmë qetësinë, të ruajmë funksionimin statutor të partisë, të gjejmë unitetin dhe konsensusin për një garë të hapur dhe të ndershme për të gjithë…

Artikulli paraprakTek Interi nisin largimet
Artikulli tjetërNë zgjedhje të rregullta, PD do merrte 20 mandate më shumë