Kërkesa për arrestim/ Sali Berisha nuk do të shkojë në seancë, ja ku do të jetë në orën 10.00

Gjykata e Posaçme pritet të vendosë sot në orën 10:00 për masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në seancën e sotme do të shqyrtohet kërkesa e SPAK-ut që kërkon ashpërsimin e masës së sigurisë; nga detyrim paraqitje dhe mosdalje jashtë vendit në arrest shtëpie.

Berisha nuk e ka njohur vendimin e gjykatës që të paraqitej të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji duke argumentuar se vendimi është antikushtetues, pasi nuk ishte ndjekur rruga parlamentare.

Po ku do të jetë Sali Berisha ndërkohë që do zhvillohet seanca?

Zyra e shtypit të Sali Berishës ka njoftuar se në orën 10:00 kur do të zhvillohet seanca, ai do të jetë në një bashkëbisedim me të rinjtë e FRPD.

Berisha akuzohet për korrupsion pasiv për çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”. Të mërkurën, në datë 27, në orën 9 në dhomë këshillimi në Gjykatën e Lartë do të vendoset fati i vulës së PD-së.

Togat e zeza do të shqyrtojnë mbi bazë dokumentesh se kush ka të drejtë të mbajë logon e vulës grupi i Bashës, ose grupi i drejtuar nga Sali Berisha. Po ashtu, Berisha ka paralajmëruar një protestë të martën para Gjykatës së Lartë pikërisht për këtë çështje. Të dyja grupimet pretendojnë se ka të drejtë për të drejtuar opozitën shqiptare.

Artikulli paraprakIndeksi i Cilësisë së Jetës Dixhitale, faturat e internetit në Shqipëri më të shtrenjtat në rajon, çalon edhe me cilësinë
Artikulli tjetërShuhet pas 10 orësh zjarri në qendrën tregtare në Lushnjë, nis ekspertiza për dëmet e shkaqet, qytetarët që u asfiksuan nga tymi lënë spitalin