Kërcënohet Mbappe

Tifozët Ultras të Monacos i kanë dërguar një mesazh kërcënues yllit të skuadrës, Kylian Mbappe. Tifozët e Monacos janë të indinjuar nga sjellja e yllit të skuadrës, Kylian Mbappe, i cili ka kërkuar pagë të majme për ta rinovuar kontratën me klubin nga principata. “Kohët e fundit kemi qenë të habitur dhe indinjuar tek shifrat e cituara nga media në lidhje me transferimin e Mbappés, por edhe në paga që ka kërkuar për ta rinovuar kontratën. Ne mendojmë se asnjë lojtar nuk vlen me miliona”, thuhet në deklaratën e ultrasve.
“Ne besojmë në një futboll me vlerat si dashuria e fanellës dhe respekti për klubin në të cilin është formuar. Nuk mund të pranojmë që një nga lojtarët tanë të veprojë në këtë mënyrë dhe të pretendojë shifra të tilla”, vazhdon komunikata e tifozëve të Monacos.
“Ultras Monaco 1994” kanë kërkuar nga klubi që ta zgjedhë këtë çështje sa më shpejt në favor të saj, përcjell “Express”. Ata kanë bërë me dije se askush nuk është mbi klubin. Kylian Mbappe ka zgjuar interesimin e skuadrave të mesha si: Real Madrid, PSG e Manchester City.
Ndërkohë, Monako po kërkon ta zëvendësojë Mbape me sulmuesin e Torinos, Andrea Belotti. Pasi mbeti jashtë radarëve të Milanit, 23-vjeçari është shndërruar objektiv kryesor i Monacos në kampionatin francez. Klubi nga principata e konsideron futbollistin italian si trashgimtarin e Kylian Mbappe, për të cilin PSG mësohet se është gati të shpenzojë plot 140 milionë euro plus kartonin e Lucas Mouras. Me një shifër të tillë arkëtimesh, Monaco nuk do ta kishte problem të paguante klauzolën e largimit të Belottit, që është fiksuar plot 100 milionë euro nga drejtuesit “granata”.
Në fakt, blerja e mundshme e Belottit nga Monaco do të vinte si një efekt domino, gjithmonë me protagonist PSG, që pas çmendurisë së bëri me Neymar, ka planifikuar të tjera shpenzime marramendëse në këtë merkato vere. Përveç Mbappesë, klubi nga principata dëshiron edhe Fabinhon, e në total ky operacion mund t’i kushtojë 220 milionë euro.
Pikërisht nga kjo lëvizje pritet të përfitojë Torino, që është e bindur se Belotti kushton të paktën 100 milionë euro. Për një shumë të tillë çdo ekip jashtë Italisë mund ta bëjë të tijin talentin e futbollit italian.

Artikulli paraprakGoleadori Rooney ndal Cytin
Artikulli tjetërShkëmbi: Ja pse shkova te Liria