Kërcënohet infermieri që denoncoi Beqajn për skandalin te Poliklinika

Infermieri që denoncoi publikisht ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja për skandalin tek Poliklinika e Tiranës. Në një intervistë për “News24”, Frrok Bardhi ka thënë se veprimin e kreu në shenjë proteste dhe revolte ndaj kushteve të këqija ku punon. Infermieri Bardhi tha se ka punuar si infermier për 30 vite, ndërsa askush nuk mund të tallet me bluzat e bardha. Më tej, ai u shpreh se do të lërë punën nëse nuk ndryshojnë kushtet, pasi sipas tij në vendin ku ai qëndron nuk është poliklinikë, por banjo.
Gjithashtu, infermieri i poliklinikës Frrok Bardhi tha se, ka marrë kërcënime, por nuk do të largohet nga Shqipëria. Infermieri tha se, pas ligjit të ri atë e caktuan tek Poliklinika numër 9, por kur shkoi atje dikush i ka thënë se ajo kishte qenë banjo më përpara. Bardhi tha se nuk ka asgjë me Ilir Beqajn, por nuk mund të punojë në një gjysmë banjo.
“Nuk kam asgjë me Ilir Beqaj, pasi i kam qenë edhe në shtëpi kur kishte tezen sëmurë. Grisa bluzën në shenjë proteste. Kjo është bluza, e cila ushqen fëmijët e mi dhe që i shërben fëmijëve të mi. Shkova si çdo ditë në Urgjencën e Tiranës dhe më caktuan në Poliklinikën Nr.9, pasi personeli është shpërndarë në 3 pika sipas rregullores së re. Por kur shkova atje, një zonjë më tha se këtu ka qenë banjo më parë, nuk ja përmend emrin edhe nëse varem në litar. Duhet të ketë një standard të ambulancave. Kur kam parë banjën aty nuk kam dashur të di çfarë bëhet më. Kam disa kolegë ata durojnë aty, kurse unë jo. Unë nuk shkoj të punoj në një gjysmë banjo. Edhe të më bie plumbi ballit nuk shkoj. Nëse me vendosin në atë gjysmë banjo, unë nuk shkoj, le të më pushojnë nga puna. Problemi është se janë marrë ambiente që janë të pafavorshme, pasi aty mund te qëndrojnë vetëm kafshët. Unë se marr vesh pse kanë frikë kolegët”, tha infermieri Frrok Bardhi.
Kam vrarë njeri, kam prerë njeri? Unë nuk di që kam vrarë njeri. Kam ndjerë presion, qoftë me njerëz me syze para-mbrapa.
-Keni ndjerë presion?
Kam ndjerë presion. Në telefon. E kam marrë këtë rrugë, do e çoj deri në fund.
-Kush ju ka bërë presion?
Ka organe të tjera që unë mund të dëshmoj.
-Keni bërë denoncim?
Jo nuk kam pse të bëj denoncim. Kam pas disa kërcënime. Edhe sot tek lagjja ka pasur disa lëvizje, njerëz. Kanë dashur të më kapin për veshi, nëse e kupton.
Do vazhdoj punën, do bëj injeksione. Do vazhdoj punën time. Nuk iki jashtë shtetit, këtu do të jetoj.
-Disa portale kanë prekur edhe jetën tuaj personale…
Jeta ime personale është si për çdo njeri e shenjtë. Unë e di kush fshihet pas tyre. Nuk kanë asnjë lidhje me mua ato që fliten në portale. Nuk më bëjnë përshtypje fare.
-Pavarësisht presioneve jeni i vendosur t’i shkoni deri në fund. Çfarë nënkuptoni ju? Thoni do ta vazhdoj punën, por nuk do të vazhdoj aty ku keni bërë denoncimin tuaj…
Unë do të shkoj tek puna, tek Urgjenca e Tiranës si çdo ditë tjetër. Në momentin që caktohem tek Poliklinika Nr.9, unë nuk do të shkoj. Do të shkoj në Urgjencë. Nuk e kërkoj për veten time, por për të gjithë shokët e mi. Për të gjithë infermierët e mjekët e Shqipërisë. Janë njerëz që duan të punojnë me dinjitet.
-Të gjitha pikat kështu janë, si Poliklinika Nr.9?
Ka 3 pika Tirana. Dyshoj se ministri nuk i di të gjitha gjërat siç janë. Dyshoj se e gënjejnë. Ndryshe thotë ai dhe ndryshe bëjnë ata poshtë tij.

Artikulli paraprakKapen dy shqiptarë në Itali me 10 kg heroinë
Artikulli tjetërNishani mesazh urimi Presidentit gjerman