Ke fat, por e ke të zi…

Albana VOKSHI

Prej disa ditësh tashmë, mendjet e të gjithë shqiptarëve janë “mpirë” nga lajmet tronditëse që po vijnë njëri pas tjetrit.
Dëgjuam që në Sarandë, paskë kishim pasur Eskobarin e Ballkanit, i cili edhe sfidoi me intervistat pompoze nga zyrat e shtetit. Emri i Shqipërisë doli në të gjitha mediat prestigjioze që na kishin në faqe të parë, si rrallë herë ishim në vendin e parë në Ballkan, por për trafik droge. Si thonë? Ke fat, por e ke të zi… Shqiptarisë nuk iu evidentua ndonjë tipar i mirë, por u përfol si vendi që kishte prodhuar një Eskobar të dytë që mund edhe t’ja kalonte atij të parit.
Të njëjtët media prestigjioze shkruajtën që ishte nën mbrojtjen e politikës, ndaj nuk e arrestonin. U zemërua qeveria dhe i kërkoi gazetave që ta përgënjeshtronin. Filloi loja me pasa, jo i imi, jo i joti, jo i PS, por i LSI, financoi apo nuk financoi… e sa ta zgjidhnin mediat vendase apo qytetarët këtë puzzle të çështjes Balilit iu dha mjaftueshëm kohë dhe mundësi që të zhdukej.
Policia nuk hezitoi të arrestonte babain e 3 fëmijëve vetëm sepse rregulloi çatinë e shtëpisë që fëmijët e tij të kishin një strehë të sigurt.
Policia dhe institucionet nuk hezituan të shkatërronin një familje të tërë, e cila pati fatkeqësinë më të madhe të humbjes së dy fëmijëve që po shkonin të takonin babain e tyre në burg.
Por e njëjta polici nuk gjeti mjuaftueshëm fakte për të arrestuar Eskobarin e Ballkanit. Si në rastin Frroku, sistemi TIMS nuk funksionoi, çdo dënim dhe precedent u fshi nga file i tij, Eskobari i Ballkanit tani është i pastër si qelibari, më i pastër se shumë prej jush në këtë sallë, e më tej u ndihmua prej jush të arratisej deri në Kubë siç raportojne disa burime.
Por pa a e marrë veten nga Eskobari që u “arratis”, mediat denoncuan një lajm skandaloz: një pajisje përgjuese ishte futur ilegalisht në Shqipëri, po shfrytëzohej nga Rama prej muajsh për të përgjuar… prej muajsh tashmë. Për Balilin u tha s’ka fakte, s’ka komunikime e përgjime, por për ne, ju siguroj Rama na është futur në çdo shtëpi, e keni prezent në çdo orë të ditës e kudo. Lista prej 375 vetësh e publikuar nga Berisha përfshin politikanë, gazetarë, akademikë, biznesmenë, të cilët ose përbëjnë rrezik ose interes për Ramën. Kjo sjellje s’është gjë tjetër veçse diktatoriale. Të gjithë shqiptarët e moshës mbi 40 vjeç i kanë përjetuar dhe i mbajnë mend metodat e sigurimsave që të hynin në shtëpi me çimka regjistruese.
Por teoricientët rilindas, që këto ditë po merren me zbardhjen e përgjimeve të kundërshtarëve politikë e atyre mediatike, u bënë hit edhe në “Disco lajm” me “meritokracinë Shukriu”. Por siç ka ndodhur me të gjithë abuzuesit e rilindjes, jam e sigurtë që edhe Shukriu do të riintegrohet në Bashkinë e Veliut.
A ju kujtohet drejtoresha këngëtare e qendrës së fëmijëve 3-6 vjeç në Shkodër? Pas rastit të abuzimit me fëmijët në atë qendër, doli ministri Klosi dhe deklaroi se drejtoresha dhe dy kujdestarë janë pushuar nga puna. Po a e dini ku është sot drejtoresha këngëtare? Pasi e bënë anëtare të Asamblesë së PS, tani është emëruar nëndrejtoreshë e Drejtorisë së Konvikteve në Bashkinë Tiranë. Ajo tani është edhe promovuar e do të punojë përsëri me fëmijë të një moshe shumë delikate, me adoleshentë. E keni kthyer Bashkinë Tiranë se punishte riciklimi abuzuesish. I hiqni gjoja nga pushteti vendor dhe i emëroni në Bashkinë e Tiranës.
Pra, cilët janë zanatet që kryesojnë në listën e Rilindjes ku ka vende për t’u punësuar?
Fillon me zanatin: Kriminel?, pastaj abuzues me fëmijë, abuzues me gra; abuzues me postin e punës, trafikant droge, trafikant njerëzish e kështu lista vazhdon më tej me disa nga zanatet që merren nga arsimi profesional për të cilin keni dhënë shumë mbështetje e fonde.
Ishte tronditës lajmi për dhunën fizike dhe seksuale të ushtruar në Qendrën Rezidenciale të Fëmijëve Shkodër. Përshëndes punën e Avokatit të Popullit dhe të Bashkisë Shkodër për zbardhjen e këtij rasti skandaloz. Për ironi, të gjithë dhunuesit i kishin kaluar testet e ministrisë. ?Pra, sistemi i shërbimit social që ju po implementoni ka dështuar, nuk po funksionon.
Prej shumë kohësh po ulërasim sepse mekanizmat mbrojtës dhe koordinues për gratë e fëmijët janë shkatërruar e nuk funksionojnë.
Opozita është e gatshme dhe e ka prioritet ngritjen e një sistemi funksional në mbrojtje të grave e fëmijëve. Po a është ky prioriteti i qeverisë Rama? Dyshoj shumë për këtë.
Pothuajse e gjithë shoqëria reagoi nëpërmjet rrjeteve sociale, të gjithë e dënuan rastin, vetëm dy aktorë nuk reaguan, ende sot nuk kanë reaguar: shoqëria civile, (shoqatat që trajtojnë çështjet e të drejtave të grave) dhe Kryeministri Rama. E keqardhur për mosreagimin e organizatave jo qeveritare, të cilat minimalisht mund të tregonin solidaritet e të krijonin për denoncuesen një bazë sigurie e mbrojtjeje për aktin e saj të guximshëm. Por aspak e suprizuar nga Rama, i cili për çdo budallallëk komenton në faqen e tij në FB, foli edhe për homofobinë që sigurisht e ka prioritet më të madh, por nuk foli për familjen që shkatërroi në ditën ndërkombëtare të familjes. Nuk foli për mijëra familjet shqiptare që i ka rrënuar dhe i ka çuar në varfëri ekstreme. Nuk foli as për të zgjedhurin e tij në Dibër.
Rama premtoi 300 mijë vende pune. Sot, na ?tingëllon ironik deri në acarim slogani bajat i Kryeministrit: vende pune ka, por s’ka zanatçinj.
Sot, bazuar edhe në rastin Shukriu dua të pyes Kryeministrin:
– Çfarë zanati duhet të kishte vajza 20-vjeçare që të punësohej nga Shukriu që ti e përzgjodhe më shumë kujdes si drejtimin e duhur për Dibrën?
– Çfarë zanati duhet të kishte gruaja dhe fëmija e saj 14-vjeçare në Sarandë, të cilës sekretari i partisë i kërkoi favore seksuale në këmbim të një vendi pune për nënën?
– Çfarë zanati duhet të kishin vajzat dhe gratë e Lushnjës që Luiza e Partisë t’í emëronte në arsim?
Vende pune ka, por s’ka zanatçinj – thotë Rama. Vallë për cilin zanat po flet Kryeministri?
– Po cilin zanat apo kriter duhet të plotësonin ato mijëra gra që ju i hodhët në rrugë në shkelje të ligjit për nëpunësin civil?
– Cilin zanat duhet të kenë mijëra gratë që po i hedh në rrugë me të ashtuqujturën reformë spitalore e të cilat mbartin secila një histori më vete profesionalizmi, por të lëna në varfëri e vuajtjeje?
Një grua dje nga Tepelena u shtrua me urgjencë në QSUT Tiranë sapo mori vesh lajmin që u pushua nga puna. Nënë e dy fëmijëve që s’do të ketë me se t’i ushqejë ata. Po çfarë zanati duhet të ketë kjo zonjë për të mbajtur vendet e punës?
Sot, gjithsecila nga të pushuarat nga puna mund të jenë viktima e radhës e ngacmimeve seksuale në këmbim të rikthimit në vende pune?
Punë ka, por zanatçinj nuk ka…- vazhdon thotë Rama…
Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, Rama vajti disa herë në Dibër, bëri fushatë për Shukriun që ia sugjeruan miqtë biznesmenë, të cilët i siguruan që ai mund t’i blinte votat. S’kishte rëndësi çfarë mendonte partia, as kishte rëndësi as çfarë mendonin strukturat e partisë, s’kishin rëndësi çfarë kontribute, madje as opinioni i publikut dibran për Shukriun s’pati asnjë rëndësi. Shoku biznesmen i kishte qepur pazaret. Rama kërkoi votat e PS-istëve, LSI-stëve, qendëristëve, madje Rama guxoi pa iu dridhur syri, të kërkonte ?edhe votat e grave dibrane duke i thënë: Mos votoni për pelihvanin e madh, por votoni për Shukriun, se Shukriu është drejtimi i duhur edhe për gratë dibrane. Ndaj Rama sot i detyrohet një ndjesë të madhe dibranëve dhe një ndjesë akoma më të madhe grave dibrane.
E meqë jemi të fenomeni “Shukri” a e dini të nderuar kolegë se cili ishte dënimi që merrnin pushtetarë si ai në vitet ’30 për abuzim me postin dhe lidhje jomartesore?
Po i referohem një dokumenti ku pasqyrohen rastet kur qeveria parasheh ashpërsimin e ligjit ndaj këtyre fenomeneve:
“?Ju njoftojmë se Prefektura e Tiranës, na raporton se si në bashkinë e kryeqytetit dhe në komunat e qarkut të saj janë vërtetuar raste të bashkëjetesës ilegale, shkelje kurore, më tepër mashtrime me fejesën, me qëllim që të bëhet tregti me femrat, në dëm të moralit dhe të qetësisë publike.
Prefektura e sipërpërmendur posaçërisht në rastin e fundit, propozon internimin e disa personave si masë më efektive respektive, për shkak se gjykimi i çështjeve të paraqitura ndër gjyqet, përveç se vonojnë, ngadonjëherë për mungesë provash dalin të pafajshëm.
Mirëpo siç duket, meqenëse ligji relativ për fajet asodore, nuk parasheh masa të atilla, ju shkrue Prefekturës me fjalë që urdhërojnë organet përkatëse për procedimin e tyne dhe reformimin e akteve të Drejtësisë, për t’u bërë ndjekës në bazë të ligjeve sot në fuqi”.
Fenomeni Shukriu nuk është aspak i shkëputur. JO! Të gjithë jemi koshientë për këtë. Ai në fakt është fytyra dhe modeli i kësaj qeverie të mbërthyer nga korrupsioni, kriminaliteti dhe imoraliteti.
Fenomeni Shukriu është modeli politik i promovuar nga Rama: nuk kanë rëndësi vlerat, por ka rëndësi sigurimi i votave me çdo lloj mënyre (blerje, presion etj.) për “blerjen” e pushtetit edhe për 4 vitet e ardhshme.
Pra, cili është modeli rilindas i Ramës?
Në Parlament Rama solli dhjetëra persona me precedentë penalë në Shqipëri apo jashtë. Askush në botën demokratike nuk arrin edhe në imagjinatën më të shfrenuar të mendojë që Rama mund të sillte në Parlamentin e Shqipërisë, një vend mu në mes të Europës, një kaubojs që qëlloi si në filmat western mbi njerëz brenda një komisariati policie e provat më vonë të zhdukeshin.
Askush, as në imagjinatën më të shfrenuar nuk mund të konceptojë që një deputet i Kuvendit, me bekimin e Kryeministrit të marrë 150 tendera publikë në abuzim flagrant me postin e tij.
Por, a mbaron këtu?
Jo, ndër 46 emrat e PS për pushtetin lokal, Rama përzgjodhi me kujdes njerëz si Roshi, si Shukriu, etj., lista e emrave të kryebashkiakëve të PS me probleme me drejtësinë vazhdoi, gjatë… Roshi ishte viktima e parë e dekriminalizimit, të tjerë do të bien si ai shumë shpejt pas tij.
Dua të ndaj me ju një artikull të shkruar nga z. Ledio Braho, avokat në Dhomën e Avokatisë që e ka analizuar Shukriun si kazuz në të drejtën e punës. Çfarë shkruhet në këtë artikull?? Po citoj:
“Për të gjithë ata punëmarrës marrëdhëniet e punës të të cilëve rregulloheshin nga Kodi i Punës, me apo pa procedura dhe afate njoftimi të respektuar nga Bashkia Peshkopi, që nga dita e sotme kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës Administrative të Tiranës me padi me objekt ‘Dëmshpërmblim për zgjidhje të kontratës së punës pa shkaqe të arsyeshme në masën e një viti page dhe rikthim në vendin e punës’. Një e drejtë e tillë lind pikërisht për shkak të nenit 1s6 të këtij Kodi që rrallë herë mund të jetë aplikuar në jurisprudencën shqiptare për shkak të specifikës së motivit abuziv. Në rastin konkret, jemi në kushtet e motiveve të pandashme nga personaliteti i punëmarrësit, por që nuk kanë lidhje legjitime me raportet e punës siç janë seksi, mosha, gjendja civile dhe gjendja shpirtërore. Normalisht çdo mashkull i punësuar në Bashkinë Peshkopi mund ta ngrejë si pretendim se është larguar nga puna se nuk është femër. Po ashtu çdo femër mbi 20 vjeç mund të ngrejë si pretendim faktin se nuk është 20 vjeç dhe kjo nuk përputhej me shijet e kryetarit për të vazhduar më tej me motive si gjendja civile dhe ajo shoqërore që doemos duhet të plotësojnë disa kritere specifike për t’u përputhur sërish me shijet e kryetarit.
Shukriu, me veprimet e tij është i dënueshëm moralisht dhe ligjërisht, por të paktën do të vërë një standard në jurispudencën e të drejtës së punës, rasti tipik i zbatimit të nenit 146 të Kodit të Punës (ndryshe Neni ‘Shukriu’)”.
Gjej rastin edhe një herë të denoncoj me neveri, edhe në emër të Forumit të Grave të PD, abuzimet në zyrat e shtetit me gratë e vajzat shqiptare.
Kemi denoncuar pushimet e padrejta nga puna për motive politike të mbi 3000 grave dhe vajzave, në mes tyre shumë kryefamiljare, nga administrata publike.
Po denoncojmë pushimet me motiv politik të rreth 1000 grave nga sistemi spitalor, pothuajse të gjitha me probleme sociale.
Gruaja shqiptare është viktima më e madhe e qeverisjes së Edi Ramës. INSTAT informon që papunësia ndër gra e vajza është 35-50% dhe vazhdon të rritet çdo tremujor. Rritja e taksave qendrore e vendore, mbyllja e bizneseve, rritja e çmimeve, mohimi i të drejtave kushtetuese për arsimim dhe shërbim shëndetësor, prishja e mekanizmave të mbrojtjes së të drejtave të grave e kanë përkeqësuar statusin e gruas në shoqërinë shqiptare.
Rama premtoi 300 mijë vende pune?, por solli diskriminim dhe përndjekjen gjinore.
Rama premtoi 300 mijë vende pune, por ngriti një sistem të tërë paralel korruptiv që ofron zgjidhje apo vende pune në këmbim të favoreve të llojeve të ndryshme.
Sot, dua t’i bëj thirrje aktivistëve të të drejtave të grave të mos heshtin, por të mbështesin kurajon e grave dhe vajzave që guxojnë të denoncojnë rastet abuzive.
Sot shoqëria duhet të dalë nga indiferentizmi e të reagojë në mbrojtje të grave dhe vajzave që abuzohen verbalisht, psikologjikisht apo seksualisht në zyrat e rilindasve.
I bëj thirrje organit të akuzës dhe drejtësisë të hetojnë dhe të vënë para drejtësisë të gjithë abuzuesit e grave dhe fëmijëve.
Dua ta mbyll fjalën time me një fjali në një postim të fundit të Joe Biden:
“A job is about a lot more than a paycheck. It’s about dignity and resket!!”.

Artikulli paraprakEdvin pse e ndryshove emrin? U ndalua dy herë në Paris për ikonat e vjedhura
Artikulli tjetërIdentetet e trukuara të mazhorancës