Katër funksionarët e lidhur me drogën në Memaliaj dhe Tepelenë

Deputeti i PD-së, Tritan Shehu me anë të një statusi në Facebook kërkon hetimin e disa zyrtarëve të lartë në Tepelenë e Memaliaj, të cilët sipas tij duhet të mbajnë përgjegjësi për atë që e quan kultivim masiv të hashashit. Shehu thotë se grupet kriminale, si dhe përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, të cilët mbuluan, stimuluan, mbrojtën, fshehën këtë veprimtari kriminale kanë marrë përfitimet e tyre kolosale. Shehu ka përmendur emrat e katër funksionarëve në Tepelenë e Memaliaj, të cilët janë të lidhur ngushtë me trafikun e drogës. Ai akuzoi dy kryetarët e bashkive të Tepelenës dhe Memaliajt, Tërmet Peçin dhe Durim Roshin për lidhje me trafikun, si dhe shefat e policisë së këtyre dy qyteteve, Emiliano Pashaj dhe Argernt Shyti, që të dy vijojnë të qetë në zyrat e tyre ndërkohë që janë protagonistët kryesorë të trafikut të drogës në këto dy qytete e zonat përreth. Sipas Shehut, Prokuroria duhet të hapë dosje për kryebashkiakët e shefat e komisariateve që siç thotë ai kanë dijeni e kanë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme. “Në Tepelenë e Memaliaj asnjë masë ndëshkuese për kanabisin. Në këto dy bashki u kultivuan sasi kolosale kanabisi. Përfitimet i morën grupet kriminale, si dhe përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, që e stimuluan, mbrojtën, fshehën këtë veprimtari kriminale, gjë për të cilën fshatarët u paguan një ‘haraç’ të lartë dhe sot vazhdojnë të jetojnë nën terror për sa kanë bërë. Ç’po bën Prokuroria që nuk ka hapur asnjë ‘dosje’ për ata, siç e kërkon qartë edhe Ligji 9559, neni 1, pika 3 i vitit 2006? Po shteti në tërësi? Asgjë, asgjë, asgjë. Dy kryetarët e bashkive, të Tepelenës e Memaliajt, z.Tërmet Peçi dhe Durim Roshi vazhdojnë të qetë në zyrat e tyre. Duhej që qeveria të fillonte procedurat e shkarkimit të tyre. Për më keq shefi i Komisariatit të Tepelenës, Emiliano Pashaj qëndron i patundur në postin e tij, ndërsa ai i Memaliajt Argernt Shyti i paprekur veçse ka kaluar në Dibër! Kështu nuk mund të luftohet krimi, droga e të vendoset ligji, si dhe të shpëtojnë qytetarët nga pesha e kriminalitetit. Me shumë të drejtë banorë të atyshëm më ngritën këto shqetësime, duke më theksuar se asgjë nuk ka ndryshuar në ato dy bashki”, shprehet Shehu.

Artikulli paraprakDelawie: Shtetet ta njohin Kosovën, pavarësia është e pakthyeshme
Artikulli tjetërKryemadhi: Koha për zgjim popullor