Kapja me koncesionet

Teksa Shqipëria është në kulmin e lëshimit me koncesion të shërbimeve publike ndaj privatëve, Komisioni Europian dhe Banka Botërore po hedhin alarmin se këto forma të reja investimi, që kanë lulëzuar kryesisht në dekadën e fundit, janë vështirësisht të kontrollueshme dhe shpesh me kosto për qytetarët edhe në vendet e zhvilluara.
Por këto konkluzione nuk po e pengojnë qeverinë të faturojë kosto të pallogaritshme te qytetarët, të cilat nëpërmjet valës së re të koncesioneve, jo vetëm që do të shtohen në vitet në vijim, por janë edhe një rrezik i madh për stabilitetin fiskal të vendit në periudhë afatgjatë.
Teksa bizneset e koncesioneve kryesojnë listën e bizneseve të mëdha, nga ecuria e deritanishme ato kanë çuar më shumë kosto te qytetarët se sa përfitime. Praktikat shqiptare të këtyre investimeve janë të frikshme. Bizneset dhe qytetarët shqiptarë po paguajnë edhe për shërbime që nuk u ofrohen kurrë.
Grosistët e cigareve pohuan se kostoja e pullës fiskale është rritur me tre herë me dhënien e saj me koncesion ndaj kompanisë “SICPA”. Vitin që shkoi llogariten 3.2 milionë euro pagesa vetëm për pullën fiskale nga grosistët e cigareve, të cilat janë transferuar në çmimet për konsumatorët fundorë, me më shumë se 2 lekë për paketë, ndërkohë që importi i cigareve është në rënie pikiatë dy vitet e fundit, çka tregon se ky shërbim nuk ka kryer funksionin e tij, atë të uljes së informalitetit.
Bizneset në Portin e Durrësit paguajnë një tarifë 50 lekë për paletë, e cila nuk është në librin e tarifave që ushtrohen në port, por vilet nga koncesionari “Albanian Ferry Terminal” dhe qeveria nuk ndërhyn. Në koncesionin e skanimit në dogana “Rapiscan” dhe për shkak të një gabimi në rinegocimin e kontratës, biznesi e pagoi fillimisht dy herë tarifën 22 euro për çdo deklaratë doganore, ndërsa financat u detyruan ta rishikojnë sërish marrëveshjen, me koston që tani do ta mbajë vetë buxheti.
Tarifa që do të reflektohet në çmimet e mallrave të importit rrezikon ta bëjë Shqipërinë më pak konkurruese në tranzitimin e mallrave në rajon.
Absurditeti qëndron në faktin se këtë tarifë e paguajnë edhe importuesit që nuk e marrin këtë shërbim dhe se një praktikë e tillë nuk aplikohet në asnjë vend europian.
Britanikët e “Crown Agents” dështuan në përmbushjen e detyrimeve për të rritur të ardhurat doganore me 100 milionë dollarë në vit. Por ata përfituan ndërkohë pagesat 8.5 milionë euro nga taksapaguesit shqiptarë.
Por të gjitha këto disfata nuk po shërbejnë si mësim për më shumë maturi në kontrata të tilla në të ardhmen.
Forma e re e koncesioneve me partneritet publik privat është kthyer në një rrezik real për arkën e shtetit, e cila duhet të paguajë një faturë të lartë kundrejt bizneseve që menaxhojnë këto koncesione, ndërsa nuk ka një analizë të saktë kosto-përfitime për të parë se sa përkthehen këto partneritete në shërbime eficente për qytetarët.
Aktualisht, janë në fuqi 6 kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), të cilat marrin mbështetje buxhetore, si dhe pritet që gjatë vitit 2017 të fillojnë dhe 2 kontrata të reja të lidhura nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Shëndetësisë. Pagesat nga arka e shtetit për këto kontrata, deri në vitin 2025, janë programuar të jenë 68 miliardë lekë (rreth 500 milionë euro) nga të cilat, vetëm për vitin që vjen, do të paguhen mbi 7.3 miliardë lekë.

“Monitor”

Artikulli paraprak290 milionë për katër koncesione
Artikulli tjetërTërmeti i Bankers rrënon banesat në Patos Marinzë, qeveria hesht