Kapet me 4.8 kg heroinë në Greqi, arrestohet shqiptari

Një tjetër sasi droge është kapur dje në Greqi, ndërsa një shtetas shqiptar, i moshës 24 vjeç, është arrestuar për trafik heroine. Sipas komunikatës së policisë, arrestimi ishte rezultat i një aksioni të befasishëm, që u krye nga njësia antidrogë e Korfuzit, në qytezën Etoliko, midis Agrinios dhe Mesologit. Gjatë kontrollit në banesën e 24-vjeçarit, në një vend të fshehtë në oborr, u gjetën 11 qese plastike, brenda të cilave kishte një sasi heroine prej 4,85 kg.
Policia thotë se 24-vjeçari magazinonte aty heroinën, që pastaj në mënyrë sistematike ua shiste përdoruesve të drogës. I arrestuari do të dalë para prokurorit në Korfuz, i akuzuar posedim dhe trafik droge.
Ndërkohë, një sasi prej 53 kg drogë është sekuestruar së fundmi në Gjermani dhe një shqiptar është arrestuar. Rreth orës 23:49 të 10 prillit, në një banesë në qytetin verior gjerman Hamburg-Hinschenfelde, konkretisht në rrugën Lomerstraße, autoritetet e policisë gjermane kanë arrestuar një 40-vjeçar shqiptar për trafikim të lëndëve narkotike, shkruan “Focus”.
Qiradhënësi kishte lajmëruar zjarrfikësen, për shkak se nga çatia e shtëpisë pikonte ujë. Arsyeja ishte një defekt me lavatriçen. Por, gjatë kontrollit të imtësishëm në shtëpi, u gjetën 37 pako me marijuanë me peshë 52 kilogram marijuanë dhe një kg amfetamin.
Shtëpinë e kishte marrë me qira 40-vjeçari shqiptar, ndërsa nën hetim në gjendje të lirë janë edhe dy persona që jetonin me të, një 49-vjeçar tunizian dhe një 44-vjeçar algjerian. Gjykata ka vendosur masën e arrestit me burg vetëm për shqiptarin, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur nga mediat gjermane.

Artikulli paraprakGrabitet me armë një kompani në Durrës
Artikulli tjetër600 kg drogë me vlerë 6 milionë euro nga Shqipëria kapen në Bari