Kapen në Greqi 230 kg drogë nga Shqipëria

Policia greke ka sekuestruar 230 kg marijuanë në një operacion të zhvilluar në Janinë. Në kuadër të këtij operacioni të realizuar në fshatin Likostomo, Janinë, janë arrestuar 4 persona me kombësi greke. Fillimisht është ndaluar një mjet në të cilin ndodheshin dy femra, përkatësisht 25 dhe 24 vjeç, të cilat ishin furnizuar në kufirin e gjelbërt.
Në mjetin e këtyre të fundit janë gjetur 77 pakot me 230 kilogramë e 150 gramë marijuanë. Më pas nga policia helene është ndaluar edhe një mjet tjetër që shërbente për kontrollin e rrugës, ku janë arrestuar dy meshkuj grekë 22 dhe 24 vjeç.
Një ditë më parë, policia greke sekuestroi 43 kg drogë në Janinë dhe vuri në pranga një shqiptar. Policia u vu në ndjekje të shqiptarit dhe arriti ta ndalonte në një rrugë sekondare pranë fshatit Mazaraki, 35 km larg pikës kufitare të Kakavijës. Në sedilen e pasme të automjetit, u gjetën dy çanta me 40 paketime, që përmbanin 43 kg kanabis.
30-vjeçari kishte me vete edhe një pistoletë të tipit “Tokarev” dhe një thikë, që iu sekuestrua, ashtu si dhe droga e automjeti. Në banesën e tij, në Igumenicë, policia sekuestroi dhe një shumë monetare prej 1.100 eurosh, që e konsideron si produkt të trafikut të drogës, si dhe 5 pilula narkotike. 30-vjeçari do të dalë para prokurorit të Janinës, ndërkohë që policia po vijon hetimet për të zbuluar destinacionin e drogës.

Artikulli paraprakGardisti i vë armën në kokë një personi, tmerron qytetarët
Artikulli tjetër“Hakmarrja”, 4 gomone në natë me drogë drejt Italisë