Kampionati që “zhduk” qendërsulmuesit

Europiani, ashtu si pjesa më e madhe e eventeve ndërkombëtare, do të shërbejë si një vitrinë ku të gjithë do të kenë mundësinë të jenë dëshmitarë të ndryshimeve taktike që futbolli ka pësuar në vitet e fundit. Një prej aspekteve më interesante është ai i dedikuar sulmuesve të 24 skuadrave pjesëmarrëse. Gjithsesi, një vëmendje jo të vogël do të tërheqë edhe roli i mesfushorit të avancuar. Lojtarët që aktivizohen në këtë rol kanë mundësinë të ndryshojnë fytyrën e ndeshjes me vetëm disa prekje. Ata janë në gjendje t’i japin një ritëm të ri takimit, por kjo nuk do të thotë se roli i sulmuesit bie.
Europiani është shumë i ngjashëm me një sfilatë mode. Teknikat e vjetra që kishin dalë nga moda prej kohësh, riprezantohen të perfeksionuara. Polonia psh., do t’i bazojë pritshmëritë te dyshja Lewandowski-Milik, por edhe Italia do të tentojë të niset me dy sulmues. Një diskutim i ngjashëm mund të bëhet edhe për Suedinë, Islandën dhe Irlandën e Veriut. Të gjitha skuadrat me dy sulmues të deklaruar, por lojtari i dytë do të luajë disi më i fshehur për të mbështetur majën e repartit të avancuar. Në krahun tjetër qëndrojnë skuadrat me një sulmues të gjatë dhe shumë të tjerë që sillen rreth tij. Kroacia, Franca e Gjermania janë shembujt tipikë, ndërsa Spanja do të zhvillojë të njëjtën lojë ofensive ku nuk dallohen qartë ndarjet e përgjegjësive mes një sulmuesi dhe një mesfushori apo edhe mbrojtësi.
Kjo formulë penalizon dukshëm qëndërsulmuesit, të cilët po gjejnë edhe më pak hapësira dhe për këtë arsye mund të konsiderohen një specie në zhdukje. Po, po, në zhdukje, pasi në Europian do të luajnë edhe skuadra pa qëndërsulmues të vërtetë. Uellsi dhe Portugalia do të ndjekin këtë model. A do të jetë ky europiani që do të dënojë përfundimisht rolin e qëndërsulmuesit? Duhet të presim datën 10 korrik për të dhënë një mendim më të saktë.

Artikulli paraprakRilindja po bie!
Artikulli tjetërEuro, formacioni më i mirë në histori