Kalon vettingu e ndryshimet në Kodin Penal

Eshtë votuar dje me 123 vota pro, krijimi i komisioneve ad hoc  të vettingut që do të bëjnë të mundur ngritjen e komisioneve të rivlerësimit për figurën e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Votimi ishte dakortësuar më parë nga marrëveshja mes mazhorancës dhe opozitës. Në ndryshimet që i janë bërë ligjit për funksionimin e organeve gjyqësore, pjesëmarrja e opozitës në ngritjen e institucioneve që do të bëjnë rivlerësimin e figurës së gjyqtarëve ishte e rëndësishme. Në çdo komision parlamentar, të kontrollit të figurës së anëtarëve të komisionit të vlerësimit  prania e opozitës parashikonte gjysmën e anëtarëve të komisionit. Janë këto komisione që do të bëjnë përzgjedhjen e kandidaturave të dërguara nga Avokati i Popullit, për të vazhduar më tej. Janë tre komisione gjithsej ku dy prej tyre janë me nga gjashtë anëtarë, 3 nga opozita dhe tre nga mazhoranca dhe një komision tjetër me 12 anëtarë ku gjashtë prej tyre i takojnë opozitës. Ligji parashikon që vlerësimi i komisionerëve të vettingut, të kalojë nëpër një procedurë përzgjedhëse ku çdo njëri prej tyre duhet të marrë shumicën e votave të të gjithë anëtarëve. Pra, asnjë kandidaturë që gëzon besimin e opozitës s’mund të kalojë pa miratimin e opozitës, dhe anasjelltas, asnjë kandidaturë që gëzon besimin e opozitës, s’mund të kalojë pa marrë votat e anëtarëve të mazhorancës.

Ministrat dhe anëtarët e KQZ

Seanca e djeshme ishte e ngarkuar me një sërë dekretesh dhe projektligjesh për miratim. Votimi i 6 ministrave të propozuar nga opozita dhe  zëvendëskryeministrit u bë që në fillim të seancës. Duke filluar nga mbrëmja e djeshme, shtatë poste qeveritare do të kenë në krye të tyre personat e propozuar nga opozita, të cilët në bazë të marrëveshjes së 17 majit, do të jenë aty për të garantuar që shteti dhe mekanizmat e tij do të qëndrojnë larg zgjedhjeve në 25 qershor. Zëvendëskryeministri, ministri i Brendshëm, Financat, Shëndetësia, Arsimi, Puna dhe Çështjet Sociale do të monitorohen nga të zgjedhurit e opozitës. Ligji për zgjedhjet sanksionon qartë se, resurset njerëzore dhe materiale s’mund të përdoren nga asnjë forcë politike në fushatë elektorale. Gjithashtu, një post i rëndësishëm është dhe ai i ministrit të Brendshëm një prej institucioneve më problematike në këto katër vjet, për shkak të problemeve dhe implikimit në trafikun e drogës dhe infiltrimit në krimin e organizuar. Menjëherë pas votimit në Kuvend, të gjashtë ministrat dhe zëvendëskryeministrja bënë betimin tek Presidenti Nishani. Por dje, në Kuvend u votua dhe kryetari i ri i KQZ. Ai do të jetë Klement Zguri, një prej anëtarëve më të vjetër në këtë institucion. Denar Biba kryetari aktual, është zgjedhur anëtar i KQZ. Gjithsesi, mazhoranca vazhdon të ketë shumicën në këtë institucion. Menjëherë pas votimit, kryetari i ri i KQZ-së, Klement Zguri bëri dhe betimin. Një votim tjetër i rëndësishëm institucional ishte dhe ai i Avokatit të Popullit. Në këtë post, Erinda Ballanca do të zëvendësojë Igli Totozanin, që i ka mbaruar mandati. Duhet theksuar se Avokati i Popullit është një hallkë e rëndësishme dhe në përzgjedhjen e kandidatëve për Komisionet e  Vettingut.

Kodi Penal

Por, dita e djeshme do të shënojë dhe ndryshimin e  Ligjit në Kodin Penal, dhe pikërisht atë që ka të bëjë me trafikimin e votës. Tani e tutje, kush tenton të blejë vota në fushatë elektorale, por dhe ditën e zgjedhjeve rrezikon deri në shtatë vjet burg. Ligji parashikon dënime dhe për ata që e shesin votën, të cilët pas hyrjes në fuqi të tij, parashikojnë të dënohen nga 1 deri në katër vjet burg sipas rastit. Ligji u imponua nga situata aktuale, ku me mijëra hektarë në vend u mbollën me kanabis, dhe të gjitha raportet e ndërkombëtarëve paralajmëronin rrezikun e implementimit të kësaj paraje në zgjedhje. Në fakt,  blerja e kartave të identitetit dhe blerja e votës direkt jo në pak raste kanë deformuar rezultatin e zgjedhjeve. Ndërkohë, po dje u miratua dhe një shtesë në ligjin për partitë politike, që synon të frenojë shpenzimet marramendëse, kryesisht nga partitë e pushtetit në fushata elektorale.

Votat për ligjet në seancën e jashtëzakonshme

Projektligji për Kodin Penal 115 vota
Mediat Audiovizive  115 vota pro
Komisionet e Vettingut 123 vota pro

Denar Biba, anëtar i KQZ, 113 vota pro
Klement Zguri,  Kryetar i KQZ, 113 vota pro

Avokati i Popullit
Erinda Ballanca, 112 vota pro

Armand MAHO

Artikulli paraprakNgrihen Komisionet e Vetingut, ja kush janë emrat e opozitës
Artikulli tjetërBerisha për Blushin: Sillet si dashnor i tradhëtuar