Kalkulimi i presidencialeve, kush i fiton zgjedhjet e 8 nëntorit

Çdo katër vjet, pak a shumë në këtë pikë të garës elektorale për Shtëpinë e Bardhë, domethënë kur votimet janë afër, nis të hyhet në detajet e numrave, projeksioneve, historive, “swing states”, ndryshimeve demokratike dhe basteve. Arti i parashikimit ka ardhur duke u përmirësuar shumë, mund të vlerësohen me një siguri pothuajse absolute shumë fenomene dhe tendenca, por mbesin gjithsesi marzhet e gabimit dhe ajo paparashikueshmëri që as studimet më të hollësishme nuk mund ta kapin. Në këtë sezon elektoral në të cilin është kryer tashmë një gabim i madh – të nënvlerësohen perspektivat e Donald Trump – që asnjë justifikim, motivacion apo pranim nuk ka mundur ta korrigjojë, paparashikueshmëria merr emrin në të vërtetë pa statistikor të “ethes trumpiane”. Presidenti i Pew Research Center thotë se bëhet fjalë për “një sfidë multidimensionale”. Nga njëra anë duhet vlerësuar “ndrojtja” e votuesve që nuk thonë se votojnë Trump, edhe pse e bëjnë. Por shumë ekspertë theksojnë se votuesit e Trump mund të jenë të pakapshëm në shumë aspekte, por sigurisht nuk janë të ndrojtur: janë krenarë për votën dhe tifozllëkun e tyre dhe çdo herë që gjejnë favorin e telekamerës përsërisin që të mos e lësh veten të gënjehesh nga mediat apo sondazhistët, do të fitojmë ne. Nëse ajo që shihet është ajo që është, ndryshorja që bëhet vendimtare është ajo e mobilizimit: partitë dhe kandidatët antiestablishment e kanë demonstruar tashmë në raste të tjera – shiko Brexit – se arrijnë të motivojnë një elektorat që zakonisht nuk voton dhe që kështu ka shumë gjasa të mos jetë llogaritur në vlerësimet që bëhen duke u bazuar në të dhënat historike. Nëse vërtet “ethja trumpiane” realizohet në një mobilizim të madh – të cilit bile i korrespondon një votë e vaktë për Hillary Clinton – atëherë surprizat nuk janë për t’u përjashtuar. Për pasojë, do të kufizohemi të flasim për shtete, sondazhe, projeksione për të kuptuar se çfarë kthese po merr, nga këtu në ditën e votimit dhe veçanërisht gjatë natës elektorale, zgjedhja e Presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara.

Numri i vetëm për t’u mbajtur mend: 270
Kolegji elektoral i Shteteve të Bashkuara është institucioni që zgjedh Presidentin dhe zëvendëspresidentin çdo katër vjet: qytetarët amerikanë nuk e zgjedhin drejtpërsëdrejti banorin e Shtëpisë së Bardhë dhe numrin dy të tij, por zgjedhin përfaqësues, të ashtuquajturit “votues të mëdhenj”, që kanë marrë impenjimin të votojnë kandidatin republikan apo atë demokrat. Numri i votuesve të mëdhenj, të vendosur shtet për shtet, është i barabartë me numrin e anëtarëve të Kongresit të zgjedhshëm në shtetin përkatës, që nga ana e tij varet nga dendësia e popullsisë së tij. Kështu, gjithsesi votuesit e mëdhenj janë 538, që i korrespondon 435 deputetë, 100 senatorë dhe 3 votues shtesë të atribuar District of Columbia. Për t’u zgjedhur në Shtëpinë e Bardhë duhet fituar minimumi 270 votues të mëdhenj.

Pjesëmarrja në votime
Historikisht, Shtetet e Bashkuara kanë pasur një pjesëmarrje të ulët në votime respektivisht demokracive të tjera perëndimore. Studiuesit e çështjeve elektorale vazhdojnë të lodhen për të kuptuar se pse, duke parë që të dhëna të tjera – pjesëmarrje në aktivitetet politike lokale, impenjim civil, etj., – e përjashtojnë që të bëhet fjalë për apati politike totale të një pjese të mirë të popullsisë. Jo rastësisht, shtetet ku një parti fiton me distancë të shkurtër janë edhe ato ku pjesëmarrja në votimet presidenciale është më e ulët: ndoshta ata që nuk shkojnë në votime janë, në zemrën e tyre, aktivistë të zjarrtë që nuk ndjejnë nevojën ta manifestojnë preferencën e tyre në një kontekst pa histori. Një motivacion që ka të bëjë me pengesat burokratike që dekurajojnë votuesit: për të votuar duhet të regjstrohesh, gjë që kërkon formularë, zyra, afate, të cilat është e lehtë t’i harrosh. Pastaj, votohet të martën, jo në fundjavë, mbeturinë e kohës së dikurshme: të dielën kishim ndalimin e udhëtimit, të hënën me karrocë apo me ndonjë mënyrë tjetër niste udhëtimi nga fshatrat drejt vendvotimit më të afërt, të martën votohej. Kështu që sot election day i bie një ditë pune e zakonshme: një tjetër pengues. Pastaj, të dënuarit për krime të caktuara humbasin të drejtën e votës: duke qenë se Amerika ka popullsinë e burgjeve më të madhe në botë, kjo do të thotë se rreth 2.5 për qind e popullsisë në moshë elektorale nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje. Më 2008, gara e madhe e Barack Obamës, pjesëmarrja ka prekur 58 për qindëshin, e krahasueshme me vitet e Kennedy dhe Lyndon Johnson. Katër vite më parë është ndalur në 4 pikë më pak, fleksion normal kur është një president në kërkim të rizgjedhjes.

Votat peshohen
Jo të gjithë votuesit janë njëlloj, ka nga ata që vlejnë më shumë dhe ata që vlejnë më pak. Jo çdonjëri vlen një. Kjo varet nga mospërputhjet e mëdha të popullsisë midis shteteve të ndryshme: Wyoming është ai me popullsi më të vogël (584153 banorë), por nuk mund të ketë më pak se 1 deputet dhe 2 senatorë në Washington (domethënë 3 votues të mëdhenj). Për pasojë, pesha e votës së një votuesi të Wyoming është më e lartë se ai i të gjitha shteteve amerikane. “Voting power” i tij është 7 herë më shumë se ajo e një njujorkezi, që mbyll këtë klasifikim special. Që ky koeficent nuk ka pasoja në terma reale e demonstron fakti që kandidatët as për së largu nuk shfaqen në Wyoming, ku fitojnë me duar në xhepa republikanët, as në New York, që dikur e quanin qyteti më perëndimor i Bashkimit Sovjetik. Shtetet vërtet të kontestuara janë pothuajse të gjithë në pjesën e poshtme të renditjes lidhur me “peshën” e votës. Por mbetet objeksioni parimor mbi pabarazinë e përfaqësimit, të përcaktuar shumë më parë se të shtresëzoheshin zakonet e votimit dhe harta të ngjyrosej në një mënyrë të caktuar kuqeblu. Kush është përgjegjësi i dy peshave në kutitë e votimit? Më popi i etërve themelues, Alexander Hamilton, me simpatitë monarkike dhe dyshimin e tij ndaj parimeve demokratike në pastërti.

Mitikët swing states
Gjithsej, sipas projeksioneve të sotme, swing states kanë të bëjnë me caktimin e 111 votuesve të mëdhenj. Bëhet fjalë për këto shtete: Florida (29 votues të mëdhenj), Ohio (18 votues të mëdhenj), North Carolina (15 votues të mëdhenj), Nevada (6 votues të mëdhenj), Iowa (6 votues të mëdhenj), Arizona (11 votues të mëdhenj), Georgia (16 votues të mëdhenj), Virginia (13 votues të mëdhenj). Midis tyre, më të përfolurit janë Florida dhe Ohio, sepse i pari ka qenë tragjedia e kandidatit president Al Gore dhe e vendimit të Gjykatës së Lartë (ka akoma sot një korrent mendimi që spekulon lidhur me “po sikur”, sesi do të kishte shkuar historia në rast se Gore do ta kishte fituar Floridan) dhe sepse i dyti është “shteti që nuk mund të mos e fitosh po të duash të bëhesh President” (veç në mos e ke mbiemrin Kennedy). Në Florida ka 29 votues të mëdhenj dhe për momentin sondazhet japin një avantazh të lehtë të Clinton. Në fund të shtatorit, shifrat qenë përmbysur, konsensusi për Hillary-n kishte rënë shumë dhe Trump ka pasur një pikë. Mesatarja e sondazheve të RealClearPolitics e nxjerr Clinton në avantazh me 2.7 pikë përqindjeje: nga të gjitha sondazhet në shtet, vetëm Emerson e nxjerr përpara Trump, me 1 pikë përqindjeje. Hispanikët kubanezë – domethënë konservatorë dhe me pak simpati për meksikanët – pensionistët e bardhë dhe hebrenjtë ortodoksë janë grupet për t’u siguruar për të fituar një shtet që vendoset në dy apo tri konte kyçe. Ohio numëron 18 votues të mëdhenj dhe famën e të qenit shteti që vendos Presidentin. Është aq në dyshim sot që Hillary jepet në avantazh me 0.5 pikë përqindjeje, domethënë asgjë, po të kesh parasysh marzhet e gabimit. North Carolina ka 15 votues të mëdhenj dhe vjen nga javë shumë të trazuara në të cilat Trump ka qenë shumë në avantazh dhe me një konstancë të caktuar. Në 10 ditët e fundit, Hillary ka arritur pikun e konsensusit. Për momentin, mesatarja e sondazheve e jep në avantazh me 2.6 për qind. Në Nevada, 6 votues të mëdhenj, ka qenë në avantazh Clinton gjatë gjithë verës: jo në avantazh, por në avantazh të jashtëzakonshëm. Në shtator ka nisur një përmbysje e tendencës që e ka afruar shumë me Trump dhe në fillim të tetorit të dy janë dhënë në barazim rreth 42 për qind. Tani në mesataren e sondazheve, Clinton është përpara me 1.4 pikë përqindjeje. Këtu Trump ka shqiptuar shprehjen legjendare: “I love the poorly educated”. Në Virginia, 13 votues të mëdhenj, Clinton është qëndrueshëm në avantazh me një diferencë prej 7.5 për qindësh. Zgjedhja e Tim Kaine, senator i këtij shteti, si kandidat zëvendëspresidencial ka një kuptim strategjik të qartë: fitorja e këtij shteti mund t’i mundësojë Hillary-t që të arrijë kuotën 270 pa fituar Florida dhe Ohio. Iowa, shteti në të cilin gjithçka është në lojë (gaxheti femëror më i kërkuar është një bluzë me në gjoks shkrimin “Në Iowa asgjë nuk është e sheshtë”), numëron 6 votues të mëdhenj dhe është luftuar shumë – barazi substanciale – gjatë gjithë fushatës elektorale. Sot në fakt avantazhi i Trump është konsoliduar dhe në mesataren e sondazheve kandidati republikan është përpara me 3.7 pikë përqindjeje. Arizona ka 11 votues të mëdhenj dhe përgjithësisht konsiderohet si shtet i kuq, as Barack Obama nuk ka arritur ta fitojë. Trump ka qenë gjithmonë në avantazh, është akoma sot, ama vetëm me 1 pikë përqindjeje. Tërheqja e endorsement për Trump nga ana e John McCain, senator i Arizona, është një dhuratë nga Zoti për Hillary. Prej kohësh demokratët ëndërrojnë ta transformojnë në një “purple state”. Me 16 votuesit e mëdhenj të saj, Georgia ka qenë një shtet fushëbetejë për një pjesë të mirë të verës, por në shtator distanca midis Trump dhe Clinton është rritur në avantazh të Trump, që tani është përpara me 5 pikë përqindjeje.
Për ta përmbledhur: nëse Hillary Clinton do të arrinte të fitonte North Carolina, Nevada, Virginia dhe Maine, mund edhe ta humbasë Floridan e Ohion duke u zgjedhur prapëseprapë presidente. Nëse Donald Trump do të arrinte të fitonte Nebraska, 3 shtetet fushëbeteja ku është në avantazh – Iowa, Arizona e Georgia – si edhe Florida e Ohio akoma nuk do ta arrinte kuotën magjike të 270 votuesve të mëdhenj. Pra, jo më një vend me dy parti, por dy vende njëpartiake…

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakPresidenti kthen në Kuvend taksën për Dhomat e Tregtisë
Artikulli tjetërE kuqja dhe bluja