Kaçe huazohet te Victoria Plzen

Më në fund, Ergys Kaçe zgjidh ngërçin me PAOK-un e Selanikut. Mediat greke bënë të ditur se mesfushori shqiptar vendosi të rinovojë kontratën me klubin e superligës ku është formuar si futbollist. Përfaqësuesit e lojtarit dhe drejtuesit e PAOK gjetën akordin e përbashkët, ndërsa firmosja e kontratës cilësohet thuajse e përfunduar, pavarësisht se duhen saktësuar disa detaje si janë afati i rinovimit për dy ose tre vjet dhe kushtet ekonomike të marrëveshjes së re.
Pavarësisht të gjithave, Kaçe do të firmosë, sepse vetëm në këtyre mënyrë do të arrinte të finalizonte huazimin te Viktoria Plzen. Udhëtimi drejt Republikës Çeke, për t’u prezantuar me skuadrën e re do të realizohet menjëherë pas finalizimit të kontratës në Selanik.
Largimi i mesfushorit kuqezi është një fakt i kryer, edhe sepse prej ngërçit që lidhej me kontratën, stafi teknik me në krye trajnerin Vladimir Iviç e ka lënë futbollistin jashtë projektit të ekipit për sezonin e ri. Me PAOK-un që ka zbritur në fushë prej fundit të korrikut për ndeshjet kualifikuese të Champions League ndaj Ajax, apo për sfidën në fazën play off të Europa League kundër Dinamos së Tbilisit, në asnjë rast Kaçe nuk ishte i grumbulluar në skuadër.
Rinovimi i kontratës dhe huazimi te Viktoria Plzen janë zgjidhja ideale e pranuar edhe nga futbollisti, që do të largohet për një sezon nga PAOK-u për t’u përqendruar vetëm te futbolli, ndërsa me çekët ka të garantuar pjesëmarrjen në kupat e Europës. Viktoria Plzen u mposht në ndeshjen e parë play off të Champions nga Lodogorets, por edhe në rast disfate ata do të luajnë në grupet e Europa League.

Artikulli paraprakKush është Mike Pence?
Artikulli tjetërHyka asist te Luzerna, Çekiçi gol te Lokomotiva