Juristi i PD: Kemi propozuar kontroll të përvitshëm të pasurisë për zyrtarët e lartë

Përfaqësuesi Ligjor i PD-së, Rezart Kthupi, është shprehur se PD ka propozuar që të ndryshojë mënyra e kontrollit të pasurisë së zyrtarëve të lartë të shtetit.

Komentet Kthupi i bëri gjatë një interviste në “EuroNews Now” në EuroNews Albania, ku tha se është e nevojshme që këto kontrolle të shpeshtohen dhe të zhvillohen një herë në vit për të gjithë zyrtarët e lartë.

Ai shtoi se duhet të ndryshojë edhe mënyra e funksionimit të institucionit përgjegjës të këtyre kontrolleve, duke thënë se nevojitet një institucion kolegjial, ku të ketë shumë njerëz përgjegjës për këtë punë.

“Faktet dhe ngjarjet e treguara së fundi kanë treguar se gjenden. Nuk ka lidhje me kohëzgjatjen. Mund ta marrim për analogji për atë që ndodhi me sistemin gjyqësor. Në sistemin gjyqësor kishin bërë deklarime të pasurive që nga viti 2004 gjyqtarët, prokurorët, etj. Por megjithatë, kur u bë procesi i vettingut, një pjesë e madhe e tyre nuk kishin korrenspodenca në lidhje me pasurinë apo me kontaktet e papërshtatshme.

Nuk mungonin mekanizmat, por ishte mënyra e kontrollit që bënte diferencën. Në ligjin aktual, ka një kontroll periodik në 2-3-4 apo 5 vite për zyrtarët shtetërorë. Ajo që ne kemi propozuar është që ky kontroll të bëhet një herë në vit për të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit dhe një herë në 2 vite për zyrtarët e tjerë. ILDKP e bën këtë process për politikanët e nivelit të lartë një herë në 2-3 vite dhe kjo e bën më të vështirë gjurmimin e pasurive.

Në propozimin që ne kemi, kemi kërkuar që në ligj të bëhet një ndryshim edhe për mënyrën e funksionimit. Sot kemi një institucion monokratik, në propozimin tonë ne kërkojmë të kalohet në një organ kolegjial, pasi ka më shumë njerëz përgjegjës për të njëjtën punë. Edhe vendimmarrja kërkon më shumë vullnet edhe më shumë mendje”, u shpreh Kthupi.

Artikulli paraprakBasha në Milot: PD mbështet SPAK-un për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me fondet publike të shqiptarëve
Artikulli tjetërÇështja “Gërdeci”, Gjykata e Strasburgut del me vendim