Ju qëllua banesa me plumba, dëshmia tronditëse: Kam probleme vetëm me policinë, me asnjë tjetër!

Mbrëmjen e kaluar, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar në drejtim të banesës së Juxhin Kullës, në Korçë ku fatmirësisht nuk ka pasur të dhëna për persona të lënduar.
Ndërkohë ai ka deklaruar para autoriteteve se në momentin që ka dëgjuar të shtënat, ka qenë duke dalë nga banesa dhe se makina me të cilën kanë qenë autorët, është larguar me shpejtësi në drejtim të fshatit Barc.

Burime bëjnë me dije së gjatë dëshmisë, Kulla ka thënë gjithashtu se ai nuk ka problem me askënd duke shtuar se problemin e ka me policinë prej nga ku edhe pretendon se është dhunuar dissa vite më parë.

“Sapo dilja nga banesa ne momentin qe kam degjuar te shtenat. Degjova nje automjet qe u largua me shpejtesi dhe xhirim ne drejtim te fshatit Barc . Nuk pashe asgje tjeter. Nuk kam probleme me askend. Problemet e vetme qe kam jane me policine prej dites qe un jam dhunuar prej tyre. Eshte qelluar disa here drejt katit te dyte te baneses. Nuk kam konflikt me asnje person . Kete e them me siguri”, ka thënë Juxhin Kulla.

Ndërkohë policia e Korçës ende nuk ka teë shoqëruar apo identifikuar rreth ngjarjes. Vijon puna për zbardhjen e ngjarjes. Ndërkaq Juxhin Kulla rezulton se ka qenë arrestuar më parë, pasi ka precedent në shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Por Juxhin Kulla nuk është një emër i panjohur dhe për mediat, pasi tre vite më parë akuzoi shefin e Seksionit Kundër Narkotikëve në Korçë se e ka dhunuar fizikisht.

Çfarë thuhej tre vite më parë në media për Juxhin Kullën dhe akuzat ndaj shefit të policisë
Konfrontimi fizik mes një 31-vjeçari nga Korça dhe shefit të Seksionit Kundër Narkotikëve, ka bërë që SHKB të ndërmarrë një hetim për rastin.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 23:00 të së premtes, në një pikë loto-sporti, përgjatë bulevardit “Gjergj Kastrioti”, ku sipas dëshmitarëve okularë, dy automjete janë afruar te lokali dhe prej tyre kanë zbritur një grup personash të veshur civilë dhe me antiplumb. Gjithçka ka ndodhur në pak sekonda, kur ata janë afruar menjëherë te lokali dhe në ato momente, Juxhin Kulla është larguar me vrap.

Menjëherë personat kanë qëlluar në ajër dhe kanë bërtitur “Ndal policia”, çka ka bërë që 31-vjeçari të ndalojë me duart lart dhe të kapet nga punonjësit civilë. Ndërsa i riu u shoqërua në komisariat, një pjesë e efektivëve kanë kontrolluar mjetin e 31- vjeçarit, por nuk kanë gjetur asgjë.

Dyshimet e policisë kanë nisur pas informacioneve për aktivitetin e 31-vjeçarit për shitje narkotikësh në atë zonë, por duket se pasi policia nuk ka mundur të gjejë asgjë për ta implikuar, situata ka precipituar. Sipas deklaratave të vetë 31- vjeçarit Kulla, dhënë për avokatin, fillimisht ai është shoqëruar në komisariat, ku edhe ka deklaruar se kishte vrapuar të largohej pasi nuk e dinte se në dy makinat e errëta kishte punonjës policie, por më vonë iu bind urdhrit të tyre.

Ai ka treguar se në ambientet e Policisë është rrahur në mënyrë barbare, çka e dëshmojnë edhe shenjat e shumta në fytyrë. “Jam goditur teksa isha me pranga nga shefi i Antidrogës dhe një vartës i tij. Nuk më dhanë arsye, por më thoshin: Trego kush shet drogë, duam emra. Sa herë u thosha nuk di gjë, më godisnin më tepër, deri sa e panë që më kishin masakruar fytyrën. Atëherë ndaluan”, është shprehur para avokatit mbrojtës 31-vjeçari.

Pirro Kotonika, avokati i Juxhin Kullës, thotë se klienti i ka kërkuar që të bëjë një kallëzim lidhur me rastin e dhunimit të tij; ka kërkuar fotografimin e shenjave dhe ekspertimin nga mjeku ligjor, si edhe marrjen e kamerave të sigurisë kur ai është çuar në komisariat me pranga dhe pa asnjë dëmtim, çka tregon se është dhunuar pas shoqërimit dhe brenda ambienteve të Policisë, por nuk i janë realizuar këto kërkesa.

Nga ana tjetër, vetë Policia, me anë të një njoftimi zyrtar, ka bërë me dije se “arrestimi i Juxhin Kullës është bërë pasi ky shtetas, në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, për shkak të detyrës, ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Seksionit Kundër Narkotikëve”.

Sipas Policisë, konfrontimi ka ndodhur mes vetë të shoqëruarit dhe shefit të Seksionit, Buis Hysi, dhe për pasojë kanë marrë dëmtime të dyja palët. Burime zyrtare të Policisë bënë me dije se lidhur me rastin fillimisht është pezulluar shefi i Seksionit Buis Hysi, si dhe është kërkuar një hetim nga SHKB për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Juxhin Kulla, vetëm pak kohë më parë, la ambientet e Burgut të Drenovës pas vuajtjes së një dënimi 8-vjeçar, pasi u kap gjatë një operacioni policor me 5.6 gramë drogë, të cilat iu gjetën në makinë.

unnamed file 1

Artikulli paraprakOperacioni “fshesa”, largohen nga puna gra dhe burra nga bashkitë që u uzurpuan!
Artikulli tjetërPublikohet fatura e luksit në hotelin e Barcelonës, Fusha i miliona eurove nga tenderat, 908 euro nata për nënkryetarin e Veliajt