Jo vetëm taksë 10 euro por edhe 70 milionë euro të tjera

Aplikimi i pagesës në rrugën e “Kombit” si rezultat i dhënies së saj me koncesion do të vonohet më shumë se parashikimet në kushtet e tenderit, për shkak se një inventar që po kryhet për dorëzimin e objektit ka nxjerrë në pah se disa punime të kontraktuara nga qeveria shqiptare nuk kanë përfunduar, çka mund të rrisë më tej koston e koncesionit edhe me mbi 70 mln euro.
Burimet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar pohuan se, është ngritur një grup pune me përfaqësi të Ministrisë së Transportit dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar që po negocion kontratën me kompaninë koncesionare “Catalyst”, me asistimin edhe të një kompanie të huaj.
Burimet e “Monitor” në ARRSH pohuan se nga verifikimet në terren janë vërejtur disa dëmtime dhe investime të munguara. Mungojnë disa skarpata anës rrugëve dhe nga ana tjetër ka shumë dëmtime në hyrje daljet e autostradës të paautorizuara, të cilat i bëjnë të pamundur koncesionarit të fillojë zbatimin e kontratës.
Këto gjetje dhe punimet e tjera të kontraktuara, por të parealizuara duket se do të sjellin në terma të tjera financiare faturën e koncesionit.
Në ofertën ekzistuese të Catalyst 43,409,518 euro është investimi fillestar dhe në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 217,562,056 euro për 30 vitet në vijim.
Mirëpo të njëjtat burime pohojnë për monitor se kostoja e punimeve të munguara do të jetë mbi 70 milionë euro. Palët janë në negociata që shuma e punimeve të munguara me gjasë do të transferohet tek koncesionari, duke i akorduar fonde shtesë.
Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, Komisioni i Prokurimit Publik e shpalli përfundimisht bashkimin e kompanive shqiptare nën emrin “Catalyst” fituese të koncesionit, duke rrëzuar një vendim të mëparshëm të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Transportit që kishte shpallur fitues kompanive turke “Vendeka”.
Në fund të vitit 2016 në buletinin e radhës APP i kërkon konsorciumit Catalyst thuhet se brenda 60 ditëve duhet të ekzekutohet marrëveshja e koncesionit çka për qytetarët do të thotë se rruga do të bëhet me pagesë. Por afati i aplikimit të pagesës është shtyrë së paku me gjashtë muaj si rezultat i problematikës që është krijuar me inventarët e punimeve në rrugë.
Përveç taksave që do të paguajnë qytetarët (5 euro për makinë) buxheti i shtetit do të paguajë në 13 vitet e para të koncesionarit të paktën 65 milionë euro, shumë që është zbardhur në raportin e zgjeruar të Komisionit të Prokurimit Publik, ku ka shqyrtuar ankesën e grupimit “Catalyst Viba Das General Constractin LLC&Salillari shk& BEE Tech” & Viplap Ateve & Kastrati sha, për skualifikimin nga gara për koncesionin e mirëmbajtjes së autostradës Milot–Morinë.

Plani Rama për dhënien e të gjitha rrugëve me koncesion

Në muajt e ardhshëm të gjitha akset rrugore të vendit pritet të jepen me koncesion nga qeveria Rama dhe udhëtimi për në qytete të tjera do të tarifohet në bazë të kilometrave. Megjithëse nuk ka shtruar asnjë metër rrugë, Rama ka vendosur që ta dyfishojë koston e udhëtimit të shqiptarëve nëpër rrugët e vendit. Tiranë-Durrës, Tiranë-Kukës, Tiranë-Shkodër, Tiranë-Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Vlorë etj., s’do të jenë më falas. Qeveria e Ramës ka hartuar një projektplan, i cili pritet të marrë jetë menjëherë pas zgjedhjeve. Tarifimi do të jetë rreth 3.5 cent euro për kilometër, çka do të thotë se për të përshkuar 100 kilometra rrugë do të paguhen 3.5 euro ose 500 lekë të reja. Duke llogaritur dhe kthimin, atëherë kjo shifër shkon në 1 mijë lekë ose sa ¾ e konsumit që kërkon një makinë normale karburant për ta përshkuar këtë distancë. Por sa do të fitojë një klient i Edi Ramës nga këto koncesione, që kryeministri na i quan si sukses të madh? Kjo varet nga fluksi. Për shembull, në aksin Tiranë-Durrës ka një fluks me mesatare rreth 25 mijë automjete në ditë. Mendohet se fitimi vjetor vetëm në këtë aks të jetë mbi 20 milionë euro në vit ose rreth 1.8 milionë euro në muaj, sipas shifrave të përllogaritura. Një koncesionar 10-vjeçar mendohet të ketë marrë rreth 200 milionë euro ose gjashtë apo shtatëfish sa vlera e rrugës.

Artikulli paraprakKuqezinjtë protagonistë
Artikulli tjetërKarabak, Ansi Agolli titullar në suksesin e Champions League