Jo vetëm Karaburuni në flakë, situatë kritike edhe në pyllin e Poros

Në një kohë që operacioni për shuarjen e zjarrit në fshatin Dukat për momentin është ndërprerë, prefekti i Vlorës Flamur Mamaj në një lidhje për Fax News thotë se flakët nuk janë ende rrezik për banesat.

Ai shprehet se sot zjarri ka marrë një përhapje më të gjerë, për shkak të erës që është duke fryrë në të gjitha drejtimet, ndërsa shqetësuese mbetet dhe vatra e zjarrit në pyllin e Poros, që është me pisha.

Bimësia e lartë e bën dhe më të vështirë operacionin për shuarjen e flakëve, ndërkohë që Mamaj tha se ndërhyrja nga ajri pritet që të rinisë pasditen e sotme.

“Aktualisht ndodhemi në zonën e Dukatit, jemi në monitorim të vazhdueshëm së bashku me 400 trupa që janë në terren të Forcave të Armatosura.

Ne kemi shtrirë në të gjithë vijën e zjarrit trupat e armatosura, në terrenin fushor kemi një sasi të konsiderueshme zjarfikësish, në rast se zjarri do ti drejtohet fshatit Dukat.

Për momentin nuk kemi rrezik për banorët, për momentin situata është nën kontroll, pasdite pritet që të ketë ndërhyrje nga ajri.

Është 100% zjarrvënie e qëllimshme, policia po bën të gjithë detyrën për të vënë para përgjegjësisë autorët. Në momentet që flasim ka dhe dy vatra të tjera zjarri, njëra në pyllin e Poros në Vlorë, dhe një tjetër në Himarë.

Zjarri në pyllin e Poros është një nga më të vështirët për tu vënë nën kontroll, për shkak të lartësisë së pishave”, tha Mamaj.

Artikulli paraprak“Poshtë Rama”! Kryeministri kalon me eskortë në Himarë, banorët shpërthejnë në revoltë
Artikulli tjetërShënohet viktima e parë nga zjarret, humb jetën i moshuari duke luftuar me flakët