Raporti i DASH, medalje qeverisë për prostitucionin

“Qeveria shqiptare nuk përmbush as standardet më minimale në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore; megjithë përpjekjet për të arritur standardet”. Ky është konkluzioni i Departamentit amerikan të Shtetit në raportin e fundit të tij për vitin 2016 në lidhje me trafikun e qenieve njerëzore, ku Shqipëria shfaqet si një vend tranzit për trafikun e prostitucionit dhe zhvillimin e aktivitetit të tij. Pra, krahas së qenurit shteti kampion për prodhimin dhe trafikun e drogës dhe krimit të organizuar, Shqipëria qëndron në krye të listës edhe për trafikun e prostitucionit.
Raporti i DASH konstaton paaftësinë e qeverisë në goditjen e trafikut të qenieve njerëzore, ashtu si edhe paaftësinë e policisë për të qenë eficente në këtë drejtim.
“Qeveria shqiptare nuk arriti dot të përmbushte standardet minimale në shumë pika kyçe që kanë lidhje me goditjen e trafikut të qenieve njerëzore. Policia ka shfaqur mangësi në lidhje me kapacitetet dhe profesionalizmin në identifikimin e viktimave të trafikut të qenieve njerëzore duke dështuar në shumë raste”, thuhet në raport.
Për herë të parë në vitin 2016 është përdorur nga qeveria “fondi i veçantë” për mbrojtjen e viktimave të trafikut. Policia në shumicën e rasteve nuk arrin të identifikojë rastet e trafikimit dhe viktimat e tij.
Në të paktën dy raste, dy viktima të trafikimit u hetuan dhe u dënuan për veprime të paligjshme të kryera si rezultat i nënshtrimit gjatë trafikimit, edhe pse ligji e përjashton viktimën nga ndëshkimi për krimet e kryera si rezultat i shfrytëzimit të tyre. Qeveria ka ulur fondet për të vetmen strehëz shtetërore nga rreth 186 mijë euro në vitin 2015 në 169 mijë euro në vitin 2016.
Raporti konstaton gjithashtu se gjatë pesë viteve të fundit, Shqipëria është bërë burim dhe vend tranzit për trafikimin e njerëzve. Kështu, shkruhet në raportin e përvitshëm të Departamentit amerikan të Shtetit për Trafikun e Qenieve Njerëzore. Shqipëria shërben si vend tranzit për trafikantët nga Azia Qendrore dhe Afrika për t’i kaluar viktimat e tyre drejt Evropës Perëndimore. Raporti thekson ndër të tjera se qeveria shqiptare nuk përmbush nivelin minimal të standardeve për eliminimin e trafikut të qenieve njerëzore.
Shqipëria duhet të përmirësojë dhe zbatojë ligjet për mbrojtjen e viktimave dhe t’i ofrojë atyre më shumë mbështetje, qoftë dhe duke mbështetur financiarisht organizatat joqeveritare që punojnë në këtë fushë, shkruhet në raportin e DASH.
Shqetësim i shprehur në raportin e DASH është mbështetja e ulët e qeverisë në ofrimin e ndihmës ndaj viktimave, ndërsa vë në dukje problemet me financimin dhe keqpërdorimin e tyre. Në raport vihet në dukje se qeveria ndërsa ka ulur fondet për strehimin e viktimave ka rritur fondet për pagesat e punonjësve të OJQ-ve që merren me strehimin e viktimave.
“Tri strehimore të specializuara të OJQ-ve dhe një strehë shtetërore ofruan ndihmë ndaj viktimave të trafikimit, duke përfshirë ushqimin, këshillim, asistencën ligjore, kujdesin mjekësor, shërbimet arsimore, shërbime punësimi, ndihmë për fëmijët e viktimave, mbështetje financiare, strehim afatgjatë, aktivitete sociale, trajnime profesionale dhe ndjekjen pas riintegrimit. OJQ që merren me strehimin përkrahën 75 viktima të trafikimit, ndërsa strehimi shtetëror mbështeti 30 viktima, 10 nga të cilat ishin që nga viti 2015.
Dukshëm qeveria ka ulur fondet e mbështetjes. Ajo ofroi 21.7 milionë lekë (169.231 USD) për strehimin shtetëror, duke ulur financimin në një rënie nga 23.970.000 lekë (186.900 USD) që financoi në vitin 2015.
Qeveria financoi me 15.3 milionë lekë (119.093 USD) OJQ-të që merren me strehimin për të mbështetur pagat e 24 punonjësve. Ky financim pësoi një rritje nga 10 milionë lekë (77.972) që u akorduan për të mbështetur pagat e 12 punonjësve në vitin 2015”, thuhet në raport.

DASH kërkon arrestimin e kokave të trafikut

Në raportin e tij për trafikun e qenieve njerëzore për vitin 2016, DASH ka listuar disa rekomandime për Shqipërinë, ndër të cilat Departamenti i Shtetit i kërkon qeverisë shqiptare vënien para drejtësisë të personave përgjegjës të trafikut të qenieve njerëzore. Gjithashtu, DASH kërkon marrjen e masave të menjëhershme për trajnimin e policisë dhe aftësimin profesional të saj në identifikimin e viktimave të prostitucionit, si dhe goditjen e autorëve të trafikut apo rrjetet kriminale të prostitucionit. “Duhet plotësuar dhe zbatuar ligji që përjashton viktimat nga dënimi për veprimet e paligjshme të kryera si pasojë e drejtpërdrejtë e nënshtrimit gjatë trafikimit; Duhen trajnuar policia, inspektorët dhe zyrtarë të tjerë për të identifikuar sa më herët viktimat e trafikimit; Duhet të vihen përpara drejtësisë trafikantët e qenieve njerëzore; Duhet rritur mbrojtja e viktimave nga frikësimi dhe kërcënimet gjatë procesit të gjykimit të trafikantëve”, thuhet në raportin e DASH.

Manipulimi me fondet për ndihmën ndaj viktimave

Departamenti i Shtetit ka konstatuar jo vetëm paaftësi nga ana e qeverisë dhe strukturave përkatëse për goditjen e trafikut të qenieve njerëzore, por edhe mungesë mbështetjeje financiare, si dhe abuzime në lidhje me fondet e alokuara për strehimin dhe mbështetjen e viktimave të prostitucionit.
DASH vë gjithashtu në dukje jo vetëm uljen e fondeve, por edhe vonesën e tyre për muaj me radhë nga ana e qeverisë, duke e shndërruar rehabilitimin dhe ndihmën ndaj viktimave në një mision të pamundur dhe të dështuar.
“Ofrimi i ndihmës së strehimit nga OJQ-të ishte i kufizuar për shkak të financimit të limituar.
Mekanizmat financiarë për të mbështetur strehimin e viktimave çdo vit mbetën të ndërlikuara dhe të ekspozuara nga manipulimi nga qeverisja lokale. Financimi i qeverisë për tre strehëzat e organizuara nga OJQ-të u vonua për dy muaj dhe një strehë kurrë nuk mori fonde për ushqim. Strehimet e organizuara nga OJQ-të u lejuan viktimave të rritur të largoheshin vullnetarisht nga strehimi, por streha e drejtuar nga shteti u kërkoi viktimave të kërkonin miratimin nga drejtori i strehës”, thuhet në raport.

 

Artikulli paraprakAferat me Ramën, Soros interesa në naftën shqiptare
Artikulli tjetërKreditë e këqija përfundojnë në përmbarim